Shfaqja “Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervillëve” nis vitin artistik në “Metropol”

Teatri Metropol ka nisur këtë vit artistik me shfaqjen “Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervillëve” nga Ken Ludwig. Kjo vepër që po shfaqet në skenë për publikun është dhe produksioni më i fundit i Metropolit.

Me regji dhe përkthim nga Shkëlzen Berisha vepra sjell në skenë një kastë aktorësh të njohur. Rolet në vepër luhen nga Amri Hasanlliu, Ermir Hoxhaj, Klodjana Keco, Mirela Naska, Roerd Toçe, Rozi Kostani, Shkëlzen Berisha.

Langoi i Baskervillëve bashkon dy zhanre letrare popullore: përrallën gotike dhe trillin e letërsisë detektive, duke mbajtur kështu kureshtjen e publikut të ngacmuar nga suspanca për të lidhur fijet e ngjarjeve dhe shijuar në maksimum procesin e zbulimit.

I hyrë në legjendë si një prej krijesave më të jashtëzakonshme dhe jetëgjata të fantazisë letrare, Sherlok Holms ka një aftësi të mrekullueshme për observim dhe deduktim, është i ftohtë, logjik, i rezervuar por edhe i gatshëm për veprim. Pëlqen ta përcaktojë vetveten si një “tru, gjithë pjesa tjetër është një shtojcë”.

Datat e shfaqjes në vazhdim janë 24, 25, 26, 27, 31 janar dhe 1, 2, 3, 7, 8, 9, 10 shkurt, në teatrin Metropol. Pas kësaj shfaqje në vijim të këtij viti në skenë do të vijnë të tjera vepra teatrore për publikun./atsh/

SHKARKO APP