Sipërmarrësja shqiptare me 10 mln $ kompani në SHBA, apel të rinjve: Të ulin kokën dhe të punojnë!
Nga Sabina Veizi
Ajo është e para që ka sjellë një inovacion në fushën e modës së qëndrueshme. Ka fituar çmimin e parë në shkollën më të famshme të start up-eve në botë Y Combinator në Silicon Valley, ku ka takuar dhe është frymëzuar nga themelues të kompanive të fuqishme në botë si AIRBNB, DroBox, Google, Instagram, Facebook, etj. Ajo po punon fort për të realizuar ëndrrën e saj; që kompania e vet në 10 vitet e ardhshme të zërë 1/3 e tregut botëror të modës prej 4,5 trilion dollarë. Vajza në fjalë quhet Lona Alia dhe unë e takova pasditen e të premtes tek Mon Cheri në rrugën Myslym Shyri.
Karriera e saj nuk është zhvilluar në Shqipëri, por ëndrrat, dëshirat, përpjekjet e saj për t’u rritur si njeri dhe profesioniste po. Lona prej gjashtë vjetësh ka themeluar kompaninë e saj on line “StyleLend” me një kapital 40 mijë dollarrë, para të punës së saj ndër vite. Ajo ka punuar për dhjetë vjetë në fushën e modës për Ëilhelmina dhe më pas në fushën e marketingut për brande si Versace, Levi’s, Guess, GM, etj. Mandej i është dedikuar ndërtimit të aplikacioneve teknologjike për fushën e modës në Silicon Valley.
Gjetëm një qoshe disi të qetë në lokal dhe hymë direkt në temë, sepse Lona kohën për të qëndruar me mua, ia kishte “vjedhur” të birit 4 muajsh me të cilin e sëbashku me gjithë familjen kanë mbërritur në Tiranë për të kaluar rreth dy muaj në Shqipëri.
Lona më tregon se është patriote dhe e do Shqipërinë shumë. Ka mall dhe ka nevojë ti ruajë marrëdhëniet me vendin e lindjes ku ka kaluar 15 vite të jetës së saj, që i kujton me nostalgji. Prandaj, vjen çdo vit në Shqipëri dhe kërkon me dëshirë të madhe të rijetojë ato që ka jetuar 22 vite të shkuara kur ka qenë në Tiranë, “por është e pamundur”-thotë. “Kanë rrjedhur shumë ujëra qysh atëherë”.
“Nga Shqipëria mbaj mend fëmijërinë, më të bukur nuk mund ta kisha. Mbaj mend frutat që hanim nëpër pemë, që luanim jashtë, me çelës në qafë mund të shkoje kudo, bozën, më pëlqen shumë.”– thotë Lona me një buzëqeshje fëmijërore dhe sytë e përhumbur sikur të dojë të shkojë sërish në atë Tiranë të 22 viteve më parë.
Por ajo tani jeton në New York. Ka një kompani të suksesshme që aktualisht vlen 10 mln dollarë, Një staf prej 6 vetësh dhe të tjerë praktikantë, e mbi të gjitha 15 investitorë që i kanë besuar idesë dhe punës së saj.
“Nga Shqipëria mbaj mend fëmijërinë, më të bukur nuk mund ta kisha. Mbaj mend frutat që hanim nëpër pemë, që luanim jashtë, me çelës në qafë mund të shkoje kudo, bozën, më pëlqen shumë.”
Lona beson se biznesi është në gjakun e individit. “Unë kam edhe një vëlla, por unë jam e prirur për biznes. Është individuale, lind me këtë dhuratë, me ambicien që do të bësh diçka për veten tënde si në shkollë dhe në punë. Që e vogël kam patur dëshirë të kem kompaninë time. Pastaj mu dha rasti të shkoj në Silicon Valley ku u njoha me themeluesit e kompanive si Yahoo, Linkedin, Google, Facebook. Këto janë kompani multi miliardere dhe thashë pse të mos bëhem edhe unë?”
StyleLend është një treg mode on line ku jepen rroba me qira të brandeve cilësore, ku vlera e shitjes së produktit me pakicë nuk është më e vogël se 200 $. Idea lindi kur Lona ishte në Silicon Valley prej tre vitesh për të ndjekur një MBA pasi kishte përfunduar studimet për biznes në Universitetin George Ëashington në Ëashington DC. “Por aty nuk më eci shumë”- më thotë Lona. Sëbashku me një kolege nga Danimarka kishte iniciuar një kompani on line për shitjen e rrobave të përdorura për femra, të firmave të shtrenjta. Por kolegia u kthye në Danimarkë për shkak të vizës dhe kompania u mbyll.
Ajo kujton fillimet e bisedimeve me investitorë të cilët nuk e besonin zgjerimin e tregut on line. “Ata na thoshin pse do të bëni diçka të ngjashme me ebay kur ebay ka vite në treg dhe është i konsoliduar. Do të dështoni. Por ata e kishin gabim. Unë e ndieja që ky treg do të ishte e ardhmja. 10 vite mbrapa ne shohim që ka kompani të ngjashme me ebay dhe kanë bërë në vit 100 mln dollarë plus”– më tregon Lona.
Ajo thotë se ishte instiktiv parashikimi dhe këmbëngulja e saj për të eksploruar dhe patur sukses në këtë lloj tregu. Shtoji kësaj edhe nevojën. “Por kuptuam që ishte ide e mirë sepse tregu u hap kaq shumë ndaj rrobave të përdorura sa ata nuk e kishin idenë se sa do të vlente. Unë kam shëtitur në 77 vende të botës dhe jo gjithmonë më lindtte nevoja për të blerë gjëra të reja. Mund të blija brande të mira të përdorura, ose të shisja ato që kisha. Trendi po rritej. Por tani është trendi i momentit. Dhe parashikohet që në 10 vjeçarin e ardhshëm të kalojë kompanitë multimiliardere si Zara, H&M, Bershka, etj. Njerëzit do të bëhen më koshientë në lidhje me atë çfarë blejnë, ku e blejnë, si e blejnë. Por po shpenzove pak, edhe cilësia është shumë e ulët kur bëhet fjalë për rroba të reja. Tani synohet moda e qëndrueshme, eko. Sepse moda e shkatërron me të vërtetë botën; që nga fijet plastike, ngjyruesit. Poliestra, plastika që ti vesh nuk dekompozohet. Kjo plastikë shkon në oqeane që e hanë peshqit, ne hamë peshqit bashkë me plastikën…” -më arsyeton Lona gjatë bisedës, duke më shpjeguar në këtë mënyrë edhe filozofinë e kompanisë së saj.
Për Lonën kjo filozofi qëndron brenda njeriut, por arrihet të aplikohet kur ngopesh dhe ndërgjegjësohesh se shpenzimi për rroba është i dëmshëm.
Ajo rrëfen se gjithë jetën ka patur rroba të bukura për shkak se edhe kur ishte në Shqipëri, prindërit dilnin jashtë kufijëve për punë. “Dhe të gjithë i donin rrobat e mia, sespe ishin shumë të bukura. Por unë në atë kohë e kisha problem të huazoja rrobat e mia. Kur shkova në Amerikë dhe u ngopa me rroba, kisha nevojë të largoja shumë prej tyre nga dollapi, mendova pse të mos i monetizoj dhe t’u nxjerr vlerën e blerjes?!”
“Tani filozofia e të rinjve ambiciozë dhe të mirëshkolluar ka ndryshuar. Ata shpenzojnë tanimë për eksperienca. Përshembull unë kam shkuar tre herë tek Burning Man. Ndodh një javë në vit në një ishull në Nevada. Aty zbulon njerëzit e vërtetë të zhveshur nga materializmi. Aty jep ose merr diçka nga dikush pa pritur kush tia kthesh. Kushton shtrenjtë, shkojnë kryesisht sipërmarrrës të rinj, por ka mënyra edhe më të lira për ta arritur këtë udhëtim një javor ëndërr ku mund të bësh miq apo të krijosh një rrjet njohjesh.”
“Tani filozofia e të rinjve ambiciozë dhe të mirëshkolluar ka ndryshuar. Ata shpenzojnë tanimë për eksperienca, udhëtime. Jo rroba”
StyleLend është një aplikacion në Apple, ose web. Ende jo në Android. Aplikacioni është funksional vetëm për Amerikën aktualisht. Vajzat dhe zonjat që kanë veshje të mira të brandeve të shtrenjta që kushtojnë jo më pak se 200$ kur blihen të reja në dyqan, i vendosin ato në aplikacion për ti dhënë me qira për evente të ndryshme.
Dikush që ka nevojë për një fustan për mbrëmjen e Krishtlindjeve përshembull, më shpjegon Lona, në vend që ta blejë 200-300 dollarë , e merr me qira për 30 dollarë dhe e mban një javë. “Nëse do ta blije të ri, do të harxhoje 300 dollarë për ta veshur vetëm një herë dhe do ta mbaje në dollap me vite të tëra pa e veshur sërish. Ti pasi regjistrohesh në ëeb ose shkarkon aplikacionin në telefon, hyn dhe shikon veshje të ndryshme.” . Lona ndez telefonin, hap aplikacionin dhe më tregon “Përshembull; ky fustani Chanel kushton 1000 dollarë nëse e blen të ri, kurse në StyleLend e merr me qira për 50 dollarë. Për një javë. Dërgimet bëhen me postë. Për dy ditë të vjen fustani. Dhe brenda 7 ditëve ti e kthen mbrapsht me të njëjtin paketim”.
Një veshje thotë Lona, mund të jepet me qira deri në 30 herë dhe në këtë mënyrë nxirret më së miri vlera e blerjes dhe bëhen të lumtur shumë njerëz e mjedisi nuk dëmtohet. Kompania ka parashikuar gjithçka në lidhje me dëmtimet apo zgjidhjen e çfarëdo problemi mes klientëve. Aplikacioni mban një taksë prej 20%. StyleLend është inovacion në fushën e modës për dhënien me qira të rrobave të firmave të shtrenjta për evente të ndryshme , por më pas Lona më tregon se e kanë kopjuar disa syresh, por që nuk janë zhvilluar pasi kërkon shumë investime.
“Unë kam marrë nga investitorët 1,7 mln dollarë në Silicon Valley, San Francisco dhe Neë York që janë Venture Capitalist që financojnë sipërmarrjet e reja. Ti njihesh me ta përmes njohjeve të përbashkëta. Çelsi është të kesh një rrjet të gjerë njohjesh. Ti iu jep një link që iu prezanton kompaninë, si ka nisur, si është rritja, sa shitje ke, cili është grupi i punës, etj. Nëse iu pëlqen, kërkojnë tu prezantohesh. Brenda 30 minutave, në bordin e kompanisë së tyre duhet tu shpjegosh të gjithë kompaninë si funksionon dhe arritjet e saj e vizionin për të ardhmen. Kjo është vlera e kompanisë dhe ti do marrësh një përqindje në bazë të asaj që investon”.
Për të në fakt pjesa e financimit ka qenë e lehtë. “Sepse kur mbaron Accelerator Y Combinator ke shumë mundësi financimi. Nëse iu pëlqen idea jote dhe ti si person, të financojnë.”
Lona është e vetmja shqiptare që ka fituar dhe frekuentuar Y Combinator, ku aplikojnë mijëra sipërmarrës të rinj, start up-e dhe fiton vetëm 1% e tyre. “Në fund të 3 muajve të shkollës prezanton projektin tënd përpara 500 investitorëve. Klasa jonë kishte 80 kompani. Këto 80 kompanitë do të bënin prezntimet e tyre për të marrë financime. 4 min prezantim. Nëse ata i pëlqejnë, pyesin për detajet. Do të bësh një prezntim tjetër tek bordi i kompanisë të tyre. Kam folur me qindra investitorë. Disa kanë investuar, disa të tjerë jo.”- më tregon Lona.
Por ajo thotë që ka ende shumë shumë punë që duhet bërë. “Duhet të shkojmë më tej, por e mira është që të kthesh kokën mbrapa e të vlerësosh punën që ke bërë. Sepse është e lehtë të shohësh më lart e të thuash që nuk kam bërë asgjë. Po nga hiçi ne kemi krijuar shumë. Kemi 60 mijë klientë deri më tani, vajza dhe gra nga 19-35 vjec.”
Lona e ka nisur ëndrrën e saj 22 vite më parë kur ndihmonte prindërit në punët e biznesit. Ishte 10-11 vjeç atëherë në “90-ën. E ëma merrej me agrikulturë dhe i ati dilte shpesh jashtë për biznes.
Pasi kryen një vit kolegjin turk, ajo niset për shkëmbim studimesh në Amerikë. Ajo mendonte se do të shkonte në Beverlly Hills, aty ku për gjatë e kishin shpënë filmat që ndiqte në TV në Tiranë. Por mbërriti në një familje teksane e cila nuk ishte e përshtatshme për të , ku kaloi keq sepse edhe i vodhën. Ndërroi familje e qëndroi në mezipritje derisa i erdhën prindërit. Nga Texasi u zhvendosën në Florida e mandej në Ëashington DC ku Lona vijoi studimet e larta dhe u njoh me botën e modelingut. Pastaj nëpërmjet modelingut takoi një kompani start up që kishte të bënte me mjekësinë e syrit dhe që i duhej të shëtiste nëpër panaire në gjithë botë. “Kam shëtitur ne 77 vende të botës. Kjo më dha startin që të nisja diçka timen.”
“Për asnjë jeta nuk është e lehtë”- thotë Lona, “prandaj shqiptarët nuk duhet të ankohen, por të ulin kokën e të punojnë, të hapin diçka të tyre e të kenë ambicie për ta shpënë përpara. Të mos pengohemi nga vështirësitë dhe burokracitë. Nëse pengohemi realisht nga shteti, të dalim si studentët dhe të themi stop. Pse duhet të paguajmë nën dorë? Nuk janë normale këto gjëra. Unë vij nga Amerika ku çdo gjë është e rregulluar dhe paratë I merr shteti sipas ligjit”- më thotë ajo.
Pagesat për Lonën janë më të mëdha në Amerikë. “Unë taksohem dy-fish- thotë ajo. Një herë për biznesin 30-50%, sepse tani më bizneset on line janë të rregulluara me ligj dhe taksohem edhe për pagën. Paguaj 500 dollarë sigurime shëndetësore që nuk mbulojnë gjë, e shumë pagesa të tjera”. Por, Lona më thotë se në Amerikë nuk ka burokraci dhe nuk funksionojnë rryshfetet. Një biznes hapet brenda ditës dhe e gjithë procedura kushton 1000 dollarë.
Por për Lonën, Amerika ka një gjë që nuk e ka jo vetëm Shqipëria, por asnjë vend në botë; lirinë dhe mundësinë e barabartë pavarësisht se nga vjen. “Nëse në çdo vend tjetër do të ndiheshe qytetar I dorës së dytë për shkak të paragjykimeve, thotë Lona, në Amerikë nuk ndodh kështu. Nis përçmimi gjinor vetëm kur je në shkallët e larta të hierarkisë”
Por ajo pranon në fakt, që themeluesit meshkuj të bizneseve miliarda dollarësh që ajo ka takuar, nuk janë burra normal në aspektin se si mendojnë. “I kam takuar edhe fizikisht sepse duke bërë MBA në San Francisco, drejtori i shkollës më prezantoi me disa prej tyre sepse do të organizohej një event i madh për të na financuar MBA. Unë u lidha me ta dhe shkuam në shtëpitë e tyre, në një aktivitet me 100 lidera të rinj nga Ëorld Economic Forum. Janë të rinj nën 40 vjeç, kanë punuar shumë dhe janë të suksësshëm. Mund të jetë në punë shtetërore, private, mund të kenë një fondacion, mund të jenë kryetarë bashkie, etj.. Ata të duken sikur janë si ne, por ju punon truri ndryshe. Ata kërkojnë të kenë impakt në botë, në terma makro, të ndryshojnë dhe zgjidhin”- thotë Lona. Ajo më tregon se shumica e tyre janë me formim inxhinierik që kanë studiuar në Standford ose Harvard. “Institutet më të mira në Amerikë. Gjithë investitorët, kapitalistët, CEO-t vijnë nga këto universitete. Ata janë shumë të rezervuar, pa emocione, nuk flasin, nuk bisedojnë. Janë të heshtur. Ndihesh në siklet në fillim sepse bisedat e tyre janë vetëm rreth profesionit”
Por për Lonën ka shumë njerëz në botë me vision, edhe në Shqipëri. Ajo këshillon që të rinjtë shqiptarë të bëjnë zgjedhje racionale kur hyjnë në universitet. “Tregu nuk ka nevojë për jurist, por për inxhinierë, zhvillues programesh kompjuterike. Me këto profesione mund të punosh kudo në botë, si nga Shqipëria si të shkosh atje fizikisht”.
Një nga dëshirat e saj është që StyleLend-in ta sjellë në Shqipëri, por jo të shesë franchaising, por në formë bashkëpunimi. Lona po mendon, që të përplotësojë idenë e saj, të mendojë të përfishijë në apliakcion dhënien me qira, një mujore përshembull edhe të rrobave të përditshme.
Ajo më tregon se tregu sot kërkon aftësi përpos profesionit. Edhe stafin e saj në këtë mënyrë e ka zgjedhur. “Janë njerëz me pasion, që duan të bëjnë diçka të bukur dhe janë dy hapa para meje, jo dy hapa pas meje. Nuk presin urdhërat e mia, por janë të shkathët dhe parashikojnë kërkesat e klientëve.” Sepse Lona thotë që nuk ka kohë të merret me gjëra të vogla, por me strategjitë se si ta shpjerë biznesin përpara për të arritur 1 trilion dollarë. Marrë nga GazetaSi.al