Talenti i servilit të nomenklaturës
Nga Alfred Papuçiu –
Ata ishin duke përcjellë zyrtarin tepër të lartë në aeroportin e Zyrihut. Për të thënë të vërtetën, për Arbanin, ky ishte bërë një ritual i padurueshëm dhe sidomos ai nuk mund të duronte diskutimet pa asnjë kuptim me ata që shpesh e bënin nervoz. Nuk mund të duronte punonjësin urë të nomenklaturës që kishte një talent të veçantë për atë ditë, për të dëshmuar për devocionin e tij dhe sidomos për të treguar se çfarë ishte i aftë të bënte. Ishte i djallëzuar dhe kishte lexuar disa libra, gjithashtu dinte historira për artistë të dëgjuar, të cilat i tregonte gjatë vizitave të tilla. Ndërsa Arbani preferonte sidomos të priste ndonjë shok dhe të fliste me të hapur, për gjithçka, për jetën, për mundësitë që kishte dhe vendi i