Si mësoi të notonte Europa

Për 1.500 vjet, Europa Perëndimore “harroi” të notojë, duke iu larguar ujit e tmerruar. Kthimi tek noti, është një triumf i vogël shumë pak i njohur i Iluminizmit

Nga Eric Chaline

Njerëzit mësuan të notojnë për herë të parë në parahistori – edhe pse koha e saktë mbetet e debatueshme, mes një grupi paleoantropologësh dhe pasuesve të Elen Morgan, të cilët përkrahin hipotezën e majmunëve të ujit, një fazë ujore gjatë evolucionit hominid, ndërmjet 7- 4.3 milion vjet më parë.

Edhe pse mund të mos kemi pasur kurrë një paraardhës që jetonte në ujëra, ekzistojnë dëshmi bindëse mbi aftësitë e notit tek përfaqësuesit tanë ta lashtë, nga Homo Genius tek Homo Erectus, i cili u shfaq rreth 1.8 milion vjet më parë. Në periudhën historike, mitet e qytetërimeve të lashta të Mesdheut lindor, flasin për një marrëdhënie pozitive me ujin dhe notin, të ndërmjetësuar deri në antikitetin e vonë nga një panteon perëndish ujore, nimfash dhe tritonesh.

Nga periudha mesjetare, shumica e evropiano-perëndimorëve që nuk ishin të përfshirë në mbledhjen e burimeve ujore, kishin harruar se si të notonin. Vetë noti nuk u harrua – por aftësia për të notuar u zvogëlua shumë. Trupat e ujit, u bënë simbole ”të botës tjetër” nga sirenat tek përbindëshat e detit.

Po si shpjegohet humbja e një aftësie kaq të rëndësishme? Njerëzit s’kanë hequr kurrë dorë nga vrapimi, kërcimi apo kacavjerrja, atëherë pse shumë prej tyre e braktisën një aktivitet që ishte i dobishëm, si për të marrë ushqime dhe burime natyrore, por me rëndësi jetike për të shmangur mbytjen, dhe për kënaqësinë e të freskuarit në një ditë të nxehte vere?

Tërheqja nga noti filloi në antikitetin e vonë, siç dëshmohet në shkrimet e shkrimtarit ushtarak romak të shekullit V, Vegeta, të cilit i vinte keq për faktin se ndryshe nga legjionarët e fortë të Republikës, “dushi i vetëm i të cilëve ishte lumit Tiber’, ushtarët e kohës së tij ishin mësuar të shfrytëzonin luksin e banjove, ndaj duhej t’u mësohej se si të notonin.

Banjat romake, përbëheshin nga basene të mëdha dhe të cekëta (piscinae), por ato ishin të dizenjuara për t’u lagur dhe qëndruar ulur, dhe jo për të notuar. Megjithatë, a është e mundur që shumica e popullsisë së Perandorisë Perëndimore të harronte se si notohej?

Është, nëse merret parasysh madhësia e infrastrukturës së banjës urbane dhe përqendrimi i popullsisë që jetonte në qytetet e brendëshme, në periudhën e vonë të perandorisë. Në vitin 33 P.E.S, Roma kishte 170 banjo publike; nga fundi i shekullit IV numëronte plot 856.

Përmirësimet në infrastrukturën e urave dhe të transportit, si dhe ndryshimet në bujqësi që zvogëluan varësinë nga burimet ujore, nënkuptonin më pak njerëz që duhej të dinin si të notonin.

Aftësitë e notit të popujve gjermanikë, që nxitën rënien e Perandorisë Perëndimore në shekullin V, i kishin impresionuar romakët gjatë përballjeve të tyre të para ushtarake në periudhat e republikave dhe në fillim të perandorive.

Megjithatë, gjatë shekujve, kur ata u latinizuan dhe u urbanizuan, nisën të praktikonin zakonin romak për të shkuar në banjot publike, derisa edhe ata gjithashtu harruan se si notohej. Nëse rritja e kulturës së larjes ofron shpjegime praktike për tërheqjen nga noti, feja shpjegon transformimin e qëndrimeve ndaj saj. Pas zhdukjes së kulteve pagane në shekullin IV, panteonët e hyjnive ujore u demonizuan dhe pastaj u harruan shpejt, duke prishur lidhjen pozitive me ujin dhe notin.

I vetmi mit i mbijetuar ishte hibridi i njeriut-peshk, Sirena. Sipas përrallës “Sirana e Vogël” e Hans Kristian Andersenit (1837), Sirenat ishin të ndjeshme, por pa shpirt, një lloj gjallese midis njeriut dhe kafshës. Gjatë Mesjetës, sirena simbolizonte një marrëdhënie të paqartë me ujin, sidomos midis marinarëve dhe peshkatarëve të bashkësive bregdetare, për të cilët ato përfaqësonin si joshjen e detit, ashtu dhe rreziqet e tij vdekjeprurëse.

