Sarkazma nga Shkodra, mallkimi i Fishtës vjen në ditën e vdekjes së diktatorit Hoxha

Kritikat e Fishtës drejtuar pushtetarëve janë gjetur nga aktorët si aktuale dhe si për të shprehur zemërimin ata kanë vendosur të risjellin në skenë “Gomarin e babatasit” . Të bindur se politika ka shkatërruar çdo gjë dhe ka marrë në dorë frenat edhe për artin dhe kulturën, artistët kanë vendosur të ngjiten në skenën e teatrit “Migjeni” pikërisht në 11 prill që është edhe data e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha 34 vite më parë.

Kritika fishtjane me ashpërsinë e saj nuk fali askënd në një prej kryeveprave të tij që është  “Gomari i Babatasit”. Akuzat mbi deputetët, Ministrat, dhe gjithëfarë zyrtarësh përfshirë dhe mallkimin, ironinë dhe sarkazmën e vitit 1923, duket se artistët e Shkodrës e kanë zgjedhur si një formë për t’ia përplasur në fytyrë klasës politike aktuale.

Dhe për ta bërë këta ata kanë gjetur një datë, 11 prillin që është edhe data e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha duke e parë si burim të të gjitha të këqijave si dhe atyre që kalojmë sot.

Rita Gjeka: Sivjet është festë dhe më e madhe se i bihet tamam asaj që duhet me i ra.

“Gomari i Babatasit”do të ngjitet për herë të parë në teatrin “Migjeni “me regji të Altin Bashës, ju cili thotë se e gjen sot më aktuale se kurrë.

Altin Basha: Atë që nuk arrijmë dot ta përmbysim se mesa duket politika i ka shtrirë kthetrat fort në themelet e kësaj shoqërie, së paku të qeshim dhe të tallemi me të.

Por a duan aktorët të japin nje mesazh edhe për situatën që po kalojnë për shkak të një vendimi për prishjen e Teatrit Kombëtar?

Altin Basha: Personazhi kryesor i veprës është kryeministri i Shqipërisë .

Ikona e këtij teatri, mjeshtria e madhe Zyliha Miloti dhe aktorët Besnik Çinari e Jozef Shiroka bashke me ftesën ndaj publikut për të marrë pjesë në këtë shfaqje, premtojnë risi që deri më sot nuk janë parë në këtë skenë.

Zyliha Miloti: Ka satirë, satirë politike.

Besnik Çinari: Unë e ftoj spektatorin sepse kur të mbarojë shfaqja ka me thënë: Ja ka vlejtur kjo biletë.

Jozef Shiroka: Të kesh rolin e Babatasit nuk është e lehtë për askënd  jo vetëm për mua.

Dhe si për t’iu përgjogjur masës së interesimit për këtë vepër aktorët kanë vendosur vetëm ditën kur nis shfaqja por jo ditën kur do të jetë performimi i fundit.

Ora News - Sarkazma nga Shkodra, mallkimi i Fishtës vjen në ditën e vdekjes së diktatorit Hoxha

/Burimi: Ora News/

SHKARKO APP