Shfaqja që na kish munguar
Regjisori dhe skenografi Kumbaro, njëkohësisht, me shigjetën e harkut të tij artistik ka qëlluar në epiqendër të sfidave të tij krijuese, ku përveç suksesit të tij meriton, së bashku edhe me interpretuesit Kita e Bratko
Nga Kristaq Balli
Javën e kaluar Teatri dramatik i qytetit të Korçës shfaqi premierën e dramës ”Uji që Vret” të autorit të suksesshëm bashkëkohor amerikan John Biguenet. Spektakli skenik që pason veprimtaritë e suksesshme artistike të këtij teatri, këtë herë me regjisor e skenograf Arben Kumbaro dhe me interpretimin e dy aktorëve e mirënjohur korçarë Zamira Kita dhe Sotiraq Bratko shënon një arritje kulmore të eventeve kulturore në qytetin e traditës dhe vlerave teatrore. Shfaqja është një sinkronizim i përkryer i përjetimeve artistike dhe ato humane në shoqërinë tonë globale. Një shfaqje me përmbajtje e konceptim neorealist, ekzistencialist e universal, ky spektakël, nëpërmjet një ngjarjeje që merr shkas nga një fatkeqësi natyrore, uraganit Katrina në New Orleans, në fakt pa ndonjë intrigë të mprehtë dramatike, shpërfaqet kryesisht nëpërmjet meditimeve e zhbirimeve psikologjke të dy personazheve të mesëm nga çdo këndvështrim që, ndoshta, në “zgrip” të jetës së tyre, kanë forcën shpirtërore për ta kthyer tragjedinë e “ujit që vret” në një digresion reflektimi e komunikimi njerëzor që ekziston thellë zemrave të tyre prej krijesash të zakonshme, që jeta i ka lidhur në një aliazh të pandashëm. Humanizmi, dashuria, solidariteti, mirësia, dëlirësia, çiltërsia, humori, pse jo edhe çaste dramatike zhgënjimi, reflektimi dhe falje ndaj “mëkateve” të pashmangshme njerëzore, por, mbi gjithçka, pathosi i zjarrit shpirtëror, i shpresës për të mbijetuar mbeten virtyte njerëzore, por edhe të shprehura artistikisht si një trinom racional me shumë mjeshtëri e intuitë dramaturgjike, regjisoriale e aktrimi.
Për këtë dramë shumë të vlerësuar, në SHBA theksohet se ajo shfaqet si një dramë e madhe amerikane, ndoshta një nga dramat e para të mëdha të shekullit XXI.(Orange County Register)
Regjisori dhe skenografi Kumbaro, njëkohësisht, me shigjetën e harkut të tij artistik ka qëlluar në epiqendër të sfidave të tij krijuese, ku përveç suksesit të tij meriton, së bashku edhe me interpretuesit Kita e Bratko, një shprehje të lartë respekti, falenderimi e mirënjohjeje edhe nga opinioni artdashës korçar.