Sot do të mbushte 69 vjeç Tonin Tërshana, këngëtari brilant i muzikës së lehtë i skenës shqiptare
Sot do të mbushte 69 vjeç këngëtari brilant i muzikës së lehtë shqiptare, Tonin Tërshana. Në këtë përvjetor lindjeje të parët që e kujtojnë me dhimbje e përplot mall sigurisht janë familjarët e tij. Ndër to e bija, Donatela, të cilën Mjeshtri i Madh e donte aq shumë, shkruan VOX ALBANIAE.COM.
Në një postim në rrjetin social, Facebook, Donatela e përkujton të atin me këto fjalë:
“Sot do të ishim duke festuar ditëlindjen tënde të 69-të, por në vend të festës ne kemi boshllëk, boshllëkun që na le me ikjen tënde të parakohshme. Na mungon shumë babi, krenaria jonë. Festo mes engjëjsh o engjëlli ynë mbrojtës”, ka shkruar Donatela, postim poshtë të cilit kanë vërshuar komente të panumërta, duke nderuar emrin dhe figurën e “Mjeshtrit të Madh” Tonin Tërshana, thekson VOX ALBANIAE.COM.
Tonin Tërshana ka lindur në Shkodër në vitin 1949 dhe u nda nga jeta më 22 shtator të vitit 2015.
Emri i tij përbën një rekord në skenën shqiptare, pasi që në debutimin e parë në festivalet e këngës, në Festivalin e 4 në Radio në vitin 1965, merr çmimin e parë me këngën, “Të dua o det” (kompozitor Tonin Harapi, teksti Mark Gurakuqi). Atëherë ishte vetëm 16 vjeç.
Tërshana ka fituar çmimin e parë edhe në Festivalin e 11-të, të RTVSH-së me këngën “Kur vjen pranvera”. Ka marrë pjesë në mbi 20 festivale, duke fituar 4 çmime të para dhe duke u bërë një ndër këngëtarët me më shumë trofe në Festivale. Presidenti i Republikës Bamir Topi, i ka dhënë titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Mes interpetimeve të shumta, këngët më të njohura dhe më të pëlqyera te këngëtarit janë “Erdhi pranvera”, “Kënga e nënës”, “Fishekzjaret në qiellin blu”, “Kur vjen pranvera”, “Lumturia nuk dhurohet”, “Vajzë moj, lule moj”, etj.. /Burimi: Albina Gjergji/