“Skënderbeu” i Henry Longfellowit në shqipërimin dhe misionin e Fan Nolit

Fan S. Noli ishte kush ishte. Poema “Skënderbeu” e poetit të madh amerikan, Henry Longfellow, marrë nga vepra e tij “Historitë e një Hani pranë Udhës”, Boston 1891, në shqipërimin brilant të Nolit, u erdhi shqiptarëve si libër më vete, me 32 faqe, në botim të “Vatrës”, në shtator të vitit 1916, me dy tekste, anglisht e shqip, dhe me shënime kritike e historike. Këtë botim Fan Noli ia kushton Faik Konicës. Njohësit e thonë që poema “Skënderbeu” e poetit të madh amerikan është një kryevepër për heroin tonë kombëtar dhe për epokën mahnitëse të rezistencës shqiptare kundër pushtimit osman

A e shkroi Longfellow “Skënderbeun” i nxitur nga Dora d’Istria?

Dora d’Istria, nga Amerika ku po qëndronte për vizitë, në njërën prej letrave që ia dërgon Jeronim de Radës, i shkruan për takimin dhe darkën që ka pasur me poetin e madh amerikan Henry Wadsworth Longfellow (1807-1882) dhe për temën e Skënderbeut që e kanë biseduar me të. Letra nuk është e gjatë dhe ia vlen ta riprodhojmë të plotë për arsyet e patriotizmit e të miqësisë së këtyre dy personaliteteve të posaçme të kulturës sonë, po edhe për arsyet e këtij shkrimi.

 Boston (Massachusetts), 31 korrik 1880
 “Zotëri,
Po ju shkruaj vetëm dy fjalë, sepse këtu ndodhem në një vorbull të përhershëm, por dua t’ju them se e kam marrë letrën tuaj në Amerikë, se kam pasur një udhëtim të mrekullueshëm me det, se jam fare mirë me shëndet dhe se poeti i madh Longfellow, që më ftoi para disa ditësh për darkë, më premtoi se do të shkruajë së shpejti një poemë mbi Skënderbeun. Porsa ta ketë të shkruar, unë do të jua dërgoj. Në muajin tetor do të kthehem në shtëpinë time në Firence. Dua të besoj që punët e Shqipërisë sonë të dashur do të kenë përfunduar deri atëherë. 
Pranoni, Zotëri, sigurimin për ndjenjat e mia vëllazërore”.
Dora d’Istria  

Besoj që edhe lexuesit më të zakonshëm e dinë që ka një poemë madhështore, “Skënderbeu”, autor i së cilës është poeti i madh amerikan Longfellow. Gjithë ata studiues që e përmendin këtë poemë e cilësojnë si një kryevepër për heroin tonë kombëtar. Po citoj nga FESH, vëll. II, f. 1553, Tiranë, 2008: “Henry Wadsworth Longfellow (1807- 1882), poet amerikan me veprimtari shumë të gjerë letrare. Shkroi vjersha, romane, pjesë teatrore, u mor edhe me përkthime nga letërsia klasike e popujve europianë. Nën nxitjen e Dora d’Istrias hartoi poemën romantike ‘Skënderbeu’ (1873) me temën e kthimit të heroit në Krujë pas betejës së Nishit. Kryetrimin poeti e ka paraqitur si një hero legjendar. Vepra është shqipëruar në mënyrë mjeshtërore nga F. S. Noli (1916)”. Autor i këtij teksti është Muzafer Xhaxhiu. Ndërmjet letrës së Dora d’Istrias dhe tekstit të M. Xhaxhiut ka shpërputhje, që shfaqen edhe tek autorë të tjerë. Ndër të tjerë, edhe vetë e kam përsëritur ngjashëm te libri im “Skënderbeu/Scanderbeg”, (ARBI Ltd, 2006, Prishtinë), ku i kam dhënë paralel origjinalin anglisht dhe shqipërimin e Nolit të kësaj poeme brilante, por edhe në librin “Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare” (S. Blakaj, I. Ismaili, ARBI Ltd-VATRA, 2017, Prishtinë-Nju-Jork), etj. Mospërputhja e dukshme është më datat. Letra e Dora d’Istrias ka datën 31 korrik 1880, ku thotë që Longfellow i ka premtuar që së shpejti do të shkruajë një poemë për Skënderbeun dhe se do t’ia dërgonte J. de Radës sa ta ketë gati poeti.

