Shtatë poezi apo poema e parë shqipe për shtatë mëkate mortare të Gjon Buzukut

Nga: Anton Nikë Berisha

– Pjesë nga studimi monografik “Gjon Buzuku poeti ynë i parë”. Pellegrini Editore, Cosensa 2016. –

Duke lexuar veprën “Meshari” të hartuar nga Gjon Buzuku [1], përveç katër Psalmeve origjinale, tashmë të përmendura e të analizuara në pjesën e dytë të studimit, kam veçuar edhe këto dhjetë tekste që duhet të jenë hartuar nga ai ose janë përshtatje të lira të tij.

Teksti i botuar në fletën trembëdhjetë (13), që është fleta e parë e ruajtur e kopjes së vetme të gjetur deri më sot të “Mesharit”, është një psalm kushtuar paqes shpirtërore, një nga dukuritë më të qenësishme të besimit e të njësimit me dashurinë e Hyjit. Të gjitha gjasat janë që edhe në faqet e tjera të fillimit (që mungojnë) të “Mesharit” të Buzukut, duhet të ketë pasur tekste të hartuara nga ai.

Këto dhjetë tekstet afrohen me shumë përbërës me katër tekstet e emëruara nga Buzuku si psalme, për arsye se mënyra e perceptimit dhe e të shprehurit në to është e ngjashme ose e njëjtë. Buzuku e përqendron vëmendjen tek tërësia e tekstit dhe e mesazhit që del prej tij e më pak te simbolika dhe metaforika e fjalëve ose e shprehjeve të veçanta që ai përdor.

Në këto dhjetë tekste vërehet një shqipe e përpunuar dhe e lartësuar; ndërlidhje e kujdesshme e pjesëve që bëjnë tërësinë, po dhe e vetë qëllimi të hartimit të tekstit përkatës.

Përveç teksteve: “E paqnë tand neve na ep ņdë jetë tanë” dhe “Gjithë popullinë e kërshtenë ņdë Arbanīt” në tetë tekstet e tjera shqiptohen kryesisht çështje të mëkatit si armiku kryesor i përshpirtshmërisë dhe i njësimit me Hyjin e me mbretërinë e Tij. Kjo gjë bie në sy sidomos në tekstet që u kushtohen shtatë mëkateve, që bëjnë shtatë poezi apo një poemë kushtuar mëkateve përkatëse dhe pasojave që rrjedhin prej tyre.

Në këto dhjetë tekste rrëfimi i Buzukut është herë i qetë e herë dramatik, ose këto dy forma gërshetohen midis tyre, varësisht nga mënyra që autori i qaset dhe e shpreh dukurinë që lidhet me besimin në Hyjin dhe me nderimin e urdhrave të Tij. Ato dëshmojnë për forma të ndryshme të të shprehurit. Dallohet sidomos përsëritjet që kanë funksion të caktuar, pra janë të menduara nga autori, siç është vepruar edhe në tekstet e katër pslameve të hartuara nga ai.

Në vijim po ndalem më përafërt në pshtatë tekstet apo poemën e parë në gjuhën tonë për të ndriçuar veçantinë dhe rëndësinë e tyre, qoftë në rrafshin biblik liturgjik, qoftë në atë shprehës poetik.

Tekstet po i jap në dy forma:

1) Në formën që i botoi vetë Buzuku në “Mesharin” e tij, pra tekstet e botuara në formën e tekstit në prozë, dhe

b) Në formën e vargjeve, e cila është e ngjashme me atë të Psalmeve të BV, siç kam vepruar edhe me katër psalmet – poezitë e Buzukut, të analizuar në pjesën e dytë të studimit.

Kur analizohen me vëmendje shtatë tekstet për shtatë mëkatet mortare të botuara në fletët 65-69 të “Mesharit” të Gjon Buzukut, veçmas mënyra shtjelluese dhe shprehëse poetike e tyre, atëherë mund të thuhet se Buzuku është poeti ynë i parë që botoi poemën e parë në gjuhën tonë, që e njohim deri më sot. Në të vërtetë, këto shtatë poezi, e përforcojnë dhe e lartësojnë edhe më tej figurën e Buzukut si poetin tonë që i botoi tekstet e veta.

