Shtëpia muze e vëllezërve Frashëri do t’i nënshtrohet restaurimit
Shtëpia muze e vëllezërve Frashëri, monument kulture i kategorisë I-rë, e gjendur në hyrje të fshatit me të njëjtin emër, në qytetin e Përmetit do t’i nënshtrohet së shpejti restaurimit.
Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës ishin në Frashër për të kryer një inspektim në këtë banesë. Sipas tyre, sot, objekti shfaq nevojën për ndërhyrje restauruese në strukturë, sepse paraqet disa problematika në konstruksionin e çatisë, si dhe janë evidentuar çarje në muraturën perimetrale. Po ashtu është i nevojshëm restaurimi i elementëve arkitektonikë të brendshëm si: ndërkatet e drurit, shkallët, dyert dhe dritaret, bën të ditur Instituti i Monumenteve të Kulturës.
Gjithashtu, terreni përreth banesës, brenda rrethimit, duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjeve rehabilituese të përgjithshme. Në shumë nga dhomat e ekspozimit ruhen ekspozitorët dhe stendat e projektuara gjatë kohës kur banesa u rikonceptua si shtëpi-muze. Specialistët shprehen se mobilimi duhet t’i nënshtrohet një procesi restaurimi së bashku me maketin e fshatit Frashër, që ndodhet në një nga dhomat e katit përdhe.
Kjo shtëpi muze në vitin 1974 është ndërtuar mbi rrënojat e banesës së vjetër të shkatërruar. Ajo u rikonceptua si një përmbledhje e historikut të zonës, e veprimtarisë së tre rilindasve dhe është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kombëtare. Me ringritjen e saj është bërë përpjekje për ruajtjen e origjinalitetit të volumit fillestar, duke shtuar elemente të rinj si ndërkate e tavane druri dhe oxhakët nëpër dhoma.
Disa nga dhomat e kësaj shtëpie-muze pasqyrojnë mënyrën e jetesës së kohës, duke mbledhur orendi të vjetra edhe nga banorët e zonës. Interesi për këtë banesë duket se është jo i pakët, për vetë rëndësinë dhe historinë që ajo ka. Shtëpia-muze gëzon në fondin e saj libra e dorëshkrime të vëllezërve Frashëri, ku mund të veçojmë disa botime origjinale të Sami Frashërit.