Henry Wadsworth Longfellow (1807-1882)

Familja ime, konkretisht vajza ime Paraylla, që jeton e punon në Washington DC, e ka botimin “Complete Poems” të Longfellowt të vitit 1873, dhe aty është poema për Skënderbeun, prandaj edhe e ka blerë. D.m.th. viti i daljes së kësaj vepre është po ai që shënon FESH-i, 1873. Tani çka të bëjmë me letrën e Dora d’Istrias? Nuk qenka shkruar kjo poemë e mrekullueshme me nxitjen e saj!? Si është krijuar kjo shpërputhje e ky keqkuptim?

Unë vetëm po e përmendi e ndoshta dikush i del zot shpjegimit, pa menduar se ndërron gjë në lumturitë e në fatkeqësitë tona. Të thuash se nuk janë marrë vesh si duhet evropiania erudite e poliglote me amerikanin si Longfellow, duket e pabesueshme. Deri aty ai ishte kush ishte dhe kishte përkthyer kryevepra të letërsive evropiane, madje edhe “Komedinë Hyjnore” të Dante Aligierit, kurse ajo vetë ishte me një kulturë pabesueshëm të gjithanshme. Pikëpyetjet e mësipërme dhe të tjerat në vijim, megjithatë, mbesin.

Jeronim de Rada dhe Dora d’Istria, një patriotizëm e miqësi shembullore

Njohja, respekti, miqësia e përkushtimi atdhetar për Shqipërinë e prejardhjes është e rrallë midis intelektualëve të nivelit si Dora d’Istria e Jeronim de Rada. Rrafsh 108 letra të letërkëmbimit të Dora d’Istrias me të janë gjetur në trashëgiminë kulturore të Jeronim de Radës. Letërkëmbim që ka zgjatur midis viteve 1859-1887, plot 28 vjet. Letra të saj për arbëreshin e mikun e jashtëzakonshëm dërguar nga Zvicra, Livorno, Venediku, Gjenova, Torino, Rapalo, Firence, madje edhe nga Amerika. Me 1978, Ahmet Kondo ka botuar në Tiranë 62 nga 108 letrat e saj dërguar J.de Radës. Nga letrat që njihen, normalisht. Letrat ndodhen në Fondin Elena Gjika në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë. Edhe shumë vlera e dokumente të tjera të rëndësishme ishin brenda asaj trashëgimie. Midis tyre edhe kryeletra të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, pra letra shqip që Sami Frashëri i dërgonte nga Stambolli më 22 shkurt 1881 Jeronim de Radës në Kalabri. Një margaritar i vërtetë. Kopjen e origjinalit e kemi botuar, ndoshta për herë të parë, në librin “Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare”. Nga pasardhësit e arbëreshit të madh ato i ka blerë Qeveria shqiptare diku më 1953.

Me qëllimin e mësipërm po shkëpusim dy fragmente letrash të Dora d’Istrias dhe të Jeronim de Radës:

 Livorno, 
Vila Kaprili, Ardenca,
19 shkurt 1865

“Zotëri,
i mora dy veprat që ju patët mirësinë të m’i dhuroni. Libri “Poesie albanesi” ishte i njohur për mua që më parë. Sa për ‘Antichita della nazione albanese’ (Lashtësia e kombit shqiptar) do ta lexoj me tërë interesimin që duhet t’i ngjallë një bije të Shqipërisë një subjekt i tillë. ..Kjo familje (Gjikajt, S.B.)nuk e ka harruar për asnjë çast origjinën e saj shqiptare dhe me të drejtë historia e familjes Gjika, botuar kohët e fundit (Gjenovë, 1864) ngul këmbë për vazhdimësinë e karakterit shqiptar të Gjikajve…Ashtu si ju, unë shpresoj që dita e çlirimit do vijë për tokën e lavdishme, nga e cila kanë dalë etërit tanë, ashtu siç ka ardhur për Serbinë dhe Greqinë… për të mos derdhur kot gjakun e çmuar, para se të ndërmarrin diçka, është e domosdoshme që ata të merren vesh midis tyre, t’i flakin përçarjet mizore të shkaktuara nga ndryshimi i feve, nga lufta e paprerë midis fiseve, që të mos ketë më as Gegë as Toskë, as Labër, as Çamër, por bij të devotshëm të të njëjtit atdhe, të gatshëm që të marshojnë si një trup i vetëm nën flamurin e Aleksandrit të Madh, të Pirros dhe të Skënderbeut. 
Pranoni, Zotëri, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”.
Dora d’Istria

Jeronim de Rada për Dora d’Istrian, në një letër dërguar intelektualit e patriotit arbëresh, Anton Santori, shkruan:

3 prill 1865      

“Santori im,
mbrëmë i mora dy këngët popullore që më dërguat: Shkoi një trim nga një rrugë, dhe Ajo zonjë e reja e Gjikës. Kjo e fundit, për përmbledhjen time, sot është një dhuratë e çmueshme, sot që një bijë e Gjikajve shqiptarë, lindur nga princat rumunë, Dora d’Istria (princesha Kolcof Masalski), po tërheq mbi vete shikimet plot simpati të Evropës së kulturuar. E kanë quajtur Stael e Veriut: e barazojnë me Korinën…tek Elena Gjika më duket si tipar i veçantë një arsyetim prej burri, kështu që ajo veçohet nga vetë natyra e feminitetit të vet, që sundohet gjithnjë nga burri, dhe e lirë i përmbahet dijes, ashtu sikur i përmbahej Zotit të vet Shën Terezja, me të cilën ka një ngjasim në shpirtin e ëmbël e të kthjellët dhe në vëzhgimin praktik të pasosur. Madje, për nga harmonia aq e plotë e përsosmërive dhe bukurisë së trupit, me vetitë e jashtëzakonshme që vërehen në të, mua kjo më sjell ndër mend një tjetër grua, shqiptare edhe ajo, që e lindur në Egjipt, bëri për vete më parë Cezarin, dhe pas tij Antonin; porse kjo ndryshon nga Kleopatra, ngase ajo mbretëreshë e drejtoi mendjen në edukimin e vetvetes, pothuaj si një lule kalimtare, që të merr sytë me ndriçimin e saj dhe që pastaj s’i qëndroi stuhisë, nga e cila gjë u shkatërrua mbretëria e të parëve të saj. 

Përkundrazi, kjo princeshë trime dhe me cipë, duke mos u larguar nga Krishti, mund të thuhet se është agimi i popullit të vet”.

Anton Santorit, pastaj De Rada i përmend Gjikajt që disa shekuj radhas mbajtën e stabilizuan principata rumune, po edhe Qyprrillinjtë shqiptarë që i morën në dorë fatet e Perandorisë Otomane gjatë tatëpjetës së saj, dhe vazhdon me emrat e shumë trimave arvanitas që ndihmuan çlirimin e Greqisë, pastaj thotë:

“Dhe për tash, atdhetarët shqiptarë nuk shohin ndonjë zgjidhje më të mirë se kjo – t’i krijojnë vendit të vet një stabilitet të kënaqshëm. Sepse, revolucioni i këshilluar nga të jashtmit, dhe marrëveshja që synonte ta nxirrte më vete (Shqipërinë – S.B.) do ta linte pa mbrojtje kundrejt Turqisë e aleatëve të saj (…) Por le të ngjasë ashtu siç është shkruar atje lart. Le të marrim zemër nga figurat e mëdha të këtyre bashkatdhetarëve tanë, dhe të mos e braktisim vendin që perëndia, së bashku, na ka caktuar për rimbëkëmbjen e atdheut tonë të shpërndarë (…)    
J. de Rada

Kjo letër është përkthim i Jup Kastratit nga italishtja. E citova aq gjatë e pa interpretime, duke respektuar lexuesin që vetë t’i shohë pikëpamjet e rilindësve tanë për çështjet më të ndryshme të kohës. Pikëpamjet e mendjeve që përgatitën pavarësinë e Shqipërisë, si refleks, edhe të pjesës tjetër të saj, të Kosovës.

Fan Noli (1882 – 1965)

Fan S. Noli dhe “Skënderbeu” i Longfellowit

Fan S. Noli ishte kush ishte. “…mendjehapur, njohës i gjuhëve romane dhe skandinave, Atë Noli nga kultura, nga mendësia dhe nga karakteri i tij më kujton shpesh kishtarët e Përlindjes italiane”, shkruante Faik Konica që më 1938. Rilindja jonë kombëtare prodhoi disa viganë të tillë të gjithanshëm. Përqendrimi në temën e shkrimit nuk lë shumë vend për shënime biografike, mbasi i dimë ose edhe mund të gjenden lehtë.

Poema “Skënderbeu”, e poetit të madh amerikan, marrë nga vepra e tij “Historitë e një Hani pranë Udhës”, Boston 1891, domethënë jo nga botimi i vitit 1875, konkretisht nga “Përralla e Dytë e Çifutit Spanjoll /Skënderbeu”, (Tales off a Wayside Inn – The Spanish Jew’s Second Tale/Scanderbeg) në shqipërimin brilant të Fan S. Nolit, u erdhi shqiptarëve si libër më vete, me 32 faqe, në botim të “Vatrës”, në shtator të vitit 1916, me dy tekste, anglisht e shqip, dhe me shënime kritike e historike. Këtë botim Fan Noli ia kushton Faik Konicës, me të cilin bashkëpunuan gjatë dhe u kundërshtuan për një kohë, siç shkruan vetë Konica. “Faik bej Konicës, lëronjësit të gjuhës atërore dhe kalorësit të kryqëzatës kombëtare si shenjë nderimi, ia dedikon këtë vepër një shok armësh”.

Për brumin e poemës Noli i kundërshton pohimet se ishte nga Barleti dhe na thotë se “poema e ka burimin te Frankoja, ndryshimet e të cilit u riprodhuan besnikërisht prej poetit amerikan. Longfellow duhet të ketë lexuar gjithashtu disa anale turke, sepse e quan Krujën Ak Hissar, “Kështjella e Bardhë”, thekson Fan Noli po aty. Ndoshta na lejohet të shkojmë paksa përtej kësaj që thotë Noli. Pra, a nuk e kishte poeti më afër dorës e kohës së vet veprën “George Castriot, Surnamed Scanderbeg, King of Albania. By Clement C. Moore, New York, MDCCCL” (1850).

Dora d’Istria (1828 – 1888)

Nga poema le t’i citojmë pak vargje edhe në origjinal:

Then onward he rode and afar/               Pastaj sulet si shigjeta
With scarse three hundred men/             Me treqind pothua veta
Through river and forest and fen,           Nëpër lum’ e pyll e garth
O’er the mountains of Argentar              Përmi malet Argjendar;
When he crossed the river Drin /             Kapërceu lumin Drin
And saw in the gleam of the morn /        Dhe u gdhi e n’agullim
The White Castle Ak-Hissar,/                  Pa kështjellën Ak-Hisar,
The city Croia called,/                               Krujën, ah atë qytet
The city moated and walled,/                  Rreth me mur e me hendek,
The city where he was born,/                   Tek u lint e tek u-rrit,-
And above it the morning star.”             Yll mëngjesi mi të ndrit.

