Shuhet Prof. Dr. Remzi Përnaska, ndër shqiptarët më të shquar të Francës
Nga Mentor HOXHA (Paris)
Komuniteti elitar shqiptar i Francës, dje humbi një ndër figurat më të shquara të tij, ndërsa Franca, një nga albanologët, profesorët dhe përkthyesit më të zellshëm të gjuhës frënge. Përnaska ishte një ndër personalitetet më të njohura shkencore dhe akademike në trojet shqiptare dhe në Paris. Kishte edhe nënshtetësinë franceze. Prej më shumë se 40 vitesh, iu përkushtua fushës akademike dhe mësimdhënies në Shqipëri dhe në tokën e frankëve. Dha një kontribut të madh si shkencëtar në gjuhësi, si përkthyes i frëngjishtes dhe si profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e famshëm të Sorbonës dhe në Universitetin publik të Tiranës e të Elbasanit. Autor i disa librave shkencorë, i disa teksteve mësimore universitare, i pesë librave në frëngjisht, i mjaft përkthimeve në gjuhën frënge, i dhjetra artikujve studimorë mbi gjuhën shqipe dhe anëtar i disa shoqatave gjuhësore brenda dhe jashtë Shqipërisë. Fliste shkëlqyeshëm frëngjisht dhe rusisht. I dekoruar nga Presidenti shqiptar me titullin “Mjeshtër i madh” dhe me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të dytë. Kishte liçencë nga Ministria e Arsimit të Francës për të marrë pjesë si anëtar jurie në mbrojtje doktoratash për gjuhësi në Francë. Që nga viti shkollor 1997-1998 e deri sa doli në pension ka qenë Professeur associe në Ecole pratique des hautes eacutetudes të Sorbonës ku ka drejtuar edhe Seminarin për tekstet e vjetra në gjuhën shqipe.
U lind më 20 dhjetor 1934 në Korçë në një familje të shquar atdhetare dhe arsimdashëse. Gjyshi i tij nga nëna, Nuri Sojli ka qenë delegat në Kuvendin Historik të Vlorës (28 nëntor 1912) ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe ishte një ndër nënshkruesit e saj.
KONTRIBUTI I TIJ NË PARIS, SI PROFESOR, SI PËRKTHYES DHE SI VEPRIMTAR I SHQUAR I ÇËSHTJES SHQIPTARE
Nga viti 1991 e deri dje kur ndërroi jetë në Paris, profesor Përnaska ishte një nga intelektualët më të njohur të elitës shqiptare së Francës. Në Paris, ai kaloi një pjesë të madhe të jetës pasi mbrojti dy Doktorata Shteti, kreu disa kurse në gjuhësi dhe punoi si profesor i gjuhës shqipe. Ai spikati në disa fusha: Në fushën shkencore, akademike dhe atdhetare. Ai ka tri diploma: dy në Shqipëri (gjuhë dhe letërsi ruse, gjuhë dhe letërsi shqipe) dhe një në Francë nga Universiteti i famshëm i Sorbonës. Gjithashtu, ka mbrojtur dhe tri doktorata në gjuhësi: dy në Francë dhe një në Shqipëri. E para është mbrojtur në Sorbonë dhe quhet “Docteur du troisegraveme cycle” (Doktor i ciklit të tretë) dhe e dyta “Docteur dEtat egraves lettres et sciences humaines” (Doktor Shteti letrash dhe shkencash shoqërore).
Kontaktin e parë studimor me kryeqendrën e historisë dhe të kulturës botërore e pati në vitin 1974 kur nisi disa kurse për gjuhësi të përgjithshme dhe teorike (1974-1982). Ndoqi kurset e gjuhëtarëve të shquar francez Andre Martinet dhe Antoine Culioli. Nën udhëheqjen shkencore të tyre përgatiti tezën për gradën më të lartë shkencore që ka Franca: “Doktor Shteti”. Kjo doktoratë e mbrojtur me shumë sukses nga ai në Departamentin e gjuhësisë teorike të Universitetit Paris VII, i dha titullin shkencor “Profesor” në Francë dhe u botua në gjuhën frënge nga Presses Universitaires du Septentrion, Lille 1997, 672 faqe. “Doktorata e shtetit” i’u dha për gjuhësi teorike dhe e lejoi të punojë si profesor në Ecole Pratique des Hautes Etudes të Universitetit të Sorbonës në Paris”. Ai fitoi dhe gradën “Docteur d’Etat és lettres et sciences humaines”, si edhe të drejtën për të udhëhequr punime doktoratash në Shqipëri dhe në Francë dhe për të qenë anëtar jurish për mbrojtje doktoratash. Më 1994 mbrojti një tezë nga sintaksa e gjuhës shqipe në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta të Sorbonës, mbrojtja me sukses e së cilës i dha diplomën e studimeve të larta në Sorbonë dhe emërtimin “Nxënës i vjetër i Sorbonës”.
