Stefan Zweig përballë varrit të Tolstoy-t

Në vitin 1914, pak para se të niste lufta e parë botërore, shkrimtari austriak Stefan Zweig ndërmerr një udhëtim në Rusinë e kohës. Prapa kësaj vizite fshihej dëshira e kahmotshme e Zweig për ta vizituar varrin e idhullit të tij, Tolstoyt

Përshkrimin e vendit ku Tolstoy pushon përjetësisht, Zweig e jep tek vepra autobiografike “Bota e djeshme”:

“Në Rusi nuk pashë gjë më të madhërishme e më mallëngjyese se varri i Tolstoit. Ai vend i ndritur pelegrinazhi ndodhet i mënjanuar e vetmitar në thellësi të një pylli. Një shteg i ngushtë të çon deri tek ajo tumul, e cila nuk është gjë tjetër veçse një kuadrat dheu i hedhur, që nuk e ruan askush, nuk e mbron askush, vetëm ca pemë të mëdha i bëjnë hije. Ato pemë të larta, më shpjegoi para varrit mbesa e tij, i pati mbjellë vetë Lev Tolstoi. Qysh kur ishin fëmijë, ai dhe i vëllai Nikolaj kishin dëgjuar nga goja e një gruaje të fshatit legjendën se një vend ku njeriu mbjell pemë, bëhet vend fatlum. Dhe kështu, si duke luajtur, patën ngulur në tokë disa filiza. Vetëm më vonë i ranë ndër mend burrit plak ato fjalë të mrekullueshme profetike, dhe shprehu menjëherë dëshirën për t’u varrosur nën ato pemë që i kishte mbjellë vetë. U bë ashtu siç deshi ai, dhe tani ky varr është më mbresëlënësi në botë me atë thjeshtësinë e vet prekëse. Një tumë e vogël katërkëndëshe mu në mes të pyllit, rrethuar nga pemë degëgjata. As kryq, as gur varri, as mbishkrim. Ai burrë i madh u varros pa emër, ai që vuajti si askush tjetër nga emri e nga lavdia, krejt si endacak i gjetur rastësisht, si ushtar i panjohur. Askujt nuk i ndalohet të shkojë te banesa e tij e fundit; ai gardhi me dërrasa të rralla rreth e qark nuk është i kyçur. Asgjë tjetër përveç nderimit të thellë të njerëzve nuk e ruan prehjen e fundit të atij që nuk gjeti prehje kurrë në jetë. Ndërsa gjetkë kërshëria mezi pret të ngopet me salltanetin e varrit, këtu thjeshtësia imponuese zhvlerëson çdolloj qejfi për salltanet. Era fëshfërin si zë Perëndie sipër varrit të atij njeriu pa emër. Nuk dëgjohet asnjë zë tjetër, njeriu mund të kalojë aty pari duke menduar vetëm se në atë vend është varrosur dikush, një rus cfarëdo në tokën ruse. As kripta e Napoleonit poshtë kubesë së mermertë të katedralës së Invalidëve, as arkivoli i Gëtes në kriptën e princërve, as ato përmendore varresh në abacinë e Uestminsterit nuk të lënë aq mbresë sa ky varr mrekullisht i heshtur, sa ky varr prekës i paemër, diku në mes të pyllit, i rrethuar nga fëshfërima e erës e që nuk jep vetë asnjë mesazh, nuk thotë as edhe një fjalë”.

Përktheu: Aristidh Ristani.

SHKARKO APP