Sezoni i ri, Beqo flet për sfidat e teatrit në kryeqytet
Edhe ky sezon i ri i Teatrit Metropol do të vijojë me një larmi shfaqjesh të rëndësishme. Ky institucion e ka nisur sezonin e tij artistik me premierat “Sherlock Holmes dhe Langoi i Baskervillëve” nga Ken Ludving dhe “Tullumbaci i kuq”, Barry Kornhauser një shfaqje për fëmijë me pantomimë.
“Natën Ma” me regji nga Ema Andrea, “Ditari i Ana Frank” me regji nga Armela Demaj si dhe shfaqja “Art” me regji nga Kriks Dumo, dso të pasohet nga shfaqjet për të rinj “Ditar i Ana Frank”, (version për të rinj grupmosha 14-18 vjeç), “Romeo dhe Zhuljeta”.
Nuk do të mungojnë edhe shfaqjet për fëmijë “Tullumbaci i kuq”, “Atje ku hëna takon malin”, “Të mirësjellshmit”, ndërsa nuk do të mungojnë aktivitetet e Asnamblit Tirana.
Në një prononcim për mediat, drejtoresha e Teatrit Metropol, Jonida Beqo, vlerësoi se ka pasur një rritje si në sasi ashtu edhe në cilësi të shfaqjeve të vëna në skenë. Si shembull, Beqo thotë se në Teatrin Metropol për vitin që sapo lamë pas janë vënë në skenë 18 premiera artistike, janë angazhuar 17 regjisor, rreth 89 artistë (të brendshëm dhe të jashtëm) si dhe 25 teknikë.
“Gjatë një viti kalendarik janë dhënë 190 shfaqje të cilat kapin shifrën 18 000 spektator, nga të cilët 3600 janë publik nga grupe të ndryshme vurnerabël”, theksoi ajo.
Beqo flet edhe për ambicien e saj për drejtimin e Teatrit Eksperimental. “Në fund të nëntorit iu përgjigja thirrjes së hapur për konkursin e Teatrit Eksperimental, ku paraqita një platformë. Në fund të fundit është një garë dhe derisa ai proces të përfundojë, unë jam kthyer në detyrë që të vazhdoj me prioritetet ato projektet e bukura që kemi në Teatrin Metropol që nga 2018”, thotë ajo, duke nënvizuar se si pikë të fortë të platformës së saj ka hapjen me komunitetin. “Si pikë nga platforma ime, mund të përmend zgjerimin e impaktit të teatrit publik në komunitet sepse ne këtë jemi përpjekur të bëjmë gjatë kësaj periudhë në Teatrin Metropol dhe e bëjmë në mënyrë të vazhdueshme”, nënvizoi Beqo.
Në këndvështrimin e saj teatri është një komunitet që duhet parë si një pazëll i bashkuar. “Unë e shoh teatrin si një komunitet të madh, jo si ndarje të një instucioni a një tjetri, ne jemi një komunitet i cili në mënyrë periodike punojmë me disa artistë, më pas ata punojnë në një teatër tjetër”, shtoi ajo më tej.