Këto shtatë tekste të hartuara ose të përshtatura në mënyrë krejt të lirë nga Buzuku mund të merren e të vështrohen në dy mënyra kryesore:

1) Si shtatë poezi më vete, që u kushtohen shtatë mëkateve konkrete, dhe

2) Si shtatë poezi që përbëjnë një tërësi, që bëjnë një poemë prej 128 vargjesh.

Në cilën do mënyrë që t’i marrin dhe t’i vështrojnë këto shtatë tekste: si krijesa më vete, ose si krijesa që bëjnë një tërësi më të madhe shprehëse poetike, një poemë, ato dëshmojnë për një qasje të mëvetësishme të dukurisë së mëkatit e të degëzimit të tij në jetën e përditshme, për një gjuhë të sigurt, të zgjedhur dhe të ngritur që ka përdorur autori ynë.

Falë pikërisht shtjellimit të teksteve, të sistemit shprehës poetik të përdorur dhe të gjallërisë së komunikimit edhe me lexuesin e sotëm që ato mund të nxitin, përligjin një rrafsh të ngritur të poezisë sonë të botuar më 1555.

Në qoftë se këto shtatë tekste i vështrojmë në rrafshin e parë – si tekste të mëvetësishme, si shtatë poezi, që bëjnë objekt trajtimi shtatë mëkatet dhe pasojat e tyre për jetën e njeriut, mund të thuhet se këto janë poezitë e para të shkruara në gjuhën tonë me vargun e lirë që kanë një objekt poetik të njëjtë dhe që dëshmojnë vlerën e tyre edhe në ditët tona. Poezitë, dashur e padashur, të kujtojnë grupet e Psalmeve të BV, siç janë shtatë psalmet e pendesës (6, 32, 38, 51, 102, 130, 143), pastaj psalmet e diturisë, psalmet e lavdërimit, psalmet personale etj.

Secila prej këtyre shtatë poezive ose pjesëve të poemës vëzhgon një mëkat më vete dhe shqipton aspekte të veçanta të tij si dhe pasojat që ai mund të ketë në jetën e përshpirtshme të besimtarit, kur zë të lëkundet ose të shmanget nga rruga e drejtë e Hyjit dhe dashurisë së Tij.

Në qoftë se këto shtatë tekste i vështrojmë: si krijime që bëjnë një tërësi më vete, një poemë, që njësohen jo vetëm për objektin e vështruar e të shqiptuar, po para së gjithash për shtjellimin, për sistemin shprehës dhe për gjuhën që përdoret në to, për figuracionin, për ndërlidhjen midis tyre në rrafshe e në përbërës të ndryshëm, atëherë vlera e tyre bëhet edhe më e madhe – një krijesë e menduar dhe e konceptuar në shtatë pjesë, shtatë tablo shprehëse poetike, që si qëllim kryesor ka njohjen me mëkatet dhe me pasojat e tyre në jetën e njeriut.

Në krye të këtyre shtatë teksteve kushtuar shtatë mëkateve, që po i jap në vijim, Buzuku ka vënë këtë tekst: “Këtu ụ sosnë të dhjetë ordhënatë qi ņ Sinëzot janë ordhënuom na ato me mbajtunë. Shtatë kate mortare tash vinjën me ụ promendunë” (përmendun).

