Sot në 79-vjetorin e lindjes së këngëtares, Vaçe Zela

– nga Albert Vataj

Vaçe Zela ishte dhe mbeti emblemë e këngës shqiptare. Vokali i saj i jashtëzakonshëm, ai zë që iu thurën legjenda, kujtesa dhe nostalgjia e gjeneratave e njohu si një mit. Vaçe Zela mishëronte përfytyrimin më konkret të asaj çka në kërkonim si në etër të përmbushte atë shpirt të etur për magjiken e këngës. Këndoi gjithçka dhe kudo la vulën e një personaliteti të papërsëritshëm, që komunikoi me tërë arsenalin e mundshëm të ndjenjave, prej të cilave do të veçoja atë çka përbën thelbin e shpirtit të saj: dhimbjen njerëzore. Arritjet e saj udhëtuan me kohën për t’u shndërruar në model frymëzimi dhe inspirimi. Zëri dhe repertori i pasur që la trashëgim vijojnë të mbeten gurë shndritës në xherdanin e traditës shqiptare të këngës.

Vaçe Zela u lind në Lushnjë më 7 prill 1939 dhe vdiq në Bazel, Zvicër, më 6 shkurt 2014. Vaçe Zela ishte një nga këngëtaret ikonë të skenës shqiptare. Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj.. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.
Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli Artist i Merituar në vitin 1973 dhe Artist i Popullit në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Ajo ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku kanë vajzën, Irma. Që nga viti 2002 Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.
Vace Zela në festivalin e Këngës në Radio Televizion. Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.
Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundmi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.

 

/Burimi: VOXALBANIAE/

SHKARKO APP