“Shqipëria ofron prej vitesh një sistem fiskal i cili i jep përparësi produksionit”

Silhouette of working people or production film crew are making movie or shooting tv on-line content live show in studio with camera equipment set.

Flet Eol Çashku, kreu i QKK

Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK), Eol Çashku, diskuton mënyrat kryesore të mbështetjes së prodhimit të filmit në Shqipëri dhe sfidat me të cilat përballet industria e filmit.

Ai thekson rëndësinë e një sistemi të mirorganizuar të financimit dhe përzgjedhjes së projekteve për të garantuar cilësinë dhe suksesin e kinematografisë shqiptare.

Gjithashtu, intervista përfshin nismat për mbështetjen e talenteve të reja dhe mundësitë për të promovuar Shqipërinë si një destinacion tërheqës për xhirime ndërkombëtare.

Cilat janë disa nga mënyrat kryesore me të cilat Qendra Kombëtare e Kinematografisë mbështet prodhimin e filmit në Shqipëri?

Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) mbështet financiarisht krijimtarinë kinematografike dhe audiovizuale dhe produksionin (preferoj termin produksion që lidhet me produktin, pasi prodhimi është një term më sasior), si pjesë përbërëse të kësaj krijimtarie.

Në QKK funksionojnë Këshilla Miratues të Projekteve (KMP) dhe Komisione, anëtarët e të cilave zgjidhen nga shoqatat e kineastëve të njohura nga QKK dhe emërohen në detyrë nga Kryetari i saj.

KMP-të vlerësojnë dhe përzgjedhin projekte të paraqitura nga shtëpitë filmike të njohura nga QKK, në të gjitha llojet dhe gjinitë e kinematografisë dhe audiovizualit.

Përzgjedhja bëhet në dy mënyra. Përzgjedhje automatike, për projekte nga autorë dhe produksione të konfirmuara e me përvojë, të cilat kalojnë për vlerësim në KMP dhe projekte nga autorë dhe produksione me më pak përvojë, të cilat filtrohen dhe përzgjidhen anonimisht nga Komisioni Përzgjedhës i Leximit (KPL).

Projektet e përzgjedhura nga KPL, më pas kalojnë për vlerësim në KMP-të përkatëse.

Aktualisht në QKK funksionojnë KMP e Projekteve të Filmit artistik, KMP e Projekteve të filmit dokumentar, të animuar dhe projekte të ndryshme Kinematografike, si dhe Komisioni Përzgjedhës i Leximit. Producentët aplikojnë me Projekte për filma artistikë me metrazh të gjatë,

Projekte për filma artistikë me metrazh të gjatë vepër e parë dhe e dytë, Projekte për filma artistikë me metrazh të shkurtër, Projekte për filma dokumentarë, Projekte për filma të animuar,

Projekte për postproduksion dhe distribucion, Projekte për vepra audiovizuale, si dhe Projekte për koproduksion në pakicë (minority coproduction).

Si ndihmon Qendra në promovimin e filmave shqiptarë në arenën ndërkombëtare?

QKK, gjithashtu, mbështet financiarisht edhe projekte për promovimin e kinematografisë shqiptare jashtë dhe brenda vendit ku përfshihen, projekte për distribuimin, difuzimin, promovimin jashtë dhe brenda vendit të filmave që administrohen apo janë mbështetur financiarisht nga QKK, projekte për pjesëmarrje në festivale dhe tregje filmi (kombëtare apo ndërkombëtare), projekte për organizimin e pavijoneve promovuese në festivale ndërkombëtare të filmit, por edhe projekteve të ndryshme kinematografike ku përfshihen, projekte për ditë, javë dhe festivale filmi (kombëtare dhe ndërkombëtare), projekte kinematografike për kualifikimin, specializimin, përgatitjen dhe trajnimin në vazhdim të kineastëve shqiptarë (konferenca, seminare, punëtori dhe aktivitete të tjera kinematografike), si dhe projekte të ndryshme Kinematografike për botime dhe përkthime librash kinematografikë, apo ngjarje të ndryshme për nder të kineastëve të shquar shqiptarë.

Cilat janë disa nga sfidat kryesore me të cilat përballet industria e filmit në Shqipëri dhe si i adreson Qendra ato?

Sfida kryesore mbetet në vazhdim mirëkuptimi dhe zbatimi i arsenalit ligjor në fuqi mbi kinematografinë dhe audiovizualin, me theks të veçantë në të drejtat e autorit dhe administrimin ekonomik të veprave kinematografike dhe audiovizuale dhe shpërblimet që rrjedhin nga shfrytëzimi i këtyre veprave.