E AJ QI DO ME Ụ BUKURUOM

I pari kat mortār
anshtë superbja qi madhështonetë nịerī,
e aj qi do me ụ bukuruom.
Kush madhështonetë ņ së vobegut
e ņ së vorfënīt,
e nukë flet me shojt, as me fqinjët,
as nukë ecën me një shoq,
përse shoqi nukë kā,
e kā si dhunë me të me ecunë.
E kush do me ụ bām mā i bukurë
se nukë e kā bām Zotynë.
E kush nukë le me shkuom
fjala e njaj plaku për të dërejtë ņdaj të,
kinëse aj kā e aj s kā.
E aj qi lypën lavd;
e aj qi do me klenë vutë ņ krye tryesësë.
E aj qi këqyretë ņdë pasëqyrë.
E aj si për plak as për mā të mirë nịerī
se anshtë vetë s kā qyrë.
E kush ṃbë këtë mëndyrë fëjen,
aj fëjen ņdë të parët kat motrār [2].

POR E KĀ TË MJERËNË SHPIRT ŅDË FYT

I dyti kat mortār
ký anshtë mënia qi nịerī
nukë mundë shufrenjë as një grimësë,
por e kā të mjerënë shpirt ņdë fyt.
Aty s kā qyrë qish aj flet,
e flet sā çudi e dhunī
i vinjënë ņdë mend aqë i thotë.
E aty në ditëtë
kun një kshill të njëj shoqi,
aj pr atë mënī atī ja qet jashtë;
aj për mënī ņvret,
aj kujton keq, aj qish mundë,
por keq se nukë mundën mā,
prashtu aj nukë kursene.
E për shumë mot aj në ụ mëniftë,
aj mā me shoq s’foli as nukë pajtoi.
E këtu kush të fëjen,
fëjen ņdë të dytët kat mortar [3].

MĀ MIRË DESH ME FOLË DHUNĪ

I treti kat mortār,
ký anshtë tue prituom nịerī
ņdë arësye të shpirtit,
as ņdonjë të mirë aj nukë bani,
mos ṃbë meshë, mos kryq,
mos me ņdigluom Ungjillë shenjtë,
mos me ụ rëfyem,
mos me ụ kunguom ṃbë herë;
mos për shpirtit të parëvet bani mirë,
mos për shpirtit t atyne
qi atī mirë kanë bām.
Mā mirë desh me ņdenjunë
se Pater noster e Ave Mërī me thanë.
Mā mirë desh me folë dhunī
se me lutunë Tenëzonë;
e aj bije ņdë këtë kat,
qi parë se punënë e shpirtit
sheh punënë e kësaj jete.
E kështu kush fëjen ṃbë këtë mëndyrë,
fëjen ņdë të tretët kat mortar [4].

KUR ATA PATNË KEQ, TI U GËZOVE

I katërti kat mortār
anshtë kȳ qi i thomi na envidheja.
E këtu fëjen nịerī, kur shoqnë e fqinjënë
nukë e do nịerī porsi vetëvetëhenë.
Aj qi bān mënī,
aj qi kujtoi keq shoqit e fqinjësë;
kur shoqi kā mirë,
atī i ņdotë keq;
e atī mirë, nukë i ņdotë mirë;
mos për shëndet, mos për të mirët,
mos për gazëmend, mos për të pasunit.
Kur ata patnë keq, ti u gëzove.
Kur ata patnë mort, ti nuk i anëkove.
Kur ata klenë sëmutë,
ti nukë i vizitove,
e mā të pëlqyem pate
kur gjegje keq për ta se mirë.
E kush ṃbë këtë mëndyrë fëjen,
aj fëjen ņdë të katërt kat motrār [5].

E PARË LIJ SHPIRTINË ME I VOTË KEQ

I pesti kat mortār ký anshtë:
Kush anshtë i shtrenjtë,
e mā do me pasunë
ār e vistār e gjā ṃbë këtë jetë
se jetënë e amëshuome.
E parë lij shpirtinë me i votë keq
se me dhanë një bagëtī për shpirtit të tī.
E atī qi anshtë eçim e unëtë
parë e lij me ju kalbunë copa bukë
se me e dhanë atī qi kā nevojë.
Mirë se ata qish të kalbetë
përzanë nukë anshtë,
në mos dafsh kapshatënë ņ gojet sote.
E shumë të mirë ṃbë këtë shekullë
mundë banje, e nukë ban:
E ṃbë këtë mëndyrë kush fëjen,
aj fëjen ņde e pesët kat mortar [6].

