Shpallet fituesi i çmimit “Kadare 2018”, Virgjil Muçi në vend të parë me “Piramida e shpirtrave”

Virgjil Muçi është fituesi i çmimit “Kadare 2018”, i cili jepet çdo vit nga Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës. Muçi u vlerësua me veprën në dorëshkrim “Piramida e shpirtrave” me motivacionin “Për mënyrën sesi ndërton përmes gjuhës rrugëtimin jetësor.

Një grotesk ndaj banalitetit, i cili kërkon të zbehë njerëzoren, të shenjtën, duke e zëvendësuar me përshtatjen e pafundme”. Virgjil Muçi u lind në Tiranë më 18 gusht 1956. Veprimtaria e tij letrare e artistike është tejet e gjerë dhe e larmishme.

Autor i mëse 10 librave që rrokin një krijimtari që zë fill me prozën e shkurtër e të gjatë, për të vijuar më pas me poezinë, kinematografinë dhe së fundi, edhe në lëmin e kritikës letrare.

Kontributi i tij është i ndjeshëm edhe në fushën e përkthimit me rreth 13 tituj nga gjuhë dhe autorë të ndryshëm, si: Sontag, Lindgren, Bukowski, Albahari, Kagan, Edgar, Rothschild, Dickens, Christie, Candito, Salleo etj.

Gjithashtu ai është aktiv edhe në shtypin e përditshëm e atë periodik me shkrime kryesisht nga fusha e kulturës.

Ndërkohë, vepra tjetër pretendente për çmim, që mori 2 nga 5 votat e jurisë në raundin e fundit, autobiografia e Vera Bekteshit “Një rrugë e gjatë pa krye” u vlerësua për narracionin përmes së cilës ndërton e përjetëson kujtesën për rrëfimin dhe refleksionin e jetes së vet si një dëshmi autentike e kujtesës njerëzore; për energjinë jetësore të kaluar nga një kohë në tjetrën me dinjitet dhe klas.

SHKARKO APP