Svetlana, vajza e preferuar e Stalinit që kërkoi azil politik në SHBA në kulmin e Luftës së Ftohtë
Nga Albert Vataj
Askush nuk do ta besonte se vajza e preferuar e diktatorit rus, do të shkonte aq larg, aq sa edhe ambasadori i SHBA-ve në New Delhi, Chester Bowles, në komunikimin me eprorët përmes këtij raporti si vijon e shpreh këtë:
Rreth orës nëntë të mbrëmjes në Indi, njëmbëdhjetë paradite me orën e Uashingtonit, thashë:
“Kam këtu një person që deklaron se është vajza e Stalinit dhe ne besojmë se është autentike; nëse nuk më udhëzoni ndryshe, po e nis me avionin e orës një të mëngjesit për në Romë, ku mund të ndalemi dhe ta mendojmë me qetësi këtë çështje. Nuk po i jap asnjë zotim se mund të vijë në Shtetet e Bashkuara. Thjesht po i mundësoj të largohet nga India dhe do ta çojmë në një pjesë të botës – në SHBA ose diku tjetër – ku të mund të vendoset në paqe. Nëse nuk jeni dakord me këtë, më njoftoni para mesnatës.”

Asnjë koment nuk erdhi nga Uashingtoni. Ky është një nga avantazhet që kanë ambasadorët jo-karrierë; ata mund të ndërmarrin hapa joortodoksë pa hasur menjëherë në kundërshtime, ndërsa një oficer i shërbimit diplomatik ndoshta nuk do të guxonte ta bënte një gjë të tillë.
Ne biseduam me të dhe i thamë:
“Pika e parë, a je vërtet e sigurt që dëshiron të largohesh nga vendi yt? Ke atje një vajzë dhe një djalë, dhe ky është një hap i madh. A e ke menduar mirë? Mund të kthehesh tani në ambasadën ruse (ajo po qëndronte atje, në konviktin e tyre), të flesh, ta harrosh këtë dhe të ngrihesh të mërkurën në mëngjes për të vazhduar për në Moskë, siç e ke në program.”
Ajo u përgjigj menjëherë:
“Nëse ky është vendimi juaj, sonte do të dal para shtypit dhe do të njoftoj se (a) India demokratike nuk më pranoi (ata e kishin refuzuar më parë kërkesën e saj) dhe (b) tani Amerika demokratike po ashtu refuzon të më pranojë.”
Në fakt, ajo nuk kishte nevojë ta bënte këtë; unë thjesht po e vija në provë për të parë nëse e kishte menduar thellë vendimin e saj. Por ajo reagoi me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Svetlana Iosifovna Alliluyeva, e lindur me mbiemrin Stalina dhe e njohur më vonë në Perëndim si Lana Peters, ishte fëmija më i vogël dhe vajza e vetme e udhëheqësit sovjetik Joseph Stalin dhe e gruas së tij të dytë, Nadezhda Alliluyeva. Fati i saj do të lidhej pazgjidhshmërisht me një nga figurat më të errëta të shekullit XX, por edhe me një akt guximi personal që do ta kthente në simbol të një çlirimi të vonë: kërkesën për azil politik në Shtetet e Bashkuara në vitin 1967.

Svetlana Stalina e re duke u mbajtur nga i ati në vitin 1935
Alliluyeva pranoi. Qeveria indiane i druhej dënimit nga Bashkimi Sovjetik, kështu që ajo u dërgua menjëherë nga India në Romë. Kur fluturimi i “Qantas” mbërriti në Romë, Alliluyeva udhëtoi menjëherë më tej drejt Gjenevës, Zvicër, ku qeveria i rregulloi një vizë turistike dhe akomodim për gjashtë javë. Ajo udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara, duke lënë fëmijët e saj të rritur në BRSS. Me mbërritjen e saj në Nju Jork në prill të vitit 1967, ajo dha një konferencë për shtyp duke dënuar trashëgiminë e babait të saj dhe qeverinë sovjetike.
Pasi jetoi për disa muaj në Mill Neck, Long Island, nën mbrojtjen e Shërbimit Sekret të SHBA-së, Alliluyeva u shpërngul në Princeton, New Jersey, ku dha leksione dhe shkroi, duke u zhvendosur më vonë në Pennington dhe më pas në Wisconsin.
Në një intervistë të vitit 2010, ajo e përshkroi veten si “shumë të lumtur këtu [në Wisconsin]”. Fëmijët e saj që mbetën në Bashkimin Sovjetik nuk mbajtën kontakte me të. Ndërsa burimet perëndimore shihnin dorën e KGB-së pas kësaj, fëmijët e saj pretenduan se kjo ndodhi për shkak të karakterit të saj të ndërlikuar. Në vitin 1983, pasi qeveria sovjetike ndaloi bllokimin e përpjekjeve të Alliluyeva-s për të komunikuar me fëmijët në BRSS, djali i saj Iosif filloi ta merrte rregullisht në telefon dhe planifikoi ta vizitonte në Angli, por autoritetet sovjetike i refuzuan lejen për të udhëtuar.

