“Simbolet e pikturës në Vlorë”
Nga Albert Habazaj *
Me miqtë e bibliotekës, librit dhe artit pamor, mësuesit e pedagogët qytetit, shkrimtarët, artistët dhe dashamirësit e vëmendshëm të leximit u bëmë bashkë në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë. Nuk u mblodhëm të ndjekim një leksion fizike apo të bëjmë një bashkëbisedim për metodikën e mësimdhënies së kësaj shkence të bukur natyrore nga mësuesi me përvojë, ish pedagogu i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, miku ynë i bardhë Vaso Pata. Për “Ditën Kombëtare të Vëmendjes ndaj Bibliotekave”, Universiteti “Ismail Qemali”, Biblioteka Shkencore e Universitetit, në bashkërendim me Galerinë e Arteve, Vlorë, Shkollën Artistike “Naim Frashëri”, Gjimnazin “Ali Demi” dhe Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë, organizuan diskutimin e librit “Simbolet e Vlorës në pikturë” të autorit Vaso Pata. Të gjithë e njohin dhe e nderojnë profesor Vason në qytetin e Vlorës dhe në botën studimore-shkencore, sepse qytetari Vaso Pata është një nga ata njerëz që i kanë dhënë emër qytetit, sepse studiuesi Vaso Pata është një nga ata punëtorë të mendjes, që i kanë dhënë dinjitet studimtarisë shkencore jo vetëm në fushën e edukimit dhe fizikës, por edhe për zbukurimin e hijshëm të botës kulturore. Me Vaso Patën më ka njohur para shumë vitesh miku im i paharrimtë, poeti fisnikërisht i bukur, Anastas Bita (23.09.1943-06.05.2008). Ndërsa, aty nga vitet 2005, kur në Universitetin tonë kishte dhe program part-time, një studente, kushërira ime dhe moshatare me mua, që, edhe pse me mesatare gjimnazi 9.5, s’e kishte bërë dot arsimin e lartë në kohën e kaluar, më thotë: “Ore, Bert, e di ti, që jemi me fat, se na jep mësim një zotni burrë, i bardhë, i drejtë, i lartë, fisnik, që na e bën fizikën një lëndë të këndshme e tërheqëse, si muzikë e bukur. E natyrshëm të imponon respekt. Quhet Vaso Pata”. Natyrisht më erdhi mirë ky opinion. Miqësia e vërtetë dhe dobishme, opinioni i verifikueshëm studentor etj., më nxitën që atëherë, para 10 vjetësh, më 2007 të botoja një shkrim në gazetën “Ndryshe”, me titullin: “Rriten pёrmasat e Universitetit “Ismail Qemali” tё Vlorёs”, ku, pedagogu i kohës Vaso Pata, profesori pa karton, por me dije kaluar dhe shumë prej atyre që e kanë këtë titull akademik, ishte protagonist kryesor i shkrimit. Këto ditë, një miku im më tregon: “E kam njohur Profesor Vason, kur isha nxënës në gjimnazin “Halim Xhelo” dhe ai ishte mësues. Nuk më ka dhënë mësim. Një tjetër mësues shumë i mirë ma ka bërë lëndë të dashur fizikën e vështirë. Pavllo Llukmani, për të cilin kam shumë respekt dhe sot e kësaj dite. Po e di ç’na thoshin shokët e klasave të tjera: “Sa pa fat jeni, që nuk bëni mësim me profesor Vason”…
I mirënjohur në Vlorën arsimore e njerëzore, simbol i mësuesit të vërtetë, me një përvojë të gjatë pedagogjike dhe emër të respektuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale të qarkut të Vlorës, Vaso Pata është një nga ikonat e fizikës “vlonjate”. Ai nuk ka titull shkencor të mbrojtur, por ai është profesor i shumëve me tituj. Ai studion, spjegon, shkruan, boton, krijon e përherë punon me vullnet balzakian jo vetëm në fushën e tij, por edhe në fusha të tjera të diturisë. Ka botuar disa libra metodikë dhe popullarizues të fushës, nga të cilët mund të përmendim: “Metodikë për zgjidhjen e problemeve të fizikës I dhe II”, “Sekretet bërthamore”, “Nobelistët”, “Metodikë për zgjidhjen e problemave të fizikës (ripunuar)”,“Problema të zgjedhura fizike për klasat VI, VII, VIII”etj. Vaso Pata na la një përvojë mbi 35-vjeçare në arsim duke dhënë lëndën e fizikës, pothuajse, në të gjitha llojet e shkollave. Ka punuar me nxënës pjesëmarrës në olimpiadat lokale e kombëtare të fizikës. Prej vitit 1993 ka punuar si inspektor e metodist pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale të Vlorës. Krahas punës si inspektor ka dhënë lëndën e metodikës së fizikës në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës. Ka organizuar disa olimpiada lokale e rajonale, me nxënësit e klasave VI,VII,VIII. Ёshtë autor i një numri të madh tekstesh fizike për shkollat 9-vjeçare, të mesme e të larta. Kur jepte mësim në Universitetin tonë, studentët thoshin: “Na vjen turp kur jemi në auditor para tij të papërgatitur. Ai na mësoi metodikën e fizikës. I jemi mirënjohës”. Vaso Pata ka një stil të veçantë të shkruari. Fjala vjen, te “Metodika për zgjidhjen e problemeve të fizikës”, librin e ka konceptuar në dy pjesë dhe përmban metodën e zgjidhjes së problemeve të fizikës së përgjithshme, shoqëruar me 1000 probleme, gjysma e të cilave janë të zgjidhura. Libri, duke perifrazuar thënien e një statisti të njohur amerikan, sqaron autori, nuk synon t’u jap peshk nxënësve, por synon t’i mësojë ata që të peshkojnë vetë. Te libri “Sekretet bërthamore” autori shpalos dijet e tij në funksion të admiruesve e kuriozëve të shkencës për sekretet bërthamore, ato të natyrës shkencore, teknologjike e ushtarake, për jetën dhe veprimtarinë e personazheve kryesore të fizikës bërthamore, për historinë e zhvillimit të saj. Te “Nobelistët në fizikë” merita e autorit është se ka bërë një libër ku flitet për nobelistët e fizikës, për jetën dhe veprimtarinë e tyre, nga viti 1901 deri në vitin 2001. Ka dhe indeksin e fituesve të çmimit “Nobël” në të gjitha fushat. Te vëllimi im poetik “Mërgata e Luleve” (Tiranë, Globus R, 2006, f. 165) kam botuar edhe vjershën “Pak bilanc historik”-Thirrje pacifiste (frymëzuar nga Ajnshtajni dhe poeti i fizikës Vaso Pata).
Vaso Pata do të ngelet në kujtesën universitare të qytetit tonë, ndër pedagogët që sollën risi bashkëkohore në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë. Emri i Vaso Patës radhitet krahas atyre që ndërtuan kulturalisht Vlorën e re. Vlera e këtyre Nestorëve të qytetit qëndron se urbanizuan Vlorën, i dhanë një fytyrë të re këtij qyteti antik buzë detit.
E bëra këtë paraqitje për të thënë, se nuk përbën befasi botimi i këtij libri studimor e nderues për piktorët e Vlorës. Vaso Pata është vërtet fizikan, por pikturën e ka në gjak e në frymë, ndoshta qysh në klasën e shtatë, kur u fut në rrethin e vizatimit apo dhe më parë, xhanëm. Drejtimi i duhur që mori për plotësimin arsimor e ndihmoi shumë, që sot, në moshën 72 vjeçare të na dhuronte këtë libër të bukur e të merituar për kontributet e çmuara të piktorëve të Vlorës në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. Do ta quaja një studim monografik, shkruar me dashuri, mirësi dhe njohuri për ata çka autori i ka cilësuar qartë “Simbolet e pikturës në Vlorë”. Ky libër me 300 faqe tekst dhe figura, me letër të zgjedhur e speciale, i ndërtuar në 16 kre, me parathënie, hyrje, me bibliografi të pasur e të përzgjedhur nga studiues shqiptarë e të huaj, me ISBN dhe patjetër me ilustrime (54 imazhe, 4 të piktorëve të huaj dhe 50 të piktorëve të Vlorës), po shprehem edhe si bibliograf e kalatogues i standardit ndërkombëtar të përshkrimit bibliografik të njësive bibliografike libra dhe jolibra, që ky tekst i përmbush kriteret e klasifikimit si punim shkencor. Qysh me kreun e parë, ku autori përshkruan historikun e pikturës si një nga artet më të vjetra të njerëzimit, lexuesit i shpaloset një botë e pasur me dije të fushës dhe në rrafshin e krahasimtarisë me disiplina të tjera shkencore të mundshme dhe të nevojshme. Ky libër është i pari në Vlorë dhe ndoshta nga të paktët, në mos i vetmi dhe në Shqipëri në llojin e vet, ku zenë vendin e merituar, qysh nga Vasil Talo, “përej mjegullës”, i cili krijoi shkollën e parë të pikturës në Vlorë, dy korifejtë e shkollës vlonjate të pikturës: “Piktori i Popullit” Skënder Kamberi, që thotë pa mburrje “Jam më shumë se një nga simbolet e Vlorës”; “Piktori i Popullit” Nestor Jonuzi, që është siç ka emrin e shndërrohet në simbolikën shumë përmasore universale të gëzimit të fitores; “Piktor i merituar”, Agron Dine, rebeli e “mëkatari” i madh i “Nudos”; më tej piktori i Monumentit për nënën, kritiku i artit, autori i monografisë “Përtej mjegullës: biografi e letrarizuar kushtuar Vasil Talos”, pedagogu i historisë së artit në Univesitetin “Ismail Qemali”, miku ynë i paharruar Ilmi Bani (1942-2014); akuarelistit Rakip Shabani, përfshirë në enciklopedinë botërore; penelisti i përkushtuar Kristaq Pavli; piktori dhe karikaturisti me famë botërore Agim Sulaj; përfaqësuesi më i spikatur i brezit të dytë ndër piktorët e Vlorës impresionisti Edi Kojani; Zinni Veshi, të cilit, edhe në Nju Jork, ku banon, i shkojnë me ëngjët e mirësisë mesazhet tona të nderimit nëpërmjet librit të profesor Vasos; i mbarënjohuri Artan Shabani i “Baladës Çame” apo “Baladës së kripës” siç guxon Vasua e i sugjeron piktorit për punimin në vaj “Uomini del sale”; harmoningyrori Arsen Kurti; piktori talentuar e me perspektivë Roland Runaj, simboliku “i shpallur në kërkim” për stigmatizimin sarkastik me motivin e diktaturës në kompozimin “Rakia e fundit” e deri tek portretisti i ri që bulëzon vrullshëm e fuqishëm, Klaus Hysa. Në libër nuk mungojnë shënimet për “munguesit e pikturës vlonjate”, veprat e të cilëve studiuesi dhe koleksionisti i pikturës Pata nuk i ka të afishuara në muret e shtëpisë, për arsye të mungesës së kontakteve me ta, të mospasjes së veprave të tyre në koleksionin e tij, apo siç shprehet vetë me modesti gati të tepruar, por thënë shumë qytetarisht, për mosnjohje në thellësi të veprës së tyre (shumica me banim në SHBA, Itali e gjetkë). Dhe kujton Lefter Shtëmbarin, Ilirian Haskon, Petraq Stefanin, Fatos Zyberin, skicon emrat e dëgjuar, si miniaturisti Petrit Ceno; piktori, skenografi e karikaturisti Sabaudin Xaferri, koloristi i nuancave Bujar Kapo, pranverori i freskët Adrian Tena e deri tek Helidon Faslli Haliti, akuarelisti surrealist, jovlonjati i vlonjatizuar nga magjia e mjeshtrave Kamberi-Jonuzi. Nuk është vetëm mendimi im, por edhe i miqve të tjerë të librit dhe kulturës në qytet, se fizikani Vaso Pata ka realizuar një monografi të mirë si të ishte një studiues i mirëfilltë i fushës, i plotësuar dhe me dijet e duhura, denjësisht i ballafaqueshëm me studime të kritikëve të artit në lëmin e pikturës. Edhe pse thotë që e kam shkruar për kënaqësinë time, ne themi që ka plotësuar dhe kënaqësinë tonë; edhe pse thotë që libri nuk mëton të pasurojë historikun e artit pamor vlonjat, ai ka mbjellë një lule të freskët e të shëndetshme, që nuk mund shkulet kurrë nga trëndafilishtja e pikturës së Vlorës, sepse ai vërtet shkruan shijet e tij, por shpreh e zbukuron dhe shijet tona. Vaso Pata është mirënjohës dhe bujar. Ai fal dashuri, mirësi, dituri e kulturë. Na fal dhe këtë libër të veçantë, si kontribut kulturologjik për simbolet e Vlorës në pikturë. Kam qenë shpesh në shtëpinë e Vaso Patës. Kam parë piktura të dhuruara nga Nestor Jonuzi, Agron Dine e ndonjë tjetër. Shtëpia e Vasos është një minimuzeum pikture e studiuesi Vaso Pata, më ngjan si një bibliotekë në lëvizje, që nderon Nestorin e urtësisë dhe adhuron Dionisin e verës. Le të jetë ky vlerësim i merituar që Vaso Pata u bën piktorëve, që edhe miqtë tanë të penelit t’i dhurojnë Vasos, nga një punimet e tyre … Vepra e profesor Vaso Patës na kujton dijetarët e antikitetit. Ajo duhet njohur e vlerësuar duke ia përcjellë brezave për të patur një Shqipëri më të bukur, më të mirë e të përparuar.
* Përgjegjës i Sektorit të Shërbimit të Librit (shtypshkronjë dhe e/book), Universiteti “Ismail Qemali”, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë