Shtëpia e Avni Rustemit restaurohet nga programi shqiptaro-grek
“Culture Lands” një program i përbashkët ndërkufitar shqiptaro-grek pas një vlerësimi të gjatë që i ka bërë aseteve të trashëgimisë kulturore si pasuri të rralla me potencial të lartë turistik do të fillojë këtë vjeshtë restaurimin e pjesshëm për disa objekte monumente kulture në qarkun e Gjirokastrës dhe atë të Janinës.
Shtëpia e Avni Rustemit në bashkinë e Libohovës pritet t’i shpëtojë degradimit të mëtejshëm me fondin e akorduar për çatinë dhe një pjesë të mureve. Fondi i restaurimit nuk e vë atë në funksion pasi ndërhyrja nuk e prek pjesën e brendshme të objektit dhe sipas specialistëve programi duhet të pasohet nga të tjera projekte që garantojnë qëndrueshmërinë e ndërhyrjeve.
Sipas zv. kryetarit të bashkisë së Libohovës, Ilia Kuro, numri i objekteve monumente kulture në prag të degradimit është i lartë në të gjithë territorin e bashkisë, përshfi këtu, ura mesjetare, banesa si ajo e Andon Zako Çajupit në Sheper, kisha, manastire, saraje, varreza.
Objektivi kryesor i kësaj iniciative të përbashkët është të inspirojë autoritetet lokale në të dy anët e kufirit ta bëjnë trashëgiminë pjesë të planifikimit të tyre strategjik në mënyrë që të krijohen premisa për turizëm të qëndrueshëm kulturor që i shërben ekonomisë lokale dhe jetës së njerëzve në territoret pranë kufitare.