Sopranoja shkodrane që jeta i shkoi duke vizituar vëllezërit në burgje: Drama e familjes Sokoli
E lindur me një talent të spikatur artistik në një familje të pasur me traditë dhe kulturë, Safete Sokoli mund të kishte qenë një nga sopranot shqiptare të pasluftës që do kishte shëtitur Shqipërinë nga një cep në tjetrin, për të dhënë shfaqje e për të marrë duartrokitje. Por jeta e saj, atëherë kur duhet të niste ngjitjen, mori të tatëpjetën…
Lindi në Shkodër më 15 janar 1926 (familja u bë me shtatë fëmijë). Shtëpia e Sokolajve ishte një ndërtesë shkodrane e shekullit XVII, dykatëshe, me shkallë mermeri e guri, me çardakun me qoshk, dhomën e madhe me punime të gdhendura në dru (të tavanëve dhe kapakëve të dritareve); oxhakun madhështor me motive floreale, e pajisur me shandane e armë argjendi, me orë muri të ardhura nga Azia; oborri plot pemë e lule, karajfilat e Shkodrës e tulipana shumëngjyrësh, bashkëjetonin një mori kafshësh e shpendësh të sjella nga vende të largëta.
Kjo ishte shtëpia e Jusuf Sokolit; ishte një parajsë e vërtetë dhe njihej si një vatër bujare, mikpritëse (siç dinë të presin vetëm shkodranët), qendër patriotike dhe në këtë familje të gjithë këndonin, ndërsa Ramadani ishte muzikologu.
U rrit vajza e vogël me shumë dashuri. Ajo ishte e imët, trupvogël, por shumë e shkathët. Ajo kalëronte, zbuste kuajt më të tërbuar, ngiste makinën, ishte gëzimi i familjes së saj. Ajo këndonte me zë të mrekullueshëm, në veçanti këngët e kompozuara nga vëllai Ramadani, si: “Blegërin delja”, “Turtulleshë”, “Ç´u mbush mali” dhe këngët shkodrane. Mbushte me gëzim zemrat e atyre që e dëgjonin.
Në lagjen në Zdralej, ku ndodhej tregu shihja një femër trupvogël, me flokë kaçurrela, e veshur me kostum të zi me vija të bardha, me pantallona e xhaketë, e qetë, e thjeshtë, plot dinjitet, duke blerë ushqime. E shihja plot respekt, se e dija që ishte motra Sokoli, që jetonte e vetme dhe përgatiste çantat me ushqime për vëllezërit qe kishte nëpër burgjet komuniste. Unë gjimnazistja e Shkodrës (e viteve 1953-1957) e shihja me adhurim dhe e dija që ajo kishte një zë sopranoje dhe ishte bilbili i këngës shkodrane, e njihja mirë dhe më dhimbte zemra për të…
Por, me ardhjen e komunistëve në pushtet ç´ndodhi me këtë familje?
Në fillim të viteve 1945 arrestojnë djalin e madh të familjes, Ibrahimin, se ishte i diplomuar për drejtësi në Beograd dhe kishte aderuar në Lëvizjen e Legalitetit (pro monarkist dhe atdhetar). Kuptohet ishte antikomunist. E dënojnë dhe bën 27 (njëzet e shtatë) vjet burg dhe internim (bashkë me gruan e tij Shane Dosti dhe kjo e burgosur politike). Në vitin 1946 arrestojnë babanë Jusuf, e dënojnë me dy vjet burg (1946-48); u akuzua si pjesëmarrës në lëvizjen e Postribës. Po në vitin 1946 arrestojnë Ramadanin me pesë vjet burg; akuzohet për agjitacion e propagandë, dhe si pjesëmarrës në lëvizjen e Postribës (në vitin 1943 ishte student në Firence (Itali) në konservator për flaut dhe kompozicion). Por, komunistët s´u mjaftuan me kaq, në vitin 1964 i arrestuan dhe i dënuan djalin më të vogël të familjes, Hodon me 25 vjet burg, i cili u ridënua në revoltën e Spaçit (1973). Një mësues i talentuar, ishte i fejuar, përgatitej të formonte familje, por çdo gjë e jetës së tij u shkatërrua. Ka mbetur proverbiale përgjigjja e tij në gjyq: “Në gjuhën shqipe mbiemri i përshtatet emrit, por ka dhe përjashtime, kur mbiemri nuk i përshtatet emrit, kështu ka ndodhur edhe me mua, s´mund t’i përshtatem sistemit komunist të Enver Hoxhës”.
Shtëpia e Sokolajve po përjetonte një periudhë shumë të vështirë, trishtim, vetmi, vetizolim dhe njëherit u ndërpre zëri i bilbilit, u plagos zogu i bukur, u ndërpre gazi dhe hareja… E ëmbla Safet s´u lejua të punonte arsimtare, e hoqën nga ansambli i këngëve dhe valleve, s´këndoi më, s´u lejua të dilte në skenën shqiptare dhe zemra e saj as qeshi, as këndoi ma. Kjo vazhdoi me dekada!