Librin me poema historike “Tales of Wayside Inn”, Longfellow e shkroi për dhjetë vjet, nga 1863 deri me 1873, kur e shkroi pjesën III, atë që e titullon “The Spanish Jew’s Tale” dhe poema “Scanderbeg” është në pjesën që titullohet “The Spanish Jew’s Second Tale”. Të gjitha këto vërehen lehtë në librin që kam përpara, “Longfellow’s Complete Poems” botuar në vitin 1875, në Boston. Madje për poemën për heroin tonë kombëtar, Fan Noli, në botimin e tij të vitit 1916, në krye të poemës, në të dy gjuhët, shënon edhe datën e krijimit të saj, ”shkruar më 4 shkurt 1873”. Noli e ka marrë poemën “Skënderbeu”, te botimi i vitit 1891, sepse botimi i vitit 1875 e ka vitin e krijimit të pjesës III të veprës së Longfellowit “Historitë e një Hani pranë Udhës”, ku është “Përralla e Dytë e Çifutit Spanjoll“ dhe “Skënderbeu” po ashtu, dhe vitin 1873, por jo datën. Dhe këto të dhëna na kthejnë prapë te Dora d’Istria, te letra e saj dërguar Jeronim de Radës nga Bostoni, më 31 korrik 1880, ku shkruan atë që përmendëm më sipër dhe te diçka që nuk shpjegohet lehtë. Pra, nuk del që këtë poemë Longfellow ta ketë shkruar i nxitur nga Dora d’Istria, por duket e habitshme pse s’kishte njoftim ajo që poeti i madh amerikan një poemë vlerash të jashtëzakonshme artistike e historike e kishte botuar së paku pesë vjet para darkës së tyre të përbashkët në Amerikë?

 “Kjo vjershë është nofta më e bukura që është shkruar në një gjuhë të huaj për trimin tonë kombëtar dhe meritonte vendin e parë në mes të vëllimeve që kam nër ment të nxier në shesh për këndonjësit shqiptarë”, thekson shqipëruesi dhe botuesi Fan Noli

Shqipërimi i “Skënderbeut” të Longfellowit, një gjetje e mirë e Nolit për shqiptarët e Amerikës      

Njohësit e thonë që poema “Skënderbeu” e poetit të madh amerikan është një kryevepër për heroin tonë kombëtar dhe për epokën mahnitëse të rezistencës shqiptare kundër pushtimit osman. “Kjo vjershë është nofta më e bukur që është shkruar në një gjuhë të huaj për trimin tonë kombëtar dhe meritonte vendin e parë në mes të vëllimeve që kam nër ment të nxier në shesh për këndonjësit shqiptarë”, thekson shqipëruesi dhe botuesi Fan Noli në Parathënien e shkurtër, më 30 gusht 1916. Vepra ka dalë me siglën e asaj që kishte themeluar ai: “Libraria Popullore, Boton at Fan S. Noli”. Po aty, te kapitulli Hyrje, Noli shkruan: “Skënderbeu ndodhet në Historira të një Hani Afër Udhës (Tales of Wayside Inn). Në këtë vepër vjershëtori na tregon një vjershëtor, një theollog, një student, një muzikant, një Çifut nga Spanja dhe një Italian nga Sicilia, që janë mbledhur në një Han dhe që rrëfejnë cilido nga një histori për të shkuar kohën gjer sa të vinjë ora e gjumit. Historin’ e Skënderbeut e rrëfen Çifuti i Spanjës. Vjershëtori amerikan zgjodhi episodin më dramatik të jetës së Skënderbeut si subjekt dhe na dha një vjershë, e cila bashkon të gjitha cilësitë që i duhen një kryevepre. Ikja e Skënderbeut pas luftës së Nishit, vrasja e Qatipit, kthimi i tij në Shqipëri, hyrja e tij në Krujë, zaptimi i fortesës me fermanin e rremë që i mori me pahir Qatipit, ngritja e flamurit kombëtar dhe gëzimi i popullit për çlirimin e atdheut nga zgjedha e huaj përshkruhen me një mjeshtëri, me një gjallësi, me një sulm, me një zjarr dhe me një brohori që ta rrëmbejnë zemrën dhe mendjen”.

Koha.net

SHKARKO APP