Sot në përvjetorin e vdekjes/ Zigmund Frojd, ai që ç’burgosi njeriun nga padija dhe anatema
Nga Albert Vataj
Ai guxoi ndoshta shumë më shumë se epoka së cilës i përkiste, gaditej t’i bënte ballë uraganit transformues të mendimit njohës të mistereve që mbajtën kyçur njeriun për mijëra vite.
Ai ishte i vetëm kundër të gjithëve. Në anën e tij kishte mbetur forca e besimit, ajo që u shndërrua në erën e re të psikoanalizës.
Ndërmendim gjithherë me mirënjohje dhe përulësi këtë kolos të mendimit dhe veprimit, këtë ngadhënjimtar të territ zemërak ku zanafilla e kishte groposur pjesën më të rëndësishme të njeriut, shpirtin, atë lëndë të hyjshme që shkreptin hera-herash për t’ia mbushur ditët e vagullta dhe jetën prej hekakeqi me fluturime dhe liri, andrrime e gazmim.
Zigmund Frojd ishte vetanaku që guxoi të nxjerrë brendanjeriun nga terri e ta shpalojë faqe dritës, ta ç’burgosë nga padija dhe anatema duke i falur përmasat e dëshiruara të lirisë. Ai ishte një njeri i zakonshëm, i cili gjithçka la si testament të njerëzimit, ishte më se e jashtëzakonshme.
Në një gjithëpranim të diktuar nga forcat transformuese që ai i ofroi botëkuptimit mbi nënvetëdijen e njeriut, një kohe të ngurtësuar ai mori statusin “ati i psikanalizës”. Një prej gladiatorëve më të kurajshëm të mendimit dhe sprovës së të vetvetishmes. I vetmi që mundi të depërtonte më thellë se askush tjetër më parë, në vetëdijen dhe nënvetëdijen e njeriut, kësaj krijese të mbështjellë prej misterit dhe bestytnisë, frikës për të hyrë brenda tij dhe ndjellakeqes për ta nxjerrë prej skutave të errëta, e për ta shpaluar faqe dritet, si asnjëherë më parë, si të vetmen shtangie që bota do ta kundronte gojëhapur dhe anatemuese. Ai guxoi dhe triumfoi.
Sot e ndërmendim me mirënjohje dhe përulësi këtë kolos të mendimit dhe veprimit, këtë ngadhënjimtar të territ zemërak ku zanafilla e kishte groposur pjesën më të rëndësishme të njeriut, shpirtin, atë lëndë të hyjshme që shkreptin hera-herash për t’ia mbushur ditët e vagullta dhe jetën prej hekakeqi, me fluturime dhe liri, andrrime e gazmim.
Babai i psikoanalizës, Zigmund Frojd, (6 maj 1856-23 shtator 1939), një toksor i zakonshëm, i cili gjithçka la si testament njerëzimit ishte më se e jashtëzakonshme. Ai ishte një prej gladiatorëve më të kurajshëm të mendimit dhe sprovës së të vetvetishmes.
I vetmi që mundi të depërtonte më thellë se kurrkush tjetër më parë në vetëdijen dhe nënvetëdijen e njeriut.
I vetmi që shpaloi faqe dritet brendanjeriun këtë dimension të mbështjellë prej misterit dhe bestytnive, okultit dhe paranojës, sekreteve dhe përçudnive. Frikës për të hyrë brenda të ndaluarës dhe misterit ai ju përgjigj me ngulm ngadhnjimtari. Ndjellakeqes për ta nxjerrë njeriun prej skutave të errëta, e për ta shpërfaqur këtë krijesë para të panjohurës, e yshti këtë zell “mëkatari” të rrëmonte atje ku strukej miti i djallit, atje ku askush më parë nuk kishte guxuar të penetronte. I bindur se ishte i vetëm kundër të gjithëve dhe aleat i të vërtetës ai gatoi heroikun me modestinë e një shërbestari të devotshëm.
Mendimet ushqehen po aq me përgënjeshtrime sa me vërtetime, një vepër ekziston jo më pak nga urrejtja sesa nga dashuria që zgjon. I vetmi triumf vendimtar i një ideje, i vetmi gjithashtu që jemi të gatshëm edhe ta adhurojmë, është shkrirja e saj në jetë. Sepse asgjë, në kohën tonë të një drejtësie të pasigurt, nuk e rindez dhe aq besimin në epërsinë e mendjes sesa shembulli i gjallë i njeriut të vetëm që ka gjithnjë guxim të thotë të vërtetën për ta përhapur në tërë gjithësinë. Ai ishte Zigmund Frojd.
Çdo gjeni, thotë Niçe, mban një maskë. Frojdi zgjodhi një nga maskat më të padepërtueshme, atë që të bën të mos biesh në sy. Jeta dhe përpjekja e tij vetmohuese që zgjaton në përditshmërinë e orëve të gjata struk një volum të pamatë dhe përtyp një aftësi demoniake punë. Ai është në gjithçka i përkorë, edhe në guximin për të ngritur zërin, dhe në kushtrimin që lëshon përbindshëm në kllapinë ku dergjet vetëdija e kohës.