Shuhet historiani Ibrahim Daut Hoxha, pishtari që mbajti ndezur dritën e Çamërisë
Është ndarë nga jeta në moshën 97-vjeçare, ikona e Historisë së Çamërisë, historiani, folkloristi, publicisti, Ibrahim Daut Hoxha.
Ai lindi në në Konispol më 15 prill 1923 dhe rrjedh nga një familje dhe një fis i shquar atdhetar i Çamërisë që ka luftuar vazhdimisht me pushkë e penë për të mbrojtur trojet shqiptare nga pushtuesit e huaj dhe sidomos nga synimet aneksuese të shovinistëve grekë.
Babai i tij, atdhetari Daut Hoxha, pas përpjekjeve e luftimeve shumë vjeçare me bandat andarte greke për mbrojtjen e të drejtave të popullsisë çame, u vra pabesisht prej një grupi banditësh më 15 qershor 1940 në tokën shqiptare.
Vrasja e tij, siç përmendet edhe në disa tekste të historisë së Luftës së Dytë Botërore, shërbeu edhe si pretekst për acarimin e marrëdhënieve midis Italisë e Greqisë si dhe për fillimin e luftës italo-greke.
Pas vrasjes së babait, familja e Ibrahimit u detyrua të ikte prej Konispolit e rrezikuar prej masakrave të bandave greke si shumë familje të tjera të Çamërisë dhe u vendos në Lushnjë.
Kreu shkollën unike, gjimnazin “Qemal Stafa” dhe më vonë vazhdoi një kurs dy-vjeçar për oficer. Pas përfundimit të kursit u caktua në armën e Artilerisë Kundër Ajrore.
Në vitin 1952 e përjashtuan nga partia dhe në vitin 1955 e larguan edhe nga ushtria për pikëpamjet e tij antikomuniste.
Më vonë vazhdoi Institutin Bujqësor në Kamëz, mirëpo e përjashtuan ende pa e përfunduar për shkak të bindjeve të tij.
Më 1959 u burgos me akuzën: “Ka propaganduar rrëzimin e qeverisë”.
Pas shumë e shumë përpjekjesh, në vitin 1964, mundi të diplomohej për histori-gjeografi në Universitetin e Tiranës, gjë që i dha mundësinë t’u përkushtohej studimeve shkencore mbi historinë shqiptare e veçanërisht atë të Çamërisë, mbledhjes së folklorit dhe publicistikës.
Në vitin 1966 është diplomuar nga Universiteti i Tiranës si mësues për shkollat e mesme në lëndën e historisë dhe gjeografisë.
Që prej vitit 1956 ka nisur hulumtimin e këngëve dhe valleve popullore, zakoneve, kujtimeve dhe tregimeve, duke shkuar kudo ku gjendeshin çamër. Prej 1960-s filloi kërkimin, kopjimin, fotografimin e arkivimin e gjithfarë dorëshkrimesh dhe dokumentesh duke krijuar një fond të pasur e mjaft te vlefshëm dokumentar. Në vitet 1965-1972 regjistroi në Institutin e Krijimtarisë Popullore dhe Radio Tirana këngët e para çame.
Pavarësisht botimit, vepra e tij në shumë raste është censuruar nga diktatura si në vitin 1971, kur “Fabula dhe vjersha” nga 435 faqe përfundoi me 97 faqe në botim.
Edhe vepra tjetër “Këngë Popullore Çame”. Pasi shumë e shumë prej tyre i hodhën në kosh (edhe më shumë i vodhën për tjetërkënd) vendosën ta botonin. Mirëpo, kur ishte në prag të vënies në qarkullim, organet e asaj kohe, Ministria e Arsimit dhe Drejtoria e Propagandës pranë Komitetit Qendror urdhëruan asgjësimin e tij, sepse autorin e quajtën irredentist që kërkonte edhe Prevezën, të cilën “Partia nuk e ka rivendikuar ndonjë herë!”. Pas shumë e shumë përpjekjesh, më 1981, libri u lejua të qarkullonte, por vetëm me 150 faqe nga 530 të shkruara.
Në të gjitha vitet e jetës së tij, Ibrahimi ju përkushtua tërësisht kombit dhe vepra e tij është një thesar i çmuar.
Me studime shkencore mbi historinë shqiptare, mbi çështjen çame në veçanti, por edhe me publikimet mbi folklorin apo publicistikën, Ibrahim Daut hoxha I la pas brezave një seri veprash, të cilat janë jo vetëm pasqyrë e masakrave dhe genocidit, por janë trashëgimi e historisë, pasurisë, kulturës dhe origjinës së krahinës së Çamërisë.
Veprat
Fabula dhe vjersha, Tiranë, 1973
Këngë popullore çame,
Nëpër udhën e penës shqiptare,
Bibliografi e Institutit të studimeve pedagogjike,
Jusufi e Zulejhâja,
Turqit dhe shqiptarët ,
Kështu luftuam ne,
Çamëria dhe Janina në vitet 1912-1922,
Hoxhë Hasan-Tahsin Efendiu.
Viset kombëtare shqiptare në shtetin grek,
Daut Hoxha,
Çaparenjtë – Refo Çapari,
Enciklopedi Jugshqiptare
Bilbila dhe thëllëza çame
Shqipëri moj dritë ylli,
Vjershëtarë të hershëm çamër
Shtegtim nëpër Shqipërinë e Jugut “ Çamëria” vepra e tij e fundit botuar në Janar 2020
Bashkautor në veprat:
“Fjalori Enciklopedik Shqiptar”
Në “Historia e Shqipërisë dhe e Shqiptarëve”, Prizren, 2001
Në ‘‘Yje të Pashuar” I
Në “Ndizet Zemra nga Gëzimi”
Në “Këngët na Burojnë si Gurra”,
“Proza Popullore” VI. T., 1988, fq. 34-40 dhe 113-116.
Ibrahim Daut Hoxha ka lënë pas dorëshkrime dhe vepra që presin ende dritën e botimit.
Ai mban urdhrin e lartë nga Presidenti I republikës “Naim Frashëri I artë” si edhe disa tituj të tjerë si:
“Qytetar Nderi” nga Këshilli bashkiak i Konispolit (2002).
“Krenaria e Unionit” nga Unioni Artistik i Kombit Shqiptar (2007).
“Nder i Çamërisë” nga Shoqata Patriotike “Çamëria” (2010).
Me titullin “Aristidh Kola nga Shoqata “Bytyçi” (2012).
“Mirënjohje” nga Shoqata Patriotike “Çamëria” (2019).