Sa kohë i është dashur Donald Lu të mësojë shqipen? – Cilat janë gjuhët më të lehta dhe më të vështira për anglishtfolësit

Mësimi i një gjuhe të huaj është një qëllim që ia vendos vetes bazuar tek një nevojë ose një dëshirë për të komunikuar me kultura të ndryshme në të gjithë botën. Në varësi të gjuhës mëmë dhe degëve gjuhësore, një gjuhë e huaj mund të jetë më e lehtë se një tjetër, prandaj ka dhe kombe më shumë poliglotë se kombe të tjerë.

Një nga grupet që e kanë më shumë domosdoshmëri dhe janë të “detyruar” të mësojnë më shumë gjuhë të huaja janë diplomatët, të cilët caktohen të kryejnë detyrën në të gjithë vendet e botës.

Instituti i Shërbimeve të Huaja, i cili u mëson gjuhët e huaja diplomatëve aktualë apo atyre që do të bëhen të tillë, ka përpiluar një raport ku përcaktohet se sa kohë duhet për të përvetësuar një pjesë të madhe të gjuhëve të botës.

Shqipëria paraqitet në hartë me një nuancë të errët jo të theksuar, çka tregon se bën pjesë në grupin e gjuhëve që kërkojnë 44 javë për t’u mësuar. Bashkë me shqipen, në grupin e gjuhëve të vështira përfshihen edhe 50 gjuhë të tjera, mes të cilave, maqedonishtja, rusishtja, serbo-kroatishtja dhe turqishtja.

Kjo do të thotë se me shumë gjasa plot 1100 orë mësimorë u janë dashur për të mësuar gjuhën shqipe Ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, ish-Ambasadores në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, apo Shefit të Seksionit Konsullor në Prishtinë, Brian Corteville.

Kjo kohë prej 10 muajsh është konfirmuar nga vetë Corteville gjatë një interviste televizive. Sipas tij, brenda sistemit është normale mësimit i gjuhës së vendit ku do të shërbejnë dhe pothuajse të gjithë diplomatët që vijnë në Prishtinë apo në Tiranë mësojnë shqip në Uashington.

Për anglishtfolësit ndërkohë, gjuhët më të lehta, që kërkojnë vetëm 5 muaj e gjysmë për t’u mësuar janë: gjuha daneze, holandeze, italisht, norvegjisht, portugalisht, rumanisht, spanjisht dhe suedisht. Gjuha franceze kërkon 30 javë për të mësuar, ndërsa brenda 36 javëve mund të mësohet edhe gjermanishtja, gjuha indoneziane, malai, suahili dhe kreolja haitiane.

Ndërkohë, gjuhët e konsideruara super të vështira janë arabishtja, kinezishtja, japonishtja dhe gjuha koreane.

/Scan

SHKARKO APP