Saga e një dinastie, historia dhe vepra për themelimin e shtetit shqiptar
Në rubrikën “Autokton” të gazetares Anila Ahmataj në News24 u trajtua historia e jashtëzakonshme e një prej dinastive më të hershme, si dhe vepra e saj për themelimin e shtetit shqiptar.
”Një ditë do shuhemi e do vdesim, po vatani duhet të rrojë, qoftë dhe t’u tregojë atyre që do vijnë prapa, se kush lëftoi e u vra për të, kush e deshi atë me shpyrt e kush u përpoq për t’a nxjerrë më dritë!”
Hajredin Bej Cakrani
Shekulli i 14 prej fillimi deri në fund të tij u trondit nga ngjarje që po projektonin shekujt e ardhshëm. Një perandori e re lindi prej disa fiseve islame pa shumë pretendime, por që u përhap në tre kontinente, pikërisht në tërritoret e perandorisë së krishterë bizantine duke bërë të përfundonte jeta e saj 1000 vjeçare, me emrin Perandoria Osmane. Vetë perandorët bizantinë, por dhe princat e saj të pafuqishëm ndaj përhapjes së vrullshme luftarake në territoret e tyre, nxituan në marrveshje të ndryshme të krijonin aleanca shumllojshe me osmanët, qofshin këto edhe me konvertim islam brenda sulltanatit dhe strukturës së dinastive, që e mbështesnin fuqishëm zgjerimin osman Lindje-Perëndim. Mes pushteteve e ndikimeve perandorake dinastia e madhe Murjusuf shaqet fuqishëm qysh fillimet e periudhës së sulltanit Orhan.
Qysh nga fillimi i Reformave të Tanzimatit u shfaq ndjeshëm shpirti shqiptar kryengritës, i pasqyrohet gjerësisht në korrespondencën e Portës së Lartë. Kryeministri perandorak Reshid Mehmet pasha raport Sulltanit Mahmud II “..Sikurse e kam thënë dhe herë të tjera, ky popull i mallkuar nuk mund të krahasohet në burrëri dhe trimëri me asnjë popull tjetër… Futja e tyre nën zap dhe nën nizam është konsideruar nga të gjithë si një çështje jo vetëm e vështirë, por dhe e pamundur” (Basbakanlik Arsivi, Instanbul, Fondi Hatt-i Humayun Defter Nr. 1, 2, 12, vesika 521518, dt. 23.9.1830) Ndërsa Sulltan Mahmud II shprehet: “..Është krejt e ditur se këta shqiptarët nuk kanë asnjë lidhje me dinin dhe me fenë islame…
Me të drejtë futja në binarë e kësaj Shqipërie ka një rëndësi të domosdoshme, por sa para bën, tani për tani nuk është koha” (BAI, Fondi Hatt-i Humayun Defter Nr 1, 3, 12, 24-31, vesika 21513-1)
Dihet gjërësisht se kryengritja kundër reformave të Tanzimatit më 1847 ishte më e fuqishmja e të gjithë shek.XIX, por fare pak dihet se kush e organizonte e financonte atë. Ajo ishte klasa feudale shqiptare, opozitare e Stambollit, e cila duke patur parasysh ndëshkimin perandorak ndaj krerëve të pashallëqeve shqiptare, përpunoi një strategji krejt të ndryshme nga ajo klasike për të dalë vetë në plan të dytë. Me këtë ajo arriti të krijojë në një kohë të shkurtër me udhëheqësit popullorë të sprovuar në luftra udhëheqjen, si dhe një numër të madh kryengritësish të vendosur për të përballuar ushtritë osmane.“Në të kaluarën, në krye të lëvizjes popullore në Shqipëri, viheshin njerëz nga familje të dëgjuara, por këtë herë ndodhi diçka e çuditshme. Në kryengritjen e 1847 u arrit nga të gjithë marrveshja që udhëheqjen e kryengritjes të mos e merrnin këta njerëz, por ata njerëz me përvojë lufte edhe pse mund të mos ishin njerëz të dëgjuar. Familjet e para u mënjanuan në marrjen e udhëheqjes, dhe cilido qoftë vëndimi i tyre, i shërben padyshim interesit të përgjithshëm” (raport nr.2603/295 i konsullit grek të Janinës, Klerinxis qeverisë së tij. Revista “O neos kuvaras” Athinë, 1966, fq. 164-165)
Kryengritja shpërtheu pikërisht në trevën e Mallakastrës, ku përfshirja e përfaqësuesit të familjes më të madhe “Veis Bej Cakrani” e theu çdo rregull të vëndosur.
