Sot 41 vjet nga shuarja e Dervish Shaqa, këputja e një zëri që jehoi në kumtin e dhimbjes dhe kujtesën
Nga Albert Vataj
Sot shënohen 41 vjet nga ndarja nga jeta e rapsodit të madh Dervish Shaqa, një emër që nuk është thjesht një zë në kujtesën folklorike, por një ndërgjegje e gjallë e një populli që këndoi për të mos harruar, për të mos u përkulur, për të mos u zhdukur në heshtje.
I lindur në Llukë të Epërme të Deçanit më 1912, ai erdhi në jetë si një fëmijë i një bote ku fjala nuk shkruhej gjithmonë në libra, por mbillej në shpirt dhe rritej në këngë. Dhe pikërisht aty, në atë truall ku gurët e kullave mbajnë peshën e historisë dhe të qëndresës, u formua ai zë që më vonë do të bëhej dëshmi e një kohe të trazuar.
Por jeta e tij nuk ishte një vijë e drejtë. Në vitin 1956, nën trysninë e asaj që historia e njeh si aksioni i “mbledhjes së armëve”, një fushatë represive e ndërmarrë nga UDB ndaj shqiptarëve të Kosovës, Dervish Shaqa u detyrua të largohej nga vendlindja. Ky largim nuk ishte thjesht një zhvendosje gjeografike, ishte një plagë e hapur që ai e mbajti me vete, një mërgim që nuk u shërua kurrë.

Së bashku me rapsodin Demush Neziri, ai u vendos në Rashbull, pranë Durrësit. Aty, në një tokë që e priti, por nuk mundi t’i zëvendësonte rrënjët, ai vazhdoi të jetojë përmes këngës. Sepse për Shaqën, kënga nuk ishte zbavitje; ishte mënyrë mbijetese, ishte gjuhë e dhembjes dhe e kujtesës. Në vargjet e tij shpërthen ajo mallëngjim i përjetshëm:
“Kur ta ktheva Kosovë shpinën, e lamë borë e gjetëm dimën…”, një metaforë e një mërgimi që nuk njeh pranverë.
Në Shqipëri, ai nuk e ndërpreu kurrë misionin e tij, të këndojë historinë. Me çiftelinë si armë dhe me zërin si flamur, ai solli në këngë kullat e Dukagjinit, figurat kombëtare, trimat e përgjakur në beteja dhe nderin e pathyeshëm të shqiptarit. Kënga e tij ishte një arkiv i gjallë, një kronikë që nuk e shkruan dot asnjë dokument zyrtar.
Në Rashbull, ai themeloi dhe udhëhoqi një grup rapsodësh, duke e shndërruar këtë hapësirë në një vatër të gjallë të folklorit. Në vitin 1968, ai u ngjit për herë të parë në skenën e Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, duke sjellë me vete jo vetëm këngë, por një botë të tërë përjetimesh. Prej asaj kohe, së bashku me Demush Nezirin, ai u bë zëri i një repertori që kaloi nga brezi në brez: këngë si “Ç’janë këto gjamë që i bjen era”, “Prej Prokuplje deri n’Nish”, “Moj e mira porsi bora”, apo baladat për Azem e Shotë Galicën, Nak Berishën dhe shumë figura të tjera, mbeten sot gurë themeli të kujtesës sonë kolektive.
Një pjesë e madhe e kësaj trashëgimie ruhen sot në arkivat e Radio Tirana, si dëshmi të një arti që nuk ishte i ndërtuar për treg, por për të mbajtur gjallë shpirtin e një kombi.
Edhe kompozitorë të njohur, si Tish Daija, u frymëzuan nga zëri dhe personaliteti i tij, duke i besuar interpretimit të rabsodit Dervish Shaqa, këngë si “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, që për vite me radhë u bë një refren i njohur në valët e radios.
Por përtej të gjitha këtyre, Dervish Shaqa mbetet ai rapsod që nuk këndoi kurrë për para. Ai këndoi sepse duhej të këndonte. Sepse heshtja do të ishte tradhti. Sepse kujtesa kërkon zë.
Populli që e njohu dhe e dëgjoi, e mban mend si një këngëtar të lindur, si një njeri që e kishte kthyer jetën në këngë dhe këngën në amanet. Dhe sot, 41 vjet pas vdekjes, ai nuk përkujtohet si një emër i së shkuarës, por si një prani që vazhdon të kumbojë në çdo tel çiftelie, në çdo varg që rrëfen për dheun, për mallin dhe për dinjitetin.
Sepse disa zëra nuk shuhen. Ata bëhen jehonë. Dhe jehona e Dervish Shaqa vazhdon të thërrasë ende.
KOHA JONË SONDAZH

