Si u shuan në Shkodër më 17 korrik 1915, rilindasi Çerçiz Topulli dhe intelektuali Muço Qulli
Nga Albert Vataj
Si çdo vrasje e këtij kalibri, edhe kjo e këtyre dy personazheve me peshë, do të vinte me kohën të interpretohej një mënyra dhe pretendime të ndryshme të së vërtetës. Por falë dëshmitarëve që jetuan atyre kohëve të trazimta, thjeshtësisë dhe vërtetësisë, me të cilën ata rrëfejnë këtë ngjarje, ne kemi mundësinë të njohim të vërtetën dhe të ballafaqohemi me faktet.
Sejfi Vllamasi në librin e tij “Ballafaqime politike në Shqipëri” shkruan mes të tjerash për një nga vrasjet e bujshme të asokohëshme. Më 17 korrik 1915 u pushkatuan në fshatin Golem të Shkodrës atdhetari dhe veprimtari i shquar Rilindjes Kombëtare, Çerçiz Topulli dhe intelektuali Muço Qolli.
“Mua më thirri gjeneral Veshoviq, nis rrëfimi, me porosi që të marr edhe diplomën me vete. Pasi e kontrolloi me vërejtje m’i nguli sytë e tij prej krimineli në bebëzën e syrit dhe më tha: “Ik, se të thërras kur të kem nevojë”. Kështu, pasi Bashkia kishte nevojë për veterinar, ashtu edhe ai vetë, më la të lirë. Të gjithë të arrestuarit u nisën për Cetinë. Më 16 korrik, bashkë me Hamit Gjylbegun shkuam në kazermë, ku takohemi me toger Halimin prej Peje, oficer në ushtrinë malaziase i cili na tha: “Çerçizi me Muço Qullin janë në kazermë”. Halimi ishte I mërzitur dhe na shtoi: “Pritet të vijë major Bahri Begolli, adjutant i kral Nikolës. Në qoftë se majori vjen sonte, të dy të burgosurit kanë shpëtue”. Mjerisht, Bahri Begolli u vonua dhe natën e 17 korrikut, duke u gdhirë, patrioti dhe trimi legjendar Çerçiz Topulli me Muço Qullin u pushkatuan në fushë të Shtoj, afër katundit Golem, prej një toge ushtarake malaziase. Vrasjen e tyre me hollësi e morëm vesh në janar të vitit 1916, kur hyri ushtria austriake në Shkodër. Qysh atë ditë, si dy shokë të ditëve të zeza e të pandarë, prapë bashkë me Hamitin kaluam nëpër Golem, ku hasëm rastësisht një të quajtur Mahmut Golemi, i cili, kur ia treguan shkakun e vizitës, na u përgjigj si vijon:
“Natën e së premtes, natë ramazani, para se del drita, dola me ngarkue sanë prej livadhit, në freskë, kur prej së largut pashë tuj ardhë dy njerëz të përcjellë prej afro 15 ushtarësh, të cilët kur më panë, më urdhëruan të largohem, dhe unë u fsheha mbrapa qerres. Kur erdhën deri në një vend, atje u ndalën dhe ushtarët morën pozicion me qitë mbi dy personat në fjalë. Ai që ishte veshë me petka bojëhini që ia kisha dhënë unë pse kishte mbetur pa xhaketë (Muço Qulli) bërtiti në një mënyrë alarmante, e një burrë i gjatë dhe i plotë, i bërtiti shokut tue i thanë: “Mos u tremb se patriotët kështu e kanë”. Ushtarët qitën; ai me petka bojëhini ra dekun, kurse tjetri, tue sha, me një zë luani e me një shpejtësi të rrufeshme, mësyn ushtarët dhe pa u lanë kohë të qesin të dytën herë, hyn midis tyre dhe erdhi fytyrat me ta për të marrë një pushkë prej tyre. Kjo luftë vazhdoi afro një minutë. Në atë përleshje mbasi gjetën rast i ranë për herë të dytë dhe e vranë. Të nesërmen shkova në vendin e ngjarjes, ku i pashë se ishin mbulue krejt cekët e me ferra. Si myslimanë që ishin, për sevap, i mbulova më thellë. Në kontrollimin e gropës gjetëm shumë shenja që i përkisnin Muço Qullit, pasi trupin e Çerçizit që ishte mbuluar më thellë nuk e prekëm. Gjeneral Veshoviq kishte vrarë më se 2.000 shqiptarë në atë kohë nga malet e rrethet e Shkodrës e të Kosovës. Kështu mori fund jeta e Heroit të Mashkullorës, pa mundur të hakmerrej nga armiqtë e kombit shqiptar. Çerçizi u vra me nxitjen e Tozlit, tregtar grek në Shkodër, për ta marrë hakun e peshkopit grek që e kishte varë Çerçizi bashkë me Mihal Gramenon në Guri i Cjapit më 1907 për të marrë gjakun e Spiro Kosturit, vrarë nga grekët në Selanik. Muço Qulli u vra si austrofil.