Shqiptarja Nikol Çabeli shndërron në një arenë magjike skenën e stadiumit “Caja Magica” në Madrid të Spanjës
Nikol Çabeli është përfaqësuesja e Shqipërisë në Junior Eurovision 2024, që do të mbahet në Madrid, Spanjë, më 16 nëntor. Ajo fitoi garën kombëtare “Junior Fest 2024” me këngën e saj “Vallëzoj”, e cila trajton dashurinë për natyrën dhe kujdesin ndaj mjedisit. Tekstet dhe muzika e këngës janë krijuar nga Eriona Rushiti dhe Endri Muçaj, dy emra të njohur në muzikën shqiptare.
Skena në stadiumin “Caja Magica” në Madrid të Spanjës, u shndërrua në një arenë magjike për talentet e rinj të Europës, dhe një nga yjet që u ngjit është edhe 12-vjeçarja shqiptare, Nikol Çabeli.
Në skenën e madhe në Madrid, ku performoi me këngën e saj “Vallëzoj”, Nikol përcolli mesazhin e fuqishëm të dashurisë ndaj natyrës dhe harmoninë e jetës.
Kryeministri Edi Rama ndau momente nga performanca e saj në “Eurovision Junior 2024”.
“Shkëlqen në skenën ndërkombëtare Shqipëria”, u shpreh Rama.
Nikol Çalebi performoi e treta, duke mbajtur kodin e votimit 03.
Këtë vit “Junior Eurovision 2024” po zhvillohet në stadiumin “Caja Magica” në Madrid të Spanjës, ku 17 të rinj të talentuar ndezin skenën me performancat dhe zërin e tyre.
Nikol, e lindur në Janinë dhe banore aktuale e Gjirokastrës, ka një histori të pasur në muzikë dhe art. Ajo ka marrë pjesë në disa gara të rëndësishme dhe është e talentuar në piano dhe bateri. Përveç këngës, ajo ka një pasion të veçantë për natyrën, siç pasqyrohet edhe në tekstin e këngës së saj. Kjo pjesëmarrje përkon edhe me temën e sivjetme të Junior Eurovision, “Let’s Bloom”, që promovon rritjen dhe lidhjen me natyrën
Performanca e Nikolës premton të jetë një ndërthurje e fuqishme e artit dhe mesazhit për mbrojtjen e planetit. Kënga mund të dëgjohet në platformën zyrtare të Junior Eurovision 2024.
Albert Vataj
https://junioreurovision.tv/participant/nikol-cabeli-2024