Ky problem është për produksionet para dhe pas vitit 1990. Televizionet publike dhe private apo dhe platforma me pagesë, blejnë filma me një të drejtë difuzimi (transmetimi) dhe një ridifuzim në një kanal që administrojnë, kundrejt një pagese prej 6 mijë lekësh për film (pavarësisht cilësisë dhe vlerave të secilit film) dhe i ridifuzojnë pa limit në dëm të kineastëve, por edhe të interesave ekonomike të producentëve dhe interesave financiare dhe të shtetit.

Gjithashtu, disa OJF që duhet të mbrojnë të drejtat pronësore të autorëve dhe të drejtat ekonomike të producentëve dhe disa institucione shtetërore, i kanë njohur vetes të drejtën që nën pretekstin e promovimit të kinematografisë shqiptare (ligji nuk ua njeh këtë të drejtë), të qarkullojnë e shfaqin në publik, por edhe në YouTube filma shqiptarë, duke i sjellë një dëm të konsiderueshëm vetë produktit kinematografik, përmes banalizimit të qasjes në këto produkte.

Një tjetër sfidë mbetet moszbatimi i kuadrit ligjor, i cili ndoshta vjen nga moskuptimi i tij, si për shembull, moslejimi i mbartjes së buxhetit nga një vit në tjetrin i cili, megjithëse është në ligjin për kinematografinë, nuk ka gjetur zbatim që prej miratimit të tij dhe themelimit të QKK-së në vitin e largët 1997, duke pasur ndikim negativ mbi cilësinë e produkteve të financuara nga QKK ndër vite.

Një tjetër sfidë mbetet mbyllja apo tjetërsimi i destinacionit të sallave të kinemave në të gjithë territorin e vendit, në shkelje të ligjit për kinematografinë.

Aktualisht QKK, në koordinim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe bazuar në përvojat dhe praktikat më të mira europiane, po përpiqet që të ngrejë në një tjetër nivel, bashkëpunimin dhe bashkëveprimin me Ministrinë e Financave dhe me të tjera institucione shtetërore vendase dhe të huaja, për të rritur cilësinë e zbatimit të ligjeve në fuqi, si mënyra e duhur dhe e vetme për të rritur edhe buxhetin në dispozicion të mbështetjes së krijimtarisë kinematografike dhe audiovizuale por, edhe ekonominë e zanateve specifike të kësaj fushe të veçantë e me rëndësi kombëtare.

Po rishohim edhe politikat fiskale dhe ato të sponsorizimeve për kinematografinë dhe audiovizualin, sikurse po shohim mundësitë organizative për krijimin e një rrjeti zyrash lokale në nivel të pushtetit vendor në mbarë vendin në mbështetje logjistike, materiale dhe financiare, si mundësi promovimi ekonomik e turistik të vendit.

A mund të na flisni për disa nga projektet më të fundit ose më të rëndësishme që janë mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë?

Unë jam emëruar në detyrën e Kryetarit të QKK-së, para 4 muajsh dhe kam gjetur një situatë kolapsi thuajse të plotë. Që prej vitit 2021, nuk është financuar asnjë projekt filmi me metrazh të gjatë e për pasojë, deri në fund të vitit 2025, nuk do të kemi asnjë premierë.

Ka shumë projekte të cilat janë financuar në vitin 2018-2019 të cilat nuk janë dorëzuar ende, nën pretekstin e rremë të problemeve të ndikimit të premierës kombëtare në vendin e origjinës me atë ndërkombëtare në festivale të kategorisë A.

Asnjë Këshill apo Komision nuk funksiononte kur mora detyrën në mars 2024. Përparësi të këtyre muajve të parë në detyrë kisha hartimin dhe futjen në fuqi të rregulloreve, me qëllim zhbllokimin e sistemit të financimeve në mbështetje të krijimtarisë.

Në fillim të qershorit, në bashkëpunim me shoqatat e kineastëve krijuam KMP-të dhe KPL-në, me anëtarë kineastë shqiptarë nga Shqipëria dhe rajoni, duke i dhënë përparësi vlerësimit dhe miratimit të projekteve të festivaleve të filmit, duke pasur parasysh se një pjesë e mirë e tyre mbahen gjatë muajve të verës.

Së shpejti, pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të shpërblimeve dhe numrit të mbledhjeve të Këshillave dhe Komisioneve, do të hapim thirrjet për të gjitha llojet e projekteve kinematografike dhe audiovizuale.

