Sofi Volan, sekretet e një gruaje të pamundur
Ai e dashuroi Sofi Volan. Denis Didero ishte filozof francez dhe ka qenë kryeredaktori i “L’Encyclopedie”, një prej monumenteve kryesore letrare, të periudhës së Iluminizmit dhe burri që nuk fshehu ndjenjat për një grua. Dideroi i kushtoi 26 vitet të jetës, veprës së tij. Në 17 vëllim tekst dhe 11 vëllim ilustrime, vepra e tij paraqet arritje të mëdha të dijes njerëzore. Për rreth 30 vjet dhe deri në fund të jetës së tij, Denis Dideroi i shkroi letra të bukura dhe prekëse mikeshës së tij, Sofi Henriet Volan. Megjithëse pas 15 viteve të para të miqësisë së tyre, këto letra u bënë më të përmbajtura në ton dhe më të rralla, ato gjithsesi mbeten dëshmitare të ndjenjave të forta që lidhin qeniet njerëzore në miqësi e dashuri. Për këtë arsye, ato meritojnë një vëmendje që shkon për tej kureshtjes biografike. Letrat e Dideroit, nëpërmjet ndjeshmërisë së thellësisë, shfaqin një aspekt domethënës të pasionit, trashëgimi e mendimit të Iluminizmit.
Dideroi vdiq në 31 korrik 1784 dhe u varros në Kishës Saint-Roch të qytetit. Trashëgimtarët e tij ia dërguan bibliotekën e filozofit, Katerinës II, e cila ia dorëzoi atë Bibliotekës Kombëtare të Rusisë. Ja çfarë i shkruan Sofisë:
Drejtuar Sofi Volan, korrik 1759
E dashur Sofi!
Nuk mund të largohem nga ky vend, pa të thënë pak fjalë. Pra, vogëlushja ime, ti pret shumë nga unë. lumturia jote, madje jeta jote – më thua – varen në se unë të dua apo jo!
Mos u shqetëso, e dashura ime Sofi! Ti do të jetosh gjatë dhe do të jesh e lumtur. Ende nuk kam kryer ndonjë krim dhe nuk do të filloj ta bëj. Jam tërësisht i yti; ti je gjithçka për mua! Do të mbështesim njëri-tjetrin në të gjitha vështirësitë që jeta do të na sjellë, në se kështu e ka thënë fati për ne. Ti do të zhvatësh brengat e mia, unë do të lehtësoj shpirtin në të tuat. Sa do të dëshiroja të të shihja sic të kam parë së fundmi! Sa për mua, duhet të pranosh se jam si ditën e parë që më pe.
Kjo nuk është merita ime, por e kam detyrim ndaj vetes të ta them. Është pasojë e cilësive të tua të mira që i kam ndjerë gjithmonë e më shumë dita-ditës. Ji e sigurt për qëndrueshmërinë time ndaj teje dhe për vlerësimin tim për këto cilësi. Nuk ka ekzistuar kurrë tek unë pasioni më i përligjur nga arsyeja, se sa pasioni ndaj teje. A nuk është e vërtetë, e dashura Sofi, se je shumë e përzemërt?! Kundroje veten, shiko sa e meriton ti të të dashurojnë dhe dije se unë të dua jashtëzakonisht shumë. Ky është standard i pandryshueshëm i ndjenjave të mia.
Je mirë? Më mendon? Më do? Do të më duash ëprgjithmonë? Të besoj: tani jam i lumtur. Jetoj sërish. Mund të flas, të punoj, të luaj, të eci – të bëj gjithçka që ti dëshiron. Duhet të kem qenë shumë i pakëndshëm në dy a tri ditët e fundit.
Jo, dashuria ime, prania jote nuk do të më kishte gëzuar më shumë se sa letra jote e parë. Me sa padurim e prita! Jam i sigurt se duart po më dridheshin kur po e hapja. Çehrja më ndryshoi, zëri m’u tjetërsua dhe në se nuk ka qenë budalla ai që më dorëzoi letrën tënde, do të ketë thënë: “Ky njeri duhet të ketë marrë lajmë nga babai, nga nëna, ose dikush tjetër i dashur për të”. Pikurish në atë çast isha gati të të dërgoja në letër, për të të shprehur trazimin tim të castit. Ndërkohë që ti je duke u argëtuar, harron se sa shumë zemra ime vuan…
Lamtumirë, dashuria ime e shtrenjtë! Dhembshuria ime për ty është përvëluese dhe e çiltër. Do të të dashuroja më shumë, në se do ta dija se si.
/ Shqip