Krahas sukseseve të mëdha si student në Paris, ai pati një karrierë të jashtëzakonshme edhe si profesor i gjuhës shqipe në Paris. Punoi si Professeur associé” në Ecole Pratique des Hautes Etudes të Universitetit të famshëm të Sorbonës, ku drejtoi seminarin për tekstet e vjetra në gjuhën shqipe (1997-1998, deri kur doli në pension), lektor pranë këtij universiteti (tetor 1991-shtator 1997) dhe lektor i gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Lindore në Paris (1974-1982). Ka qenë anëtar jurie për mbrojtje disertacionesh në Universitetin e Sorbonës, në Institutin e Gjuhëve dhe të Qyteterimeve Lindore në Paris dhe në universitetin e Puatjesë dhe të Monpeliesë në Francë. Ka mbajtur i ligjërata e kumtesa të shumta për gjuhën shqipe në Konferenca dhe kongrese kombëtare e ndërkombëtare për gjuhësinë të organizuar nga Ministria e Arsimit të Lartë dhe e Kërkimeve e Francës, si në Paris, Puatje, Marsejë, Nante etj. Ishte anëtar i Rrethit të Gjuhëtarëve të Institutit Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Lindore në Paris (që nga themelimi më 1997), anëtar i Shoqatës së Linguistikës së Parisit dhe Francës, anëtar i Qendrës së Studimeve Ballkanike të Parisit dhe i Shoqatës Ndërkombëtare të Gjuhësisë Funksionale (1975), autor i disa librave në frëngjisht si: “Parlons albanais” (1999, Shtëpia Botuese”L’Harmattan”, ribotuar tri herë. Bashkautorë Ch. Gut dhe A. Gut), dy doracakë Glossaire et guide militaire de conversation français -albanais, E.I.R.E.L, Alb. 02 (Strasbourg, 1997, 222 f.) dhe Eléments de grammaire albanaise, Complèment au Glossaire Alb 02, E.I.R.E.L, Alb. 03 (Strasbourg, 1997, 60 f.) dhe teza e doktoraturës së tij nga Presses Universitaires du Septentrion, Lille 1997, 672 faqe, autor i shumë artikujve në revistate njohura shkencore në Francë, si “Anri Buasen, themelues i mësimdhwnies së shqipes”, apo artikujt për jehonën e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në Francë, si Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Besnik Mustafaj, D. Berisha, Luan Starova, I. Haxhi-Kristo, Jetullah-Haliti etj. Për shumë vite u mor me hartimin e një fjalori shqip-frëngjisht me mbi 60.000 fjalë në laboratorin FORELL të Universitetit të Puatjesë, ndërkohë punoi për pjesën shqipe në një fjalor shprehjesh që po hartohet nga Qendra e Kërkimeve dhe e Studimeve për Përhapjen e Frëngjishtes të Ecole Normale. Përgatiti një gramatikë, një përmbledhje me tekste dhe elementë të në metode për mësimin e gjuhës shqipe nga frankofonët në Institutin e Gjuhëve dhe të Qyteterimeve të Lindjes në Paris. Në bashkëpunim me kolegët shqiptarë të këtij Instituti është përgatitur një antologji me pjesë të zgjedhura nga letërsia shqipe.
U shqua edhe si përkthyes i shkëlqyer i frëngjishtes me përkthimet frëngjisht-shqip dhe shqip-frëngjisht. Përktheu tre libra: Luan Starova, Faïk Konitza et Guillaume Apollinaire -une amitié européenne, L’Esprit des Péninsules (Paris, 1998, 239 f), Christian Gut, Pasco Vassa, 1825 -1892 (Prishtinë, 2008, 760 f.), Gabriel-Xavier Culioli, La terre des seigneurs, Un siècle de la vie d’une famille corse, Lieu commun (Paris, 1986, 181 f.), Lalbanais dans la mythologie grecque (“Hylli i Dritës”). Ndihmoi në botimin e veprave të plota të Ismail Kadaresë nga Shtëpia Botuese “Fayard”, si dhe shtëpitë botuese në Francë për zgjedhjen e veprave letrare që janë përkthyer nga shqipja në frëngjisht. Përkthyesit francezë i janë shumë mirënjohës për ndihmën që u ka dhënë për përkthimet cilësore nga shqipja në frëngjisht.
