Shqipëria në kinematografinë belge, modeli Kevin Kola rrëfen takimin me Peter Van den Begin
Nga Albina Gjergji
Kush e ka parë filmin “King of the Belgians”, duhet ta dijë që ky prodhim kinematografik belg përfshin edhe Shqipërinë. Madje në minutazhin më kulminant të filmit, kur ngjarjet marrin një kthesë sa të çuditshme, aq edhe komike, Shqipëria bëhet kryefjalë mes shteteve si Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, etj..
Me autorë dhe drejtorë filmi Peter Brosens dhe Jessica Woodworth, “King of the Belgians”, për protagonistë ka aktorët; Peter Van den Begin, Lucie Debay, Titus De Voogdt, etj..
Pikërisht emrin e parë në listën e aktorëve, pra atë të Peter Van den Begin ka patur fatin që mbrëmjen e djeshme ta takojë modeli shqiptar, Kevin Kola. Ai e ka ndarë këtë kujtim me miqtë e tij në Facebook dhe ndër të tjera ka rrëfyer detaje mbi bisedat e zhvilluara me të.
“Po është e vërtetë që mbrëmjen e kaluar pata mundësinë të takoj aktorin e njohur belg, Peter Van den Begin dhe ndër të tjera të zhvillonim biseda të gjata mbi filmin “King of the Belgians”, një film i cili përfshin edhe Shqipërinë”, shprehet për VOX ALBANIAE, Kevin Kola, i cili prej disa vitesh jeton në Belgjikë.
- Në foto: Peter Van den Begin (aktori që luan mbretin belg), Lucie Debay (aktore në film) Madina Hamidi – shkrimtare, psikologe dhe mikeshë.
Por, për çfarë bën fjalë konkretisht filmi, cili është misioni i Peter Van den Begin në “King of the Belgians” dhe çfarë e lidh atë me Shqipërinë?
Nën mantelin e mbretit belg, King Nicolas III i duhet të udhëtojë përtej mbretërisë së tij. Gjatë vizitës në Turqi mbi negociata për ta përfshirë Turqinë në Bashkimin Europian mëson se Belgjika po rrënohet, pasi pjesa franceze ka shpallur pavarësinë nga pjesa flamane dhe i duhet të kthehet në mënyrë urgjente në Belgjikë.
Por, pikërisht këtu filmi merr një kthesë të çuditshme. Gjatë kërkesës së tij për të fluturuar me avion mëson se të gjitha fluturimet janë anuluar si pasojë e një stuhie diellore dhe kështu atij i ndalohet largimi zyrtar nga Turqia.
Së bashku me kameramanin dhe stafin e tij ata vendosin të marshojnë në rrugë tokësore përgjatë Ballkanit, duke shkelur çdo protokoll zyrtar dhe duke u arratisur si të munden.
Shkojnë në Bullgari, më pas në Serbi, Mal të Zi, ku marrin një varkë me të cilën mendojnë se do arrijnë kufirin italian, por që në fakt përfundojnë në Shqipëri, ku edhe arrestohen si klandestinë. Kjo komedi përfshin shumë stereotipe dhe klishé shqiptare e ballkanase.
Modeli shqiptar, Kevin Kola gjatë bisedës me artistët i ka pyetur drejtpërdrejtë ata për idenë e përfshirjes së Shqipërisë në film, nga ku edhe ka marrë një përgjigje të detajuar mbi mendimin e tyre për vendin tonë.
“Ne dimë çdo vuajtje dhe peripeci të popujve tuaj dhe se, sa e vështirë është jeta për shumicën prej jush. Ky film vë mbretin belg në pozitat e një refugjati për të treguar që askush nuk bën përjashtim ndaj vuajtjeve në momente të caktuara të jetës. Siç thuhet edhe në film, është e admirueshme modestia dhe lumturia që ju karakterizon, pavarësisht se nuk jeni në pozitat më të favorshme politike, apo me mentalitetin më ideal”, ka theksuar protagonist i filmit.
“King of the Belgians”, ka bërë xhiron e 90 shteteve. Ka pasur premiera në 65 prej tyre dhe është nominuar për 10 çmime akademike.
/Burimi: VOX ALBANIAE/