Shtëpia e Gjergj Fishtës lihet në harresë, gjithcka përreth lëngon
Disa ditë më parë shkrimtarja Flutura Açka publikoi në profilin e saj në Facebook, fotot e shtëpisë ku ka jetuar një prej shkrimtarëve më të mëdhenj shqiptarë, Gjergj Fishta, i cili ishte dhe shkrimtari i pari i cili u propozua si kandidat për çmimin “Nobel në Letërsi”.
Shtëpia e kolosit të letrave shqipe është lënë në harresë dhe është gati drejt rrënimit. Krahas fotove që publikoi Açka shkroi se shtëpia e rrënua e Fishtës është turpi ynë dhe se deri kur Gjergj Fishta të trajtohet me dinjitet ashtu siç e meriton, ne do të vazhdojmë të hamë turpin me bukë për dhunimin që po i bëjmë historisë.
Postimi i saj i plotë:
Kjo është shtëpia e Fishtës sot. Nuk di në ka ndonjë monument kulture më të rëndësishëm se ky. Nga vrapi për të përjetësuar socrealizmin, u shkujdesëm për lëndën që na përbën, mes kësaj edhe Fishta. Kjo shtëpi e rrënuar është turpi ynë, edhe turpi im që nuk protestoj për të përditë. Dy letra i shkroi Musolinit për ta ndihmuar për t’iu botuar vepra, dhe me dekada u fshi nga kujtesa. Edhe për klosetët e banjove kujdesej partia për socrealistët, dhe janë në të gjitha leximet shkollore e jashtëshkollore, për të thënë më të paktën. Nuk po them t’i fshijmë edhe ata, por t’u vemë rend gjërave. Edhe një bust që është vënë në oborr, emri i mecenatit është po aq i madh sa i Fishtës. Megjithë respektin që kam për donatorin si një patriot, bujar dhe njeri mjaft i respektueshëm, me pllakën e emrit të tij duhej të ishte treguar më i kursyer, dhe më modest në emrin e tij pranë Fishtës. Thonë, me të dëgjuar e kam, se në fillim të të 90-tave u miratua një fond bujar shtetëror për Fishtën, por një Zot e di ku shkoi. Me të ishte ndrequr me kohë dhe kjo shtëpi. Mbase gazetarë investigativë, do të dinë t’i japin përgjigjjen e duhur kësaj enigme. Deri atëherë, pra deri kur Fishta të trajtohet dinjitetshëm, ne do ta hamë me bukë turpin për dhunimin që po i bëjmë historisë.’’
Kujtojmë këtu se disa kohë më parë gjatë një proteste të opozitës ‘’Kërpudha Gjigante me Tri Pjesë”, e vendosur në kopshtin e Kryeministrisë, e cila është një vepër i artistit të artit bashkëkohor, Carsten Höller u prish.
Pas kësaj erdhi reagimi i kryeministrit Rama, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale i kërkoi falje artistit dhe shkroi se ata që e bënë ‘’nuk janë shqiptarë’’. Natyrshëm lind pyetja, po Gjergj Fishtës kush duhet t’i kërkojë falje, po brezave të rinj kush duhet t’u kërkojë falje sepse po mbeten pa trashëgimi kulturore. Dhe, a është etike që ‘’të lëngohet’’ për kërpudhën dhe shtëpia e një kolosit të lihet të rrënohet.
Në të gjithë këtë histori më e pakuptimtë është fakti se në prill të vitit 2017, ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tha se shtëpia e At Gjergj Fishtës është rrafshuar në vitin e kaosit, 1997, por në fotot e publikuara nga Flutura Açka në hyrje është një bust i Fishtës dhe në godinën e rrënuar shkruhet se aty ka jetuar Gjergj Fishta. Komentet ju takojnë juve.