AJ TUE KLENË GINË POR HA

I gjashti kat mortār
kȳ anshtë kur ha nịerī e pi tepërë,
e i ban keq. E këtī kati fëjen aj
qi kurajtë kụatro temporatë nukëņgjënon,
këreshmëtë nukë ņgjënon,
vëngjillë qi ordhënuom anshtë nukë ņgjënon;
gjashtë herë në i piqē me ņgranë, haj;
mbassi kā drekunë, e të i vin përapë ū,
aj tue klenë ginë por ha;
aj kā pītë e ņgranë,
e për lakëmī të fytit djerie mos i viell,
aj me ata të ginë nukë kondend.
E ký tue fëjyem ṃbë këtë mëndyrë,
fëjyem kā ņdë e gjashtë kat mortar [7].

TUE KUJTUOM, TUE Ụ AMBËLTUOM

I shtati kat mortār kȳ anshtë:
Tue kujtuom për kat
porsi njani burë o jetëra gruo,
qi kurajtë të ginë nukë di;
po e kā mallëkuom Zotynë,
e kurajtë me njëqind vetë
ajo me ņfjetunë një natë,
ajo si të mos kish fjetunë as me një burë.
E ashtu edhe shumë bura janë.
E këtu mundë fëjenjë nịerī
tue kujtuom, tue ụ ambëltuom
ņd ata të kujtuom ņdë mend të tī;
e kur ata të kujtuom
nukë desh me e bduom ņ vetëhej,
tue bām kun tjetërë punë.
E aj qi kā të vednë,
epur bie ņdë kat me tjetërë;
ashtu edhe gruoja në fëjeftë,
fëjen ņde e shtatët kat motrār [8].

[1] Shin më gjerësisht për këttë në stuimi tim monografik “Meshari – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku”. Studim. Con una sintesi in italiano. “Fondazione Universitaria “Francesco Solano” & Comet Editore Press. Cosenza 2014. Botimi i dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2014.

[2] “I pari kat mortār anshtë superbja qi madhështonetë nịerī, e aj qi do me ụ bukuruom. Kush madhështonetëņ së vobegut e ņ së vorfënīt, e nukë flet me shojt, as me fqinjët, as nukë ecën me një shoq, përse shoqi nukë kā, e kā si dhunë me të me ecunë. E kush do me ụ bām mā i bukurë se nukë e kā bām Zotynë. E kush nukë le me shkuom fjala e njaj plaku për të dërejtëņdaj të, kinëse aj kā e aj s kā. E aj qi lypën lavd; e aj qi do me klenë vutëņ krye tryesësë. E aj qi këqyretëņdë pasëqyrë. E aj si për plak as për mā të mirë nịerī se anshtë vetë s kā qyrë. E kush ṃbë këtë mëndyrë fëjen, aj fëjen ņdë të parët kat motrār”.

[3] “I dyti kat mortār kȳ anshtë mënia qi nịerī nukë mundë shufrenjë as një grimësë, por e kā të mjerënë shpirt ņdë fyt. Aty s kā qyrë qish aj flet, e flet sā çudi e dhunī i vinjënë ņdë mend aqë i thotë. E aty në ditëtë kun një kshill të njëj shoqi, aj pr atë mënī atī ja qet jashtë; aj për mënī ņvret, aj kujton keq, aj qish mundë, por keq se nukë mundën mā, prashtu aj nukë kursene.E për shumë mot aj në ụ mëniftë, aj mā me shoq s’foli as nukë pajtoi. E këtu kush të fëjen, fëjen ņdë të dytët kat mortār”. Shih E. Çabeji, “Meshari” i Gjon Buzukut (1555). Pjesa e dytë, vep. e përm., f. 65.

