Takohemi për një libër…

Nga Halil RAMA – 

Duket disi e pabesueshme, por është fakt i pamohueshëm. Legjenda e qëndresës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në burgjet e diktaturës, gjenerali 100 vjeçar Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, u aksidentua në mes të nëntorit 2018 në bibliotekën e shtëpisë së tij me më shumë se 1000 tituj. Po përzgjidhte bibliografinë për kolanën “NJË SHEKULL NË MEMORIE” (me tre libra me kujtime”), dhe një marramendje e çastit e rrëzoi për dyshemeje, duke i shkaktuar frakturë në këmbën e djathtë. Legjendës në kufirin e tri kohëve – siç e ka cilësuar shkrimtari i mirënjohur Teodor Laço – libri ia mbajti të gjallë kujtesën dhe e ndihmoi të ruante freskinë e mendimit e veprimit edhe pasi kishte provuar torturat më mizore të hetuesisë Speciale.

Duket qartazi kjo te “ditari i mbajtur”, gjatë 17 viteve në burgjet e diktaturës, ku për 96 librat që ka lexuar, në pak rreshta ka shënuar: autorin, temën, idenë dhe veprimet e personazheve”. Edhe tani në kapërcyellin e një shekulli jete ai i është përkushtuar totalisht librit…Jo vetëm duke lexuar, por edhe duke shkruar kujtime për t’ua lënë si testament brezave.

Po ato ditë të operimit dhe ripërtëritjes së “plagës së tretë” në spitalin e Traumës në Tiranë (pas dy plagëve lufte në malet e Kurveleshit e Junikut më 1943 e 1944), nipi i tij, Enver Parllaku, që nga Philadelphia, krahas interesimit për shëndetin e xhaxhait, do më porosiste: “Ribotojeni librin “Një legjendë në kufirin e tri kohëve”, në 100-vjetorin e gjeneralit”. Është kjo një porosi e veçantë e intelektualit të mirënjohur nga Novoseja e Kukësit, që ka bërë dhe bën aq shumë për librin. Jo vetëm në vendlindje ku sherbeu me devotshmëri e përkushtim për dhjetra vite në funksione të rëndësishme, por edhe atje në kontinentin e largët, si një ndër themeluesit e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, punën me librin e ka ndër prioritetet kryesore.

Në të njejtën linjë, edhe artistja e Popullit Tinka Kurti, pasi ka marrë disa kërkesa nga diaspora shqiptare, shpreh interesimin për ribotimin e monografisë kushtuar gjeneral Parllakut. Ndërkohë ajo vlerëson gazetën “KOHA JONË”, për produktivitetin dhe cilësinë e botimeve dhe veçanërisht për promovimin e autorëve më të spikatur vendas e nga hapësira mbarëshqiptare në botë.

Kështu ndodh edhe me mësuesin veteran Hysen Kosovrasti në Dibër të Madhe – autor i disa librave, i cili veç të tjerash evidenton suplementin “Pena Shqiptare” të së shtunave në gazetën “TELEGRAF”,(të cilën me insistimin e tij ia postoj nga Tirana çdo të shtunë). Ai shprehet se, edhe për këtë suplement që boton dhe promovon krijimtarinë më të mirë të autorëve shqiptarë, nga rilindja e deri sot, kjo gazetë konkuron denjësisht në tregun mediatik shqiptar.

Në Panairin e Librit “Tirana 2018”, shkrimtari i mirënjohur Zija Çela promovoi romanin e tij të ri me titull “Djalli komik”. Një roman ky për të cilin vetë Zija Çela thekson se në inversin e vet, do të quhej ndryshe “engjëlli i dashurisë”. Ndërsa analisti Agron Gjekmarkaj evidentoi si përcaktor në marrëdhënien e Çelës me letërsinë, dekadencën shoqërore të shndërruar në detaj. Ndërkohë, Lazër Stani theksoi se mbi të gjitha, Zija Çela është një shkrimtar i cili lexon lexuesit e tij.

Fondacionit “ALSAR”, në harkun kohor të 6 mujorit të dytë 2018, ka promovuar dy botime dinjitoze të ambasadorit, publicistit dhe diplomatit Shaban Murati, profesor dhe “Mjeshtër i Madh në Diplomaci”.

Në librin e tij “Çështja e paqenë e detit, një intrigë diplmatike greke apo shqiptare”, patriarku i analizës diplomatike dhe i politikës së jashtme shqiptare, e konsideron çështjen e detit si një nga dosjet më enigmatike të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ndërsa tek “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, që u prezantua për qindra diplomatë, analistë e gazetarë nga Shqipëria, Kosova, rajoni e bota gjejmë analiza të mirargumentuara të ngjarjeve e zhvillimeve në harkun kohor të dy dekadave të fundit, që hedhin dritë mbi politikën dhe diplomacinë e kulisave dhe për provokimet e synimet e mbrapshta të qarqeve shoviniste serbe, të segmenteve e individëve për të penguar shpalljen e pavarësisë dhe formimin e konsolidimin e shtetit të ri të Kosovës.