E lindur më 28 shkurt 1926, Svetlana u rrit brenda mureve të Kremlinit, jo në një luks të shkujdesur aristokratik, por në një univers të mbyllur, të disiplinuar deri në asfiksi. Korridore të gjata e të numëruara, telefona që binin pareshtur, roje, sekretarë, heshtje. Një fëmijëri nën hijen e pushtetit absolut, ku intimiteti ishte luks dhe e vërteta filtrohej nga frika.
Në vitin 1932, kur ajo ishte vetëm gjashtë vjeçe, nëna e saj i dha fund jetës me pistoletën e të shoqit. Versioni zyrtar foli për një sëmundje të papritur; e vërteta u mbulua me heshtje. Më vonë, në librin e saj tronditës Tëenty Letters to a Friend, ajo do të shkruante:
“Në shtëpinë tonë askush nuk qante me zë. Dhimbja mbahej si një sekret shtetëror. Unë isha vetëm gjashtë vjeçe dhe mësova se e vërteta nuk thuhet, ajo zëvendësohet.”
Kjo ishte shkolla e saj e parë politike, të jetosh mes të pathënave.
Stalini e adhuronte vajzën e vet. E thërriste “Zogthi”, shëtiste me të, i dhuronte libra dhe i fshihte mes faqeve ndonjë surprizë të vogël atësore. Por përtej këtij përkujdesi intim, qëndronte figura e ngrirë e diktatorit. Ajo e ndiente thellë këtë përçarje morale:
“Babai im ishte i butë me mua, por bota jashtë derës së tij dridhej. Unë nuk e kuptoja si mund të ishin të dyja të vërteta.”
Ky dualizëm, babai i dashur dhe sundimtari i pamëshirshëm, do ta shoqëronte gjithë jetën si një nyjë e pazgjidhur ndërgjegjeje.
Në rini, dashuria e saj për regjisorin Aleksei Kapler u ndëshkua me internimin e tij në kamp pune. Më vonë, lidhja me indianin Brajesh Singh do ta çonte në Indi. Atje, në një akt që tronditi botën gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë, ajo trokiti në ambasadën amerikane në Delhi dhe kërkoi azil. Diplomatët e pyetën nëse ishte e sigurt për një hap kaq drastik. Ajo ishte e vendosur.
Në SHBA deklaroi: “Nuk jam këtu për të luftuar kundër vendit tim. Jam këtu sepse dua të jetoj pa frikë.”
Lajmi i dezertimit të saj bëri xhiron e globit. Ajo u vendos në Amerikë, ku botoi librin “Tëenty Letters to a Friend”, një bestseller ndërkombëtar, jo si një akt akuze ideologjike, por si një përpjekje për të kuptuar. Nga distanca, ajo vështroi fëmijërinë e saj, historinë ruse, mekanizmat e pushtetit, të ndërthurura me plagët personale. Përshkroi mjediset aseptike të Kremlinit, ku ishte “gjithçka e pastër, e rregullt, e heshtur. Por askush nuk ishte i lumtur.”
Ky rrëfim ishte një autopsi morale e totalitarizmit, rendi si zëvendësim i dashurisë, frika si zëvendësim i besimit, heshtja si formë mbijetese.
Pas vdekjes së Stalinit në vitin 1953, një nga aktet e para simbolike të saj ishte heqja dorë nga mbiemri “Stalina”. Ajo mori mbiemrin e nënës, Alliluyeva. Ishte një shkëputje e ndërgjegjshme nga miti i “njeriut prej çeliku”, një rikthim te figura e nënës si viktimë e atij sistemi.
Në vitin 1978 u bë shtetase amerikane e natyralizuar. Midis viteve 1984–1986 u kthye përkohësisht në Bashkimin Sovjetik, por rikthimi nuk ishte pajtim, ishte vetëm një kapitull i përkohshëm në një jetë të përhershme në kërkim të identitetit. Ajo jetoi mes Shteteve të Bashkuara, Zvicrës dhe Britanisë, gjithmonë me ndjesinë e përkohësisë. Vdiq në vitin 2011 në Ëisconsin.
Në një intervistë të vonë, ajo tha: “Kudo që shkoj, jam e burgosura politike e emrit tim.”
Svetlana Alliluyeva mbetet një figurë tragjike në kuptimin klasik, një grua që nuk e zgjodhi fatin e saj historik, por u përpoq ta ripërkufizonte përmes fjalës. Ajo nuk ishte vetëm “vajza e mizorit rus”, por dëshmia e gjallë se pushteti absolut nuk mjaftohet me kontrollin e shtetit, ai depërton deri në intimitet, në familje, në ndërgjegje.
Për ta njohur më tej, mund të lexohet edhe libri i Margherita Belgiojoso, “Là dove si inventano i sogni”, ku historia ruse e dy shekujve të fundit rrëfehet përmes jetëve të grave që e kanë përjetuar në mish dhe shpirt, ndër to, edhe Svetlana.
Në fund, historia e Rusisë kalon përmes syve të një vajze që përpiqet të kuptojë babanë, dhe, përmes tij, një epokë të tërë.
KOHA JONË SONDAZH