PROF. PËRNASKA, NJË NGA VEPRIMTARËT MË TË SHQUAR PËR VENDOSJEN E MONUMENTIT TË SKËNDERBEUT NË SHESHIN “SCANDERBEG” NË PARIS
Prof. Dr. Përnaska dha një kontribut të madh në kryeqytetin francez edhe për çështjen shqiptare, si dhe u gjend gjithmonë pranë shqiptarëve që vizituan Parisin. Shtëpia e tij në Francë qëndroi e hapur për çdo çdo shqiptar që shkeli në Paris dhe nuk përtoi t’i shoqëronte apo t’u bënte guidën turistike të gjithë atyre që dëshironin të vizitonin vendet turistike të këtij qyteti të famshëm mijravjeçar. U shqua veçanërisht në përpjekjet e tij të vazhdueshme dhe të gjata për ngritjen e një monumenti me kalë të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në sheshin “Scanderbeg” në qendër të Parisit. Ky shesh ndodhet që nga viti 1980. Në hyrje të tij, në një tabelë të madhe shkruhet në frëngjisht: PLACE DE SKANDERBEG 1405-1469, HÉROS ALBANAIS. Në maj të këtij viti, ky shesh festoi 40 vjetorin e inagurimit. U inagurua më 6-7 maj 1980, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ku mori pjesë gjithë diaspora shqiptare e Parisit dhe personalitete të larta franceze, përveç ambasadorit shqiptar në Francë.
Vendimi për emërin e këtij sheshi të madh me emrin e Heroit tonë Kombëtar u mor më 10 korrik 1978 nga Këshilli Bashkiak i Parisit me kryebashkiak, politikanin e shquar francez, Zhak Shirak (Jacques Chirac-ut), i cili më pas u zgjodh dy herë President i Francës. Ky shesh u vendos në “Villa Lumier”, një shesh në qendër të kryeqytetit francez. Me këtë vendim, z. Shirak dhe Këshilli Bashkiak i Parisit, nga njëra anë plotësuan kërkesën dhe dëshirën e madhe të gjithë shqiptarëve të Parisit dhe të Francës, nga ana tjetër e bënë akoma më të njohur figurën e Heroit tonë në kryeqendrën e Francës dhe të botës, pasi Parisi është kryeqyteti më i vizituar në botë. Krahas ish presidentit të nderuar, Chirac, një ndihmë të madhe dha edhe Komisioni Kulturor i Bashkisë nëpërmjet Zotit Roger Roman-it, i cili vlerësoi meritat e Skënderbeun duke e cilësuar të merituar dhe të denjë që një shesh apo rrugë në Paris të nderojë emrin e Tij, si dhe Këshilli Bashkiak me anë të Z. Bernard Rocher. Vendimi i Këshillit Bashkiak i Parisit, i bërë mbi propozimin e Komisionit të tij Kulturor u mor në përvjetorin e 100-të të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ky vendim u mor pas një pune gati 10 vjeçare të nisur që më 1970 nga Diaspora shqiptare e Parisit, ku kontributin më të madh e ka publicisti antikomunist, Lec Shllaku, sipërmarrësi i njohur antikomunist nga Dibra me banim në Itali, Isa Ndreu dhe nipi i Mbretit Zogut I, Skënder Zogu.
Menjëherë pas inagurimit madhështor të sheshit “Skanderbeg”, Lec Shllaku filloi kontaktet me Bashkinë e Parisit për marrjen e lejës së vendosjes së Monumentit të Skënderbeut brenda sheshit që mban emrin e tij. “Mbasi qe realizue me shumë durim e kokëçamje, pagëzimi i Sheshit kushtue Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Paris, objektivi i dytë ishte ai i një evenimenti tjetër, të afërt në kohë, si ngrehja e monumentit. Një sheshi kaq të madh në zemër të Parisit, do t’i duhej një monument madhështor për Heroin tonë të lavdishëm. Duhet një monumet që ta lartësojë dhe zbukurojë më shumë këtë shesh gjigand. Përfitojmë nga rasti të theksojmë se projekti për një përmendore të Skënderbeut dhe të tejtimit në gjuhën shqipe nga Radio Franceze Internacionale, në bazë të letërshkëmbimeve me Ministrinë përkatëse, do të ketë rezultate pozitive”, -shkruate Shllaku në revistën cilësore “Koha Jonë” (dhjetor 1987) që botohej në Itali nga sipërmarrësi i njohur dibran, Isa Ndreu. Në vitet ’90-të, përshkak të gjendjes të tij shëndetësore, Shllaku u tërhoq nga bisedimet me Bashkinë e Parisit për vendosjen e monumentit Skënderbeut në sheshin e madh që mban emrin e tij dhe kjo detyrë fisnike i’u ngarkua profesorit të Sorbonës në Paris me origjinë dibrane, zotit, Remzi Përnaska. Për ta realizuar këtë ëndërr të tij dhe të gjithë shqiptarëve në mbarë trojet shqiptare dhe anembanë botës, ai punoi për shumë vite me radhë. Që nga nga viti 1991 e deri dje kur u shua, ai pati një bashkëpunim dhe komunikim të rregullt e të pandërprerë me Qeverinë Franceze dhe Bashkinë e Parisit për vendosjen e monumentit të Heroit tonë Kombëtar në sheshin me emrin e tij. “Ky monument do të rrojë ndër shekuj. Ne të vdekshmit do të harrohemi një ditë. Kryesore dhe mbi çdo gjë është zëri i mirë i shqiptarëve që do të përçohet në Paris, Francë, Evropë e në botë edhe nga ky monument i Skënderbeut”, -shprehej prof. Përnaska, ndërkohë, me vendosjen e Përmendores së Skënderbeut në Paris, vazhdon të merret që nga viti 2000 edhe profesori i nderuar, Astrit Leka. Punën e tij në këtë drejtim prof. Përnaska e prezanton në një artikull në një gazetë shqiptare, i publikuar në www.zemrashqiptare.net me titull “E vërteta për monumentin e Skënderbeut në Paris”), ku ndër të tjera shkruan: “Do të kisha pëlqyer t’ju shkruaja për punën që është bërë e po bëhet prej zotëri Astrit Lekës dhe prej meje për ngritjen e monumentit të Skënderbeut në Place Skanderbeg në Paris. Hapat e parë bërë prej meje, në bashkëpunim me shqiptarë të diasporës, fillojnë qysh në pranverë të vitit 1991. Punën e quajtëm vazhdim të përpjekjeve dhe arritjeve të diasporës me në krye të ndjerin Lec Sllaku, që ia dolën që një sheshi të Parisit t’i vihet emri i heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Meqë zotëri Lec Shllaku ishte i sëmurë, nuk pranoi të kryesonte përpjekjet për ngritjen e një monumenti në këtë shesh. As zotëri Skënder Zogu, as edhe shqiptarë të tjerë nuk pranuan për arsye nga më të ndryshmet dhe më ngarkuan mua të vazhdoj punën e nisur prej tyre. Iu drejtova më 2 prill 1992 me një letër ministrit të Kulturës së Francës, që ishte njëherësh edhe kryetar i Bashkisë së Bluasë (Blois), në afërsi të së cilës gjendet një portret i Skënderbeut. U vura në lidhje me Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë të kësaj ministrie (maj 1991) me të cilën nuk i kam ndërprerë kurrë lidhjet; iu drejtova Drejtorisë së Marrëdhënieve me jashtë të Bashkisë së Parisit (nëntor 1991), mora takime me me drejtoritë e çështjeve kulturore dhe me nëndrejtoritë e pasurive artistike të kësaj bashkie (1992) me të cilat vazhdojmë të punojmë pa ndërprerje. Iu drejtova gjithashtu edhe personaliteteve të politikë, kulturës dhe artit, që kishin lidhje shpirtërore, ndonjëherë edhe familjare me Shqipërinë, siç ishte rasti me akademikun, senatorin dhe ministrin e Kulturës, deputetin Zhan Fransua Denio (Jean-François Denieau), që kishte kunatën stërmbesë të Dora d’Istrias etj. Këto takime vazhduan deri në vitin 1996. Pasi u siguruam se kjo punë mund të plotësohej, iu shkrova Presidentëve të Shqipërisë, zotëri Sali Berishës (1996), dhe zotëri Rexhep Meidanit (1997), i cili ngarkoi Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë për plotësimin e projektit të propozuar prej nesh. Punuam me Drejtorinë e Arteve të kësaj ministrie (1998), që propozoi të vihet në këtë shesh skulptura e skulptorit të Popullit, Odhise Paskalit, që gjendet në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar, që e paraqet heroin në këmbë. Ia paraqita Bashkisë së Parisit këtë propozim (1998). Ata bënë matjet stereometrike me lazer dhe thanë se ishte i vogël për madhësinë e këtij sheshi. Letërkëmbimi që vijoi me Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, synonte gjetjen e mundësive për ngritjen e monumentit me kalë në këtë shesh. Drejtoria e Artit e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve u zotua të hartojë preventivin për një monument me kalë të njëjtë me atë të ngritur në Tiranë (7 janar 1998). Gjithçka ishte vënë në binarë. Duhej vetëm monumenti. Në këto kushte të një sigurie relative, iu drejtova me një letër mirësjelljeje dhe falënderimi Presidentit të Francës, zotëri Zhak Shirakut (1998), i cili kur ishte kryetar i Bashksië së Parisit, i dha emrin e Skënderbeut një sheshi shumë të madh (1978). Një letër të ngjashme iu dërgua edhe kryetarit të Bashkisë së Parisit, zotëri Zhan Tiberisë (1998). Në të dyja letrat, si edhe në ato drejtuar më parë Presidentëve shqiptarë, paraqitem si vazhdues i punës së bërë prej të nderuarit Lec Shllaku. Vetëm për kërshëri, po shtoj se, ndër të tjera u bë më 16 maj 1998 edhe një veprimtari e bukur, një mbrëmje Skënderbeg (GALA) në Bashkinë e Lagjes XIX, ku gjendet Sheshi Skëderbeg. Viti 1999 kaloi me takime pune për aspekte teknike të zgjedhjes së monumentit ekzistues, ose të bërë enkas për këtë shesh. Për arsye financiare u përcaktua si më e mundshme ngritja e një kopjeje të njërit prej monumenteve të ngritura në Shqipëri. Arkitektët dhe humanistët francezë parapëlqenin atë të Tiranës, sepse duke qenë se Place Skanderbeg në Paris është shumë i madh, kërkon një monument me kalë, së dyti, ai i shkon më shumë frymës së kohës, parandalimit dhe jo sulmit, së treti, sepse i njëjti monument ngrihet në dy kryeqytete. Bashkisë së Parisit i jemi drejtuar qysh në vitin 1991, kryetarit të saj i jemi drejtuar më 1998, kur kishim ç’ti thonim”.
VEPRIMTARIA SHKENCORE DHE AKADEMIKE E PROF. PËRNASKËS NË SHQIPËRI
Studime e larta dhe karrierën shkencore e pedagogjike, Prof. Përnaska i nisi në Shqipëri. U diplomua për gjuhë dhe letërsi ruse në Institutin e Lartë Pedagogjik dyvjeçar në Tiranë (1956), në Institutin e Gjuhëve të Lindjes në Moskë, dega turqisht (1960-1961) dhe për gjuhë shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës (1961-1963). U diplomua shkëlqyeshëm dhe e mbajtën pedagog të sintaksës së gjuhës shqipe pranë këtij fakulteti (1963-1974). Gjithashtu ka marrë në Shqipëri titullin ´”Doktor i shkencave” me disertacion me temën “Kundrinori me parafjalë në gjuhën shqipe”, i botuar si libër në Kosovë. Ka qenë punonjës shkencor në Sektorin e Gramatikës dhe të Dialektologjisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1982-1991), pedagog i sintaksës së gjuhës shqipe në katedrën e gjuhës shqipe të Fakultetin të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranë (1963-1974), kërkues shkencor në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, mësues i gjuhës shqipe dhe ruse në Cërrik të Elbasanit (1956-1960), anëtar i Shoqatës amerikane të jo aristotelianeve, pjesëtar në disa komisione dhe redaksi botuese në Shqipëri, anëtar i Komisionit për mbrojtjen e disertacioneve për gjuhët e huaja në Universitetin e Tiranës dhe anëtar i Komisionit të Lartë për marrjen e gradave dhe të titujve shkencorë për gjuhët e huaja (nga viti 1988 me vendim të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë), autor i disa teksteve shkollore për arsimin e lartë dhe të mesëm, hartues i disa zërave në Fjalorin enciklopedik shqiptar dhe autor i dhjetra artikujve në revistat e njohura shkencore. I ftuar disa herë nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit për të mbajtur ligjërata për gjuhësi teorike, ndërkohë i dhuroi këtij universiteti bibliotekën e vet albanologjike dhe të gjuhësisë teorike, me rreth 2000 vëllime. Ka udhëhequr punime vjetore diploma dhe disertacione për shkallën e parë të kualifikimit pasuniversitar.
Koha Jonë