Një veprimtari e veçantë promovuese u organizua në një fshat të largët, ku në praninë e dhjetra intelektualëve dibranë u prezantua libri “GRAZHDANI I DIBRËS”, shkruar me një stil të veçantë nga mësuesi në pension Neki Osmani. Një libër ku portretizohet Kalaja e Grazhdanit, si fortesë lufte dhe qëndrese, që përbën një shembëlltyrë historike; që evokon historinë e fshatit dhe traditën qytetëruese të tij, ndikimin dhe kontrollin mbi infrastrukturën provinciale përgjatë shekujve të V dhe VI. Por dhe një skedë e rëndësishme dhe e vlefshme për fshatin Grazhdan të Dibrës që sjell në kujtesë të kaluarën e largët të mugëtirës historike deri te e sotmja e jetuar. Jo më kot autori evidenton faktin se që në vitin 1974 Kalaja e Grazhdanit është shpallur monumet kulture dhe se “Turistët që vijnë në Dibër, duhet të shohin atë që i dha emrin Dibrës, këtë kala që është ndër më të mëdhatë në Ballkan”. Gjithsesi ky libër nuk do ta gjente dritën e botimit, pa kontributin modest dhe mbështetjen financiare të intelelektualit dhe sipermarrësit grazhdanas Edmond Isaku. Të jesh një sipërmarrës është çështje talenti, por është edhe një dhuratë nga Zoti. Edmond Isaku i ka të dyja. Si themelues dhe administrator i TV “Bulqiza” në dy dekada, ai ka dëshmuar se është një sipërmarrës i suksesshëm dhe i guximshëm, ka ide e aftësi menaxhuese, por është dhe një promovues e mbështetës financiar i botimit të disa librave dhe si i tillë ai zë vend të veçantë në Panteonin e Vlerave.

Përgëzime për punën me librin meritojnë edhe disa drejtues institucionesh kryesore. Kështu, Bujar Leskaj që drejtoj për shtatë vite Kontrollin e Lartë të Shtetit, i lë “trashëgimi” këtij institucioni, përveç selisë së re të standardeve ndërkombëtare edhe një bibliotekë mjaftë të pasur, ndërkohë që botimet e KLSH janë prezantuar denjësisht në disa panaire librash.

Punën me librin e ka vënë në prioritetet e tij edhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Stefan Çipa. Në më pak se katër muaj në drejtimin e burgjeve shqiptare, ai ka shpalosur vizionin perëndimor të reformimit të këtij sistemi, duke synuar një përafrim të shpejtë me standardet perëndimore. Dhe kjo edhe në drejtim të pasurimit dhe shfrytëzimit me efikasitet të plotë të bibliotekave në institucionet e vuajtjes së dënimit (përfshirë edhe inkurajimin, përkrahjen dhe botimin e krijimtarisë së disa personave të dënuar).

Po ashtu Dr.Ardit Bido, Drejtor i Përgjithshëm i Arkivit të Shtetit ka promovuar jo vetëm në Panairin e Librit 2018 në Tiranë, por edhe në rrethe, Kosovë e Maqedoni disa botime shkencore të këtij institucioni, shumë të vlefshme për publikun e sidomos për studjuesit. Një tjetër emër i spikatur i letrave shqipe, Elliott Moglica që ka kryer 25 vjet shkollim në katër gjuhë: shqip, anglisht, turqisht dhe frengjisht, autor i 16 librave me poezi, romane, biografi, tregime/novela dhe libra fëmijesh, vazhdon ta pasuroje fondin e letërsisë sonë me botime dinjitoze që nga qyteti i Toronto-s, i provincës së Ontario-s, në Kanada, ku jeton e punon prej vitesh.

Në mbyllje të Panairit të Librit që u organizua në qytetin e Peshkopisë fillim tetorin 2018, Administratori i Shtëpisë Botuese “M&B”, Bujar Karoshi u shpreh se ideja për realizimin e tij ka lindur në kuadrin e një jave kulturore në Dibër, e cila shpresojmë të kthehet në një traditë, sidomos kur të marrë udhë Rruga e Arbrit. Një javë plot veprimtari në vjeshtë ishte një prezantim shumë i mirë i Dibrës. Pasi evidentoi kontributin e librarisë “Fleta XXI” në Peshkopi, Botimet “Naimi”, si dhe mbështetjen e Bashkisë Dibër, z.Karoshi premtoi se nisma për të rikthyer autorët në vendlindje, përmes veprimtarive “Shkrimtari në vendlindje”, është një nismë që do të vazhdojë. Dibra ka shumë poetë, shkrimtarë e studiues të njohur, puna dhe sukseset e të cilëve janë një shembull i mirë për rininë atje. Gjithashtu, edhe nisma tjetër “Dhuro një libër” do të vazhdojë.

I solla këto shembuj, për të “justifikuar” disi titullin (e librit tim ne proces) “Për librat…dhe..me librin”, edhe për faktin se tërësia e lëndës së tij përbëhet kryesisht nga shënime për librat (botuar në suplementin letrar “MILOSAO” të “Gazeta Shqiptare”, në të përditshmet “TELEGRAF” e “KOHA JONË”, si dhe në të përjavshmen letraro-kulturore “NACIONAL”, parathënie (si redaktor i disa librave) dhe fjalë që kam mbajtur në promovimin e disa librave. Por edhe për të evidentuar dhe vlerësuar Lëvizjen Kombëtare për Lexim (LKL), nismë e Ministrisë së Kulturës të RSH e cila shpalli fundvitin 2018 programin “Shttt jam duke lexuar” (15 minuta leximi në 10 shkolla të Tiranës). Po ashtu, disa lëvizje dhe nisma për të nxitur leximin, si ajo “Takohemi për një libër” etj, dhe pasurimin e disa bibliotekave, janë punë që duhen lavdëruar dhe mbështetur.

SHKARKO APP