Shkolla Shqipe “Alba Life” një “littly” Albania në New York

Shkolla Shqipe “Alba Life” në shtetin e New Yorkut me krenari dhe sukses është futur në dekadën e dytë të rrugëtimit të saj patriotik, akademik e kulturor.

Nën drejtimit e themeluesit, Qemal Zylo e familjes së tij, punës së palodhur të mësuesve e dëshirës së nxënësve për të mësuar shqip, kjo shkollë është kthyer në një model krenarie e patriotizmi për shqiptarët në hapsirën mbarëshqiptare.

Misioni i shkollës shqipe “Alba Life” është zhvillimi dhe ruajtja e identitetit kombëtar përmes mësimit të gjuhës, kulturës së origjinës si dhe njohja me trashëgiminë dhe thesarin kulturor, natyror dhe historik kombëtar. Kjo shkollë sot pasuron dhe transmeton trashëgiminë, historinë, modelin e shëndoshë të ndershmërisë dhe dashurisë për atdheun e kombin shqiptar. Në këtë shkollë mësohet nga Abetarja deri të gjuha shqipe në nivel të avancuar. Nga rilindasit tonë të ndritur deri shkrimtarët shkrimtarët bashkëkohorë. Mësohet Fishta, Koliqi, Mjeda, Migjeni, Kadare, Agolli, Camaj, Pipa, Marko, Spase e shumë kolosë të kulturës e pasurisë kombëtare shqiptare. Në këtë shkollë trajtohen figura të jashtëzakonshme kombëtare që i tejkalojnë përmasat e një shteti apo një kombi si Skënderbeu, Nënë Tereza, Ismail Kadare etj. Në shkollën Alba Life trajtohen figura historike që kanë lënë gjurmë të pashtershme në historinë shtetformuese shqiptare që nga babai i pavarësisë Ismail Qemali, Mbreti Zog, Lef Nosi, Mid’hat Frashëri e deri te historia moderne e shtetit shqiptar.

Programet e shkollës shqipe Alba Life janë mbështetur në programet e pergatitura nga Ministria e Arsimit të Shqiperisë dhe Ministria e Arsimit të Kosovës. Shkolla shqipe Alba Life operon në lagjet Bruklin, Staten Island, Queens e Manhatan në New York. Mësimi në këtë shkollë është kthyer në një traditë të shkëlqyer mësimdhënie e nxënieje. Është një dëshmi e gjallë e shpirtit të shqiptarit që fisnikërisht rron në këtë vatër të ngrohtë gjuhe e atdhedashurisë. Kjo shkollë është një mesonjëtore e gjuhës shqipe. Kjo nuk është vetëm shkollë është frymë, është, simbol, është institucion atdhedashurie. Është e magjishme dëshira dhe kënaqësia e fëmijëve e prindërve shqiptar që të mbajnë lidhje të gjalla me atdheun, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe.

 

S.Paja

SHKARKO APP