Safete Sokoli shkeli me këmbë cepa të Shqipërisë që ndoshta as ua kishte dëgjuar emrin, por për një arsye krejt tjetër: për të vizituar vëllezërit në burgjet ku u ndrynë me radhë. Një jetë e tërë e kaluar nga një burg në tjetrin, për të parë prapa hekurave të vëllezërit dhe duke u munduar në punë të rënda për të siguruar ushqim për ta, që herës tjetër të mund t’i shihte prapë. E paburgosur, por e dënuar.
Ajo ishte fëmija i shtatë i Jusufit dhe Aishes, që patën tre djem dhe gjashtë vajza. Ishte rritur mes bollëkut të një prej familjeve më në zë të Shkodrës.
Kur ishte në shkollë të mesme, këngëtarja shkodrane, Antoneta Ndokfillija, Safetja kishte interpretuar bashkë me të, në operën “Drita”. Safete Sokoli, me zë sopranoje, luante rolin e vajzës, Dritës, ndërsa Antoneta mezosoprano ishte nëna. Opera me muzikë nga profesori Antonio Muci dhe libret nga drejtoresha e shkollës “Donika Kastriot” ku studionin vajzat, Silvia Doria, u vë në skenën e shkollës në vitin 1941 dhe Safete Sokoli, 15 vjeç, mori vlerësime të shumta për interpretimin dhe zërin e saj të bukur. Subjekti ishte i thjeshtë. Vajza e vogël i humbet nga sytë nënës në pazarin e Shkodrës. Vite më vonë, po në pazar, buzë liqenit, ajo dëgjon një vajzë duke kënduar dhe e njeh nga zëri dhe nënë e bijë takohen të përmalluara.
I vëllai, Ramadani, pasi del nga burgu, me gjithë persekutimin e vazhdueshëm, për shkak të përgatitjes së jashtëzakonshme dhe nevojave për muzikantë dhe mësues në institucionet e reja që po krijoheshin, arriti të punonte në sektorin e muzikës, edhe pse jo në nivelet akademike që meritonte, por për Safete Sokolin ishte e pamundur një ritakim i gëzuar me ëndrrat e saj.
“I ndoqa vëllezërit nëpër të gjitha kampet e punës, nga lindja në perëndim, në Burrel te kështjella famëkeqe e komunizmit, që kanë hyrë njerëzit e nuk kanë dalë gjallë, në Maliq ku thahej këneta, në Beden ku hapeshin kanale… Në shumë kampe pune, ku punonin të burgosurit politikë. E vetme përjetova vdekjen e prindërve, që më vdiqën brenda gjashtë muajve; ata i mbyllën sytë përjetë, pa i parë djemtë që i kishin të burgosur. Prindërit vdiqën, por nuk panë tmerrin tjetër, arrestimin e vëllaut të vogël. Përpos dhimbjes u shtua kalvari i vuajtjeve të mia. Që nga viti 1964 Hodon e dënuan 26 vjet burg, u ridënua në revoltën e Spaçit. E ndoqa vëllaun tem Hodo në kampet famëkeqe, pse jo shfarosës, si: Rrepsi, Burreli, Saranda, Spaçi (që ishte tmerri i tmerreve). Eca e eca tok me bashkëvuajtëset e tjera shkodrane, si me Luçien Koliqi, motër e Jul Koliqit; ajo shkonte të ndihmonte Dom Mikel Koliqin që i kaloi jeta në burg e në internim (në vitin 1995 u bë kardinali i parë i Shqipërisë i klerit katolik).
Po kalvari im vazhdoi për shumë dekada. Përpos vuajtjeve shpirtërore ishte puna e lodhshme në bujqësi, punova në të gjitha fermat, si: Oblikë, Dobraç, Qafe-Hardhi, gjithmonë e kërrusur. Por, edhe aty më ndihmuan moralisht shumë bashkëvuajtës, në veçanti një prift katolik shkodran, i ditur, i talentuar, me një shpirt madhështor, përherë me fjalë të ëmbla, me zërin e tij të qetë bëhej shëruesi i shpirtit tem të vuajtur, e ky prift i nderuar ishte Dom Lazër Jubani (i burgosur politik). Pas ca vitesh u helmua nga dora e sigurimit të shtetit. Ndihesha fare e vetmume. E kalova jetën tuj e pasun shok besnik qenin. Kuptohet njerëzit kishin frikë të na vizitonin, jo më të na flisnin. Por, në të gjithë këtë vetmi, vetëm një shoqe e rinisë, e artit dhe e muzikës, nuk më braktisi dhe tasht që jemi të moshuara, ajo më ndjek, kjo është aktorja shkodrane Antoneta Ndokillija (Fishta)”. /Pjesë nga libri “Dhimbje” i Fatbardha Saraçit/Kujto.al/