Suksesin e “Black Panther” Boseman ia dedikon Denzel Washingtonit
Chadwick Boseman është kthyer në njërin prej emrave më të diskutuar të momentit me interpretimin në “Black Panther”, të shndërruar në një sukses të madh në “Box Office”. Por 41-vjeçari tregon se mund të mos kishte arritur ndonjëherë aty ku është sot, pa ndihmën e njërit prej aktorëve më të dashur të “Hollywood”-it, Denzel Washington, transmeton tch. “Unë fillimisht kam marrë mësime aktrimi nga Phylicia Rashad, e njohur për rolin e Clair Huxtable te ‘The Cosby Show’”, rrëfen Chadwick. “Phylicia më inkurajoi të merrja pjesë në një program veror mbi teatrin nga Universiteti prestigjioz i Oksfodit. Por, ndonëse u pranova në program bashkë me disa miq të mi, ne nuk i kishim mundësitë financiare për ta ndjekur atë. Atëherë, Rashad ndërhyri te të njohurit e saj në olimpin amerikan të filmit, të cilët paguan për grupin e të rinjve”. Denzeli ishte ai që pagoi për Chadwick. 41-vjeçari rrëfen se nuk gjeti paqe derisa iu krijua mundësia ta falënderonte legjendën e “Hollywood”-it personalisht. Këtë e bëri duke e ftuar në premierën e “Black Panther” në Nju Jork, ku i shprehu mirënjohjen e tij më të thellë, ndërsa aktori i madh, plot modesti ia ktheu me shaka “Oh prandaj qenkam këtu, se ti më detyrohesh disa parà”.