Historiani francez, Zhyl Mishële e përshkroi mesjetën si “një mijë vjet pa banjë”. Mungesa e banjove dhe kulturës së notit në Europën Perëndimorem, i parapriu epokës së mesme dhe i mbylli ato për disa shekuj. Obortarët elegante të Versajës së shekullit XVII-të qelbeshin erë nga mungesa e zakoneve të larjes dhe higjenës, thjesht për shkak se sallat dhe apartamentet lukzoze të mbretit Diell, nuk ishin të pajisura me banjo dhe tualete.

Të vetmet momente, kur anëtarët e elitës së Europës Perëndimore laheshin rregullisht, ishte vetëm për qëllime mjekësore. Kthimi tek noti në Europën Perëndimore, ishte një proces i ngadaltë që filloi në shekullin XVI-të. Megjithëse nuk kemi statistika për vdekjet nga mbytjet në Anglinë e Tudorëve, numri i tyre ishte ndoshta më i madh se në Britaninë e Madhe në fundin e shekullit XIX, kur mbyteshin çdo vit 2.264- 3.659 njerëz.

Ju mund të mendoni se e vetmja masë e efektshme kundër mbytjes, do të ishte të mesoheshin njerëzit si të notonin. Por në vitet 1530, shkollat ​​dhe universitetet gjermane vendosën se mjeti më i mirë do të ishte ndalimi total i notit, i cili në qytetin universitar të Ingolshtadit buzë lumit Danub, dënohej me rrahjen me kamxhik të të mbyturit përpara varrimit.

Një ndalim i ngjashëm për të notuar, hyri në fuqi në Kembrixh të Anglisë më 1571, me dënime të ashpra për shkelje:dy kamxhikime publike, një gjobë prej 10 shilingash, dhe një ditë qëndrimi vetëm në të brendshme, dhe përjashtim nga universiteti nëse shkelja përsëritej.

Pavarësisht nga ky mjedis armiqësor, disa nga dijetarët kryesorë të oborrit mbretëror Tudor, rekomanduan notimin si një formë ushtrimi, dhe si një mjet për të shpëtuar jetën. Më me ndikim në të gjitha ishte Everard Digbi (1550-1605), i cili botoi librin “De arte natandi” (Arti i të notuarit) në vitin 1587.

Zbulimi i notit ndodhi në Angli, në qytetin bregdetar Jorkshajër në vitin 1667, kur Dr.Robert Uiti rekomandoi banjo në ujin e detit, për një gamë të gjerë sëmundjesh. Praktimi i notit për qëllime mjekësore, përkoi me zbatimin e reformave arsimore të propozuara nga mendimtarët iluministë Xhon Lok (1632-1702) dhe Zhan Zhak Ruso (1712-78) për të përfshirë lojërat dhe stërvitjen fizike në qendër të plan-programit mësimor, në funksion të rritjes së fëmijëve më të shëndetshëm dhe më të ekulibruar.

Së shpejti, shkollat ​​publike të shkollave angleze në Harrou dhe Itën po i inkurajonin nxënësit e tyre të mësonin të notonin, për të parandaluar incidentin e mbytjes, një shqetësim i veçantë për Itënin me traditën e tij të larjes në lumin Tamiz. Në Gjermani, Johan Guts Myts (1759-1839) shkroi ”Gymnastik für die Jugend”  në vitin 1793 (Gjimnastikë për Rininë) me një kapitull mbi notin dhe larjen.

Mësuesit e iluminizmit dhe mjekët, mund të kenë qenë në pararojë të ringjalljes së praktikës së notit, por ishte ushtria ajo që vuri në zbatim një program sistematik të edukimit mbi notin. Në kohën e Ancien Régime në Francë, pasi një katastrofë detare mori jetën e shumë kadetëve dhe marinarëve që nuk mund të notonin, Bartolome Turkin hapi Ecole de Natation (Shkollën e Notit) në një pishinë të vendosur pranë njërës prej urave të Parisit.

Por ishte fushata europiane e Napoleonit I (1769-1821), ajo që nxiti vërtet zhvillimin e notit. Në përgjigje të humbjeve të përsëritura përballë francezëve, Prusia, Austria dhe disa shtete të mëdha gjermane ndërtuan pishina për të trajnuar si burrat dhe kuajt në bëtejat detare.

Notimi në masë, u shfaq në fundin e shekullit XIX, kur zhvillimi i rrjetit hekurudhor u dha mundësinë miliona banorëve të qytetit të kenë qasje në vendpushimet bregdetare. Sot, miliarda njerëz notojnë për të mbajtur trupin në formë, apo për t’u argëtuar në pishinat e tyre private apo publike.

Por njerëzit notojnë edhe për eksplorime shkencore dhe ndërtime nënujore. Varësia jonë nga noti vetëm sa do të rritet, kur të zgjerohemi më tej në 71 për qind të sipërfaqes së tokës të mbuluar nga uji. Mund të mos ketë pasur kurrë majmunë ujorë në të kaluarën e njerëzimit, por me siguri do të ketë njerëz ujorë në të ardhmen.

Shënim: Eric Chaline është autor i librit ”Lëvizje gjeniu:Një histori e notit”. / HIstory Today – Bota.al

SHKARKO APP