Si e solli në jetë Kina dorëshkrimin e shenjtë
Nga Elton Therçaj –
Berati është kryeqyteti i dorëshkrimeve, ku në qendër gjendet Kodiku i Purpurt i Beratit, më i hershmi në Shqipëri. Një ndër shtatë kodikët e purpurt më të hershëm që ruhen në Botë. Një ndër tre kodikët që formojnë shkollë shkrimesh si dhe një ndër tre arketipet e Shkrimeve të Shenjta në historinë botërore.
Për kodikun Beratinus ka shumë të dhëna: për kohën dhe vendin ku u shkrua, për llojin e shkrimit, për ruajtjen, mbrojtjen, rrezikimet, fshehjet, shërimet.
Për kodikun Beratinus edhe sot më shumë dihet në Botë se në vend. Studiohet Beratinus-i ynë nga Vatikani në Pekin, nga Parisi në Londër ,nga Birmingham-i në Utica nga Varshava në Sofje .
Të gjitha ushtritë pushtuese që kanë kaluar nëpër Shqipëri gjatë njëmijë vjetëve e kanë ditur se në Berat ruhen dy ungjij të shenjtë.
Megjithëse për herë të parë u bë i njohur botërisht vetëm në vitin 1868, kodikut Beratinus ia kanë ditur vendin, rëndësinë dhe rrallësinë. E kanë dashur për vete të gjithë sa e kanë sunduar Beratin. Në shtator të vitit 1943, kur ushtria naziste zuri vendin e aleates së vet të mëparshme, në Tiranë u dërgua për bisedime ambasadori i Reich-ut Herman Neubacher. Ai takoi përfaqësuesit e katër bashkësive të mëdha fetare të Shqipërisë, ndër ta edhe Mehdi bej Frashëri, pater Anton Harapi e Lef Nosi. U premtoi rikthimin e pavarësisë, nëse do të pranonin të qeverisnin bashkë. U premtoi që Shqipërisë nuk do t’i shpallej luftë. Ju qeverisni, ne do të jemi neutralë, nuk do të ndërhyjmë në asnjë çështje të brendshme. Deklaratën e rinjohjes së pavarësisë do ta nënshkruajmë në pergamenë, ashtu siç e kërkoni. Ky ishte premtimi i Reich-ut. Asnjë ndërhyrje, me tri përjashtime: dorëzimin e floririt, dorëzimin e listave të hebrenjve dhe dorëzimin e dy ungjijve të shenjtë. Kushti i parë u pranua: floriri u mor peng e nuk u kthye më. Dorëzimi i listave të hebrenjve u refuzua prerë si fyerje për pavarësinë e premtuar. Kurse për dy ungjijtë e shenjtë u tha se shteti ishte laik, nuk ndërhynte në punët e kishës. Por Mehdi bej Frashëri dërgoi menjëherë një lajmës besnik për të njoftuar kishtarët dhe popullin e Beratit për rrezikun.
Në vitin 1968, për herë të parë pas njëmijë vjetësh dy kodikët Beratinus ndërrojnë vend: nga kisha në arkiv. Aleks Buda u kthehet kujtimeve dhe i rekomandon ambasadorit shqiptar në Vjenë të takojë një bashkëstudente të tij për të bërë të mundur restaurimin e tyre. Ishte 500-vjetori i lindjes së Gjergj Kastriotit dhe me Vjenën bisedohej edhe për këmbimin e partiturave të Liszt-it me armët e Skënderbeut. Dëshira për t’i shëruar kodikët ishte po aq e madhe sa dhe frika se mos restauratorët e huaj kthenin në Shqipëri replikat e tyre. Po më 1968 në Bukuresht po shtypej Meshari i Gjon Buzukut, transkriptuar nga Eqrem Çabej.
Ateherë u shtrua pyetja Ku? Në Romë? Në Athinë? Në Vjenë? Në Bukuresht?
Vendimi u mor: Dy shtete komuniste, Shqipëria dhe Kina do të bashkëpunonim për të shëruar dy ungjij të shenjtë në kohën kur revolucioni kulturor proletar ishte në kulm.
Ishte viti i largët 1971. Mbi 20 institucione u bënë bashkë në Pekin për të marrë përsipër restaurimin: uzina të përpunimit të mëndafshit, të arit dhe argjentit, të pergamenës; instituti i arkeologjisë, madje dhe uzina e prodhimit të kartmonedhës. U nënshkruan marrëveshje midis rrjeteve akademike të dy vendeve. Kinezët nuk kishin shumë përvojë për restaurimin e pergamenës. Duhej krijuar një teknologji, metodë dhe eksperiencë e re. Përgjegjësia u mor përsipër drejtpërsëdrejti nga Kryetari i Asamblesë Popullore të Kinës Go Mo Ruo. Njoftonin çdo javë dy arkivistët shoqërues të kodikëve, ambasadorët, përfaqësuesit e institucioneve shkencore. Gjashtë muaj zgjati shërimi: u ringjallën dy kodikët e shenjtë, u prodhua një maket për gjendjen fillestare, u prodhua një kopje analoge për nevoja studimore.
Në librin e pershtypjeve që ruhet në Drejtorine e Pergjithshme të Arkivave të Shqipërisë bashkë me Kodikët e rallë gjendet shenimi:
Me 6.1.1972 Shoku Reshat Alia tërhoqi nga vaporri “Vlora” kodikët që u restauruan në Republikën Popullore të Kinës…
Kanë kaluar plot 50 vjet nga koha e restaurimit në Kinë dhe gjëndja e kodikëve paraqitet mjaft e mirë konfirmon Sokol Çunga, arkivist dhe paleograf ne Drejtorine e Pergjithshme të Arkivave të Shqipërisë.
Kesaj historie interesante i ka kushtuar një dokumentar Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), titulluar Kthim tek Kodiku i Purpurt, me intervista dhe fakte mjaft interesante.
15 vjet më parë dy kodikët e purpurt të Beratit u bënë pjesë e programit më elitar të trashëgimisë shpirtërore të Njerëzimit, Kujtesa e Botës. Është e vetmja trashëgimi e Shqipërisë në këtë listë.
Vendimi u mor në mbledhjen e përgjithshme të Asamblesë së UNESCO-s mbajtur në Pekin, pikërisht atje ku ishin shëruar.