[4] “I treti kat mortār, kȳ anshtë tue prituom nịerīņdë arësye të shpirtit, as ņdonjë të mirë aj nukë bani, mos ṃbë meshë, mos kryq, mos me ņdigluom Ungjillë shenjtë, mos me ụ rëfyem, mos me ụ kunguom ṃbë herë; mos për shpirtit të parëvet bani mirë, mos për shpirtit t atyne qi atī mirë kanë bām. Mā mirë desh me ņdenjunë se Pater noster e Ave Mërī me thanë. Mā mirë desh me folë dhunī se me lutunë Tenëzonë; e aj bije ņdë këtë kat, qi parë se punënë e shpirtit sheh punënë e kësaj jete. E kështu kush fëjen ṃbë këtë mëndyrë, fëjen ņdë të tretët kat mortār”.

[5] “I katërti kat mortār anshtë kȳ qi i thomi na envidheja. E këtu fëjen nịerī, kur shoqnë e fqinjënë nukë e do nịerī porsi vetëvetëhenë. Aj qi bān mënī, aj qi kujtoi keq shoqit e fqinjësë; kur shoqi kā mirë, atī i ņdotë keq; e atī mirë, nukë i ņdotë mirë; mos për shëndet, mos për të mirët, mos për gazëmend, mos për të pasunit. Kur ata patnë keq, ti u gëzove. Kur ata patnë mort, ti nuk i anëkove. Kur ata klenë sëmutë, ti nukë i vizitove, e mā të pëlqyem pate kur gjegje keq për ta se mirë. E kush ṃbë këtë mëndyrë fëjen, aj fëjen ņdë të katërt kat motrār.”

[6] “I pesti kat mortār kȳ anshtë: Kush anshtë i shtrenjtë, e mā do me pasunëār e vistār e gjāṃbë këtë jetë se jetënë e amëshuome. E parë lij shpirtinë me i votë keq se me dhanë një bagëtī për shpirtit të tī. E atī qi anshtë eçim e unëtë parë e lij me ju kalbunë copa bukë se me e dhanë atī qi kā nevojë. Mirë se ata qish të kalbetë përzanë nukë anshtë, në mos dafsh kapshatënë ņ gojet sote. E shumë të mirë ṃbë këtë shekullë mundë banje, e nukë ban: E ṃbë këtë mëndyrë kush fëjen, aj fëjen ņde e pesët kat mortār”.

[7] “I gjashti kat mortār kȳ anshtë kur ha nịerī e pi tepërë, e i ban keq. E këtī kati fëjen aj qi kurajtë kụatro temporatë nukëņgjënon, këreshmëtë nukëņgjënon, vëngjillë qi ordhënuom anshtë nukëņgjënon; gjashtë herë në i piqē me ņgranë, haj; mbassi kā drekunë, e të i vin përapë ū, aj tue klenë ginë por ha; aj kā pītë e ņgranë, e për lakëmī të fytit djerie mos i viell, aj me ata të ginë nukë kondend. E kȳ tue fëjyem ṃbë këtë mëndyrë, fëjyem kāņdë e gjashtë kat mortār”.

[8] “I shtati kat mortār kȳ anshtë: Tue kujtuom për kat porsi njani burë o jetëra gruo, qi kurajtë të ginë nukë di; po e kā mallëkuom Zotynë, e kurajtë me njëqind vetë ajo me ņfjetunë një natë, ajo si të mos kish fjetunë as me një burë. E ashtu edhe shumë bura janë. E këtu mundë fëjenjë nịerī tue kujtuom, tue ụ ambëltuom ņd ata të kujtuom ņdë mend të tī.; e kur ata të kujtuom nukë desh me e bduom ņ vetëhej, tue bām kun tjetërë punë. E aj qi kā të vednë, epur bie ņdë kat me tjetërë; ashtu edhe gruoja në fëjeftë, fëjen ņde e shtatët kat motrār”. Shih E. Çabeji, “Meshari” i Gjon Buzukut (1555). Pjesa e dytë, vep. e përm., f. 67.

SHKARKO APP