Në sabah pa zbardhur mirë / Vinin gjyletë zinxhirë,
Veis Be ç’e bëre mirë / Ndeze dyfek n’mugullirë..
Pas shpypjes së dhunshme të kryengritjes ndaj reformave të Tanzimatit dhe burgosjes së qindra krerëve të saj me vrasje, burgime e internime në Anadoll nga Porta e Lartë, në Ballkanin sllav shpërtheu një krizë ndërkombëtare, prapa së cilës si gjithmonë gjendej Perandoria Ruse. Reziku i veçantë ishte ai i trojeve shqiptare, pasi popujt sllavë po i shfaqnin lëvizjet e tyre si çlirimtare dhe territoret shqiptare po i konsideronin si osmane. Në këtë situatë të brishtë Stambolli amnistoi me urgjencë krerën shqiptarë të kryengritjes, me kushtin që duhej të luftonin në territoret malazeze, serbe e boshnjake. Lufta në një territor të panjohur ishte një goditje e shumfishtë që po bënte duke i përdorur Porta e Lartë, por këtë herë ajo që do i çonte luftëtarët përtej së pamundurës, ishte detyra e shenjtë ndaj atdheut. Kahreman Bej Cakrani, i biri Veis Cakranit, ushtarak osman tashmë niset jo vetëm si ushtar i atdheut, por me një detyrë të qartë për kthimin e emrit të madh të familjes së tyre në një vazhdimësi të rrallë përgjegjësie. Pas betejash që nuk kursyen as udhëheqësit më në zë të kryengritjes së mëparshme, si Zenel Gjoleka, Hodo Ali Nivica etj. Kahreman Bej Cakrani depërtoi nëprmjet Malit të Zi duke udhëhequr luftra triumfuese deri në Bosnjë. Kështu e ngriti lavdinë e dikurshmë në një horizont të ri por u kujdes të zgjerote territoret e domenit të tij, së bashku me influencën.
Lufta ruso-osmane që shpërtheu më 1877 i gjeti të papërgatitur armatat asmane dhe ato ruse depërtuan deri në Portat e Stambollit, duke vënë në kushte kapitulluese Perandorinë Osmane. Për këtë ajo bëri në dhjetor 1877 një armëpushim në Edërne, dhe në mars 1878 mbajti famëkeqin traktat të Shën Stefanit sekret në periferi të Stambollit. Dorëzimi i Portës së Lartë ishte i plotë, duke lënë pothuaj gjithë Ballkanin në dorën sllave. Kur u pa se cari rus po vinte dorë, jo më mbi Ballkanin, por vetë Lindjen Fuqitë e Mëdha, dhe Gjermania e sapokrijuar kërkoi me urgjencë një kongres ndërkombëtar për këtë çështje, që të zbuste sa të ish e mundur diminimin sllav. Kjo ishte e papritura më e madhe historike, jo më e Perandorisë Osmane, por e shqiptarëve që tashmë zhdukeshin si komb. Por qysh më parë Kahreman Bej Cakrani kishte aderuar si ushtarak në Komitetit e Stambollit, krahas atdhetarëve me peshë si Abdyl Bej Frashëri, Mehmet Ali Pashë Vrioni, Mustafa Pashë Vlora, Vaso Pashë Shkodtrani, etj. që koha do ta sillte si faktorin e parë shtetformues modern shqiptar të gjithë historisë, në Lidhjen Kombëtare të Prizrenit. Pozita e pahasur më parë me armiq sllavë, që këtë herë i shtohej dhe dorëzimi pa kushte i Stambollit, që e bënte misionin e tyre jo më të vështirë, por në kufijtë e së pamundurës. Lidhja, që filloi si nismë e vetë sulltanit Abdylhamid II, me emrin Xhemijeti Itiffaki Islamije (Lidhja e Shenjtë Islame) si veprim i dështuar perandorak për një luftë fetare, u kthye shpejt në një vepër me shërbim ndaj kombit dhe shtetit të ri shqiptar që herë shfaqej e herë zhduken në horizontet e errëta të kohës. Shqiptarët duke kuptuar se ishin në mes një situate të pashpresë, gjakftohtë si fillim kërkuan që territoret shqiptare të ishin një vilajet i vetëm (Tevihdi Vilajet) që do të thosh një autonomi e zgjeruar, e cila falë kushteve e zhvillimeve do të kthehej shpejt në shtet shqiptar, era e të cilit po frynte. Kahreman Bej Cakrani, me të birin Hajredin, firmëtarin e ardhshëm të pavarsisë, nuk pushoi së bashku me kryesinë e Komitetit të Stambollit punën për këtë gjë. Vëndimi u shpall botërisht si lajm, pa emër autori, më 27 shtator 1878, në gazetën “Terxhuman-i Shark”, që botohej nën drejtimin e Sami Frashërit në kryeqytetin perandorak, ku Lidhja Shqiptare e kishte hartuar si program prej 7 pikash. Në pikën e parë thuhej diplomatikisht se sovraniteti i sulltanit do të ruhej në Shqipëri, por se asnjë pëllëmbë tokë shqiptare nuk duhej t’u jepej shteteve të tjera. Në pikën e dytë kërkohej krijimi i Vilajetit të Shqipërisë, pra bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një njësi të vetme politiko-administrative. Pikat e tjera trajtonin prerogativat autonomiste dhe parimet kushtetuese që duhej të kishte vilajeti. Të gjithë nëpunësit do të ishin shqiptarë. Në administratë e në shkollë do të përdorej gjuha shqipe. Sulltani nuk e pranoi kërkesën, madje shkoi më tej duke lëshuar thirrjen: Se ata që kërkojnë Tefhidi Vilajet” janë armiqtë më të rrezikshëm të Perandorisë Osmane.
Patriotët shqiptarë, dhe në veçanti rilindasi Sami Bej Frashëri, e vazhdoi me vetmohim luftën kombëtare, në një drejtim tjeter. Duke parë se daljen nga Perandoria Osmane veç luftës, e favorizonin në mënyrë vendimtare faktorët kulturorë, si gjuha dhe feja, dy kolonat kryesore të kombit, aq jetikë, por që shqiptarët i kishin lënë pas dore, në mos i kishin shkelmuar. Pas “Alfabetarit të Gluhës Shqipe” dhe të tjerë botimeve me alfabetin latin, gjuha e shkruar po rilindete. Pranë rilindasit të madh në mungesë të të atit Kahreman Bej Cakrani, qëndron tashmë studenti ushtarak Hajredin, i cili fillon të sjelle në vendlindje nga Stambolli alfabetarin dhe të tjerë libra nga “Shoqëria e të shtypurit shkronjat shqip” e mendjes më të ndritur enciklopedike shqiptare në kohra, Sami Frashërit. “..
Qysh nga fundi i shek. XIX, bejlerët e Cakranit kishin në konakët e tyre mësonjës shëtitës, herë Hamit Lumi e herë unë.. Bejlerët e Cakranit i kishin paguar mësonjësit shëtitës, jo vetëm për katundin e tyre, por edhe për katunde të tjerë, si Gorishovë, Buzmadh e Klos..” shkruan përfaqësuesi i Kolonisë së Bukureshtit, Kristo Karbunara.
Të 4 djemtë e Kahreman Bej Cakranit, Sabriu, Hajredini, Sulejman dhe Bektash bëhen protagonistë të shumë ngjarjeve të mëdha dhe tejet të guximshme, gjithmonë kundër pushtetit osman dhe dorës së fortë, të atyre njerëzve që ata mbanin si zbatues të politikave të tyre shkombëtarizuese thellësisht orientale. Me të hyrë shekulli XX Bektash Bej Cakrani, një jurist i ri, konfliktohet me bimbashin e Beratit, duke e vrarë me gjithë rojet e tij në mes të qytetit, gjë që bëri të arrestohen të 4 vëllezërit dhe madje të burgoseshin në hapsanën famëkeqe të Janinës. Pas shumë përpjekjesh i ati Kahreman Bej arriti të bindë gjyqin që për mungesë faktesh ti nxjerrë djemtë e tij të pafajshëm. Konsulli austrohungarez Dr. Ranzi e pasqyron qartë betejën me pushtetin osman në gjyqin kundër tyre në një raport të hollësishëm ministrit të jashtëm perandorak në Vjenë Kontit Goluçovski; “Në pranverë 1905 i’u bë një atentat komandantit të xhandërmarisë së Beratit, i cili mbeti i vrarë me gjithë rojat, dhe si shtytës u akuzuan Bejlerët e Cakranit, fisi më i pasur dhe më me influencë i Mallakastrës, të cilët ishin armiqësuar me të. Por gjyqi që e gjykoi ngjarjen i liroi, megjithëse mytesarifi (prefekti) akuzoi bejlerët për veprimtari nacionaliste, akuzë për të cilët ishin arrestuar ata.”
Vazhdon në pjesën e dytë të “Autokton”
Burimi: BalkanWeb)