Si zgjidhen projektet që do të financohen nga Qendra dhe cilat janë kriteret kryesore për përzgjedhjen e tyre?

Për mënyrën e përzgjedhjes së projekteve jam shprehur në përgjigjet e mia më lart. Lidhur me kriteret, së pari më lejoni t’ju jap një informacion statistikor.

Që prej miratimit të ligjit dhe themelimit të QKK-së në vitin 1997, kjo e fundit ka financuar më shumë se 400 projekte kinematografike, me një total të përafërt me 27 milionë euro (përfshi dhe financime nga Eurimages dhe struktura të tjera financimi ndërkombëtare).

Sa për referencë, Kinostudio “Shqipëria e re” që prej vitit 1952 deri në vitin 1990, ka prodhuar afërsisht 300 filma.

Problemi i madh në këto vite ka qenë financimi pa kriter sigurie në cilësi apo sigurie financiare. Janë financuar ndër vite autorë dhe produksione dështim pas dështimi.

Ishte krijuar përshtypja e gabuar se kushdo, nisur vetëm nga dëshira apo vetëvlerësimi mund të vetëdeklarohej kineast e të përfitonte financim publik.

Në njëfarë mënyre, janë financuar eksperimente që kanë rezultuar në masë të madhe produkte, të cilat nuk qarkullojnë e nuk shfaqen, kryesisht për shkak të cilësisë të dobët.

QKK, nën shembullin dhe ekspertizën e partnerëve publikë ndërkombëtarë të saj, falë rregulloreve të reja që kanë hyrë tashmë në fuqi që prej fundit të majit, do të mundet të punojë për uljen e rrezikut të dështimit dhe rritjen e cilësisë së projekteve që financon, duke vlerësuar e duke marrë në konsideratë përvojën e domosdoshme të krijuesve dhe producentëve që përfitojnë financimin me fonde publike si e vetmja garanci e suksesit dhe rritjes së cilësisë.

Cilat janë disa nga nismat që Qendra ka ndërmarrë për të mbështetur talentet e reja në kinematografi?

Siç ju thashë më lart, duke qenë në një sektor të veçantë ku nevojiten burime njerëzore me aftësi, dije e përvoja specifike, QKK parashikon të përfshijë të rinjtë e sapoformuar në sistemin e edukimit kinematografik dhe audiovizual, pra kineastët aspirantë, në stazhe, praktika dhe në rolin e asistentit në produksione të filmave që financon.

Në këtë sektor, dëshira apo pasioni nuk mjaftojnë pa dijet dhe përvojën e domosdoshme praktike.

Siç mund ta dini, të gjithë njerëzit mund të kenë dëshirë të bëhen muzikantë apo artistë figurativë, por vetëm një përqindje jo e madhe e popullatës botërore ka vesh për muzikë apo është e aftë të riprodhojë përmes dorës atë që percepton përmes retinës së syrit e përmes imagjinatës mendore.

Më pas, me gjithë talentin e lindur, duhen vite të tëra studime e përvoja praktike e konkrete për të mbërritur në majë. Siç thonë anglo-saksonët,

“it’s a long way to the top if you wanna rock ’n’ roll” (gurë-gurë bëhet mur). Pas viteve 1990, në Shqipëri, por edhe në vendet e rajonit, fatkeqësisht është krijuar përshtypja, për mendimin tim krejt e gabuar, se talenti dhe përvoja janë gjërat që vlejnë më pak.

Kineastët më të mëdhenj shqiptarë u formuan gjatë viteve të diktaturës në shkollat e filmit më të mira të Europës Lindore.

Në përfundim të studimeve dhe me kthimin e tyre në atdhe, punuan si praktikantë dhe asistentë më krijues me më shumë përvojë, më pas xhironin filmin e parë në bashkautorësi me një regjisor me më shumë përvojë e më pas u lindte e drejta për të realizuar një film vetë, por duke pasur të gjithë repartet e tjerë të ekipit me përvoja mbi 10-vjeçare.

Kështu ndodh dhe sot e kësaj dite, në vendet perëndimore, me sistem të zhvilluar kinematografik dhe audiovizual. Pra, pas studimeve, janë të domosdoshme përvojat, po aq sa në fushën e mjekësisë apo mbrojtjes.

Deri para pak kohësh, QKK njihte më shumë se 100 shtëpi kinematografike. Vende europiane me popullatë, buxhete e sistem shumë më të zhvilluar audiovizual, kanë më pak se gjysma e kësaj shifre.

Gjithashtu, mosha, gjinia, etnia etj., nuk mund të përbëjnë faktorë diskriminimi pozitiv në një sektor ku vlen talenti dhe përvoja si garanci suksesi.

Përveç populizmit retorik, diskriminimi i këtillë do të ishte një vazhdimësi e mentalitetit të shkuar me luftë klasash e brezash.

Strategjia jonë e zhvillimit duhet të mbështetet pikërisht mbi të kundërtën. Sidomos mbi raportin etik e deontologjik dhe fuzionin e dijeve dhe energjive ndërgjeneracionale, në sektorët e veçantë të zanateve të lidhura me artin dhe kulturën.

A ka shanse reale që vendi ynë të shndërrohet në sheshxhirim për të huajt? Si mund të nxitet?

Vendi ynë ka një arsenal të plotë dhe cilësor ligjor për kinematografinë dhe audiovizualin.

Përveç Ligjit për Kinematografinë, kemi në fuqi Konventën Europiane të Koproduksioneve Kinematografike dhe Audiovizuale, Komunikatat e Komisionit Europian të detyrueshme për zbatim nga vendet anëtare dhe ato kandidate, Ligjin për të Drejtën e Autorit dhe të drejtat e lidhura dhe Konventën e Bernës, por edhe Kodin Fiskal. Shqipëria ofron prej vitesh një sistem fiskal, i cili i jep përparësi produksionit.

Është folur ndër vite për mungesën e audiovizualit në ligje, megjithëse rezulton se, kuadri ligjor i lartpërmendur është i plotë.

Është folur gjithashtu për sisteme tax rebate apo tax refund ndërkohë që në vendin tonë prej vitesh, shtëpitë kinematografike e kanë zero tatimin mbi fitimin, pasi janë të përjashtuara me Kodin Fiskal. Po kështu, për aktivitetet kulturore të gjithë operatorët janë të përjashtuar nga TVSH.

Njëkohësisht kinematografia dhe audiovizuali janë të përjashtuar nga detyrimi i prokurimit publik në përzgjedhjen e krijuesve, interpretëve dhe ekzekutuesve të ekipit teknik.

Gjithashtu, në zbatim të Konventës Europiane të Koproduksioneve, statuti i QKK-së lejon financimin e produksioneve të huaja që vijnë të xhirohen në vendin tonë përmes koproduksioneve në pakicë (minority coproductions) me shtëpitë filmike shqiptare dhe me kusht shpenzimin e fondit publik shqiptar në Shqipëri.

Të gjitha këto përparësi fiskale e ekonomike, plus oferta e pasur me shumëllojshmëri vendesh të mundshme xhirimi, kanë bërë që prej vitesh tashmë, Shqipëria të jetë në hartën e vendeve të favorshme për produksionet kinematografike dhe audiovizuale.

Thënë këtë, shkatërrimi i thuajse të gjithë infrastrukturës teknike dhe njerëzore të Kinostudios në përfitim të disa televizioneve (rast unik në kontinentin europian duke pasur parasysh se këto infrastruktura, kudo tjetër, u kanë mbijetuar të gjitha regjimeve dhe doktrinave politike të shekullit të kaluar, shiko CineCita në Romë, Buftea në Bukuresht, Barandov në Pragë, Bojana në Sofje e shumë të tjera) e ka varfëruar dhe reduktuar në minimum, ofertën shqiptare për këtë treg të rëndësishëm për ekonominë dhe kulturën tonë kombëtare.

Askush nuk mbajti përgjegjësi ligjore, morale apo politike ndër vite.

Ndaj, me mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe partnerëve publikë ndërkombëtarë, po mundësojmë grupimin e aseteve publike që i kanë mbijetuar të ashtuquajturit tranzicion, në polin kinematografik të kryeqytetit tonë në Kinostudio, duke i rikthyer këto asete në shërbim të kinematografisë, pra duke i kthyer në identitet.

Tashmë, jo si Kinostudio “Shqipëria e Re” e kohëve të shkuara, as si Kinostudio “Shqipëria e Vjetër” e kineastit dhe studiuesit tonë të madh Dr. Gëzim Qendro, por si një KinoPark në vendin dhe tokën ku ka mbi 80 vjet që mendohet e punohet për film, e ku ndërthuret tradita me të tashmen dhe të ardhmen, e gjitha në shërbim të produksioneve vendase e të huaja me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm të kinematografisë dhe audiovizualit shqiptar.

Monitor

SHKARKO APP