Sitet shqiptare kulturore në penelin e artistit Roland Karanxhi
Rreth 114 punime sollën për të gjithë artdashësit peizazhet, portretet, natyrat e qeta dhe të gjitha eksplorimet në qytete të ndryshme të Shqipërisë, në sitet shqiptare kulturore dhe kudo që e bukura i ka tërhequr syrin artistit Roland Karanxhi.
Ekspozita e titulluar “Vazhdimësi” u çel mbrëmjen e djeshme në ambientet e Muzeu Historik Kombëtar .
Ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite e përshëndeti drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, i cili tha se, “është një kënaqësi për mua dhe Muzeun Historik Kombëtar të mirëpresim sot ekspozitën “Vazhdimësi” nga piktori i mirënjohur Roland Karanxhi. Mund të themi se kjo ekspozitë është një mozaik përmbledhës i gjithë karrierës profesionale të piktorit. Kur ndërthuret arti i traditës me atë të kohëve të sotme, rezultati ngjall kureshtje. Aq më shumë kur bëhet fjalë për emra profesional të pikturës shqiptare, si Rolandi që me artin e tij i ka folur edhe botës me ekspozitat e shumta që ka hapur jashtë shtetit. Pikturat e tij janë me ngjyra dhe pasqyrojnë individualitetin artistik dhe origjinal që karakterizon personalitetin e Rolandit”.
“Muzeu Historik Kombëtar është krenar që bashkëpunon dhe sjell artin më të pastër të pikturës për qytetarët shqiptarë nëpërmjet bashkëpunimeve që realizon me artistë të mirënjohur, duke pasuruar në këtë forma edhe jetën sociale-kulturore të Tiranës”, përfundoi Dorian Koçi.
Gjithashtu nuk munguan dhe artdashës dhe dashamirës të autorit të cilët ishin të pranishën në hapjen e kësaj ekspozite.
Piktori Roland Karanxha, është diplomuar për pikturë dhe grafikë pranë Universitetit të Arteve në Tiranë. Piktori ka çelur dy ekspozita vetjake dhe ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat kombëtare në vend.
Roland Karanxha është vlerësuar me çmime si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Ka marrë 4 çmime të para Kombëtare në skenografi, çmime të para në ekspozitat ndërkombëtare “V. Mio”, çmime të para në grafikë, si edhe ka marrë titullin “Emblema e Artë” nga Bashkia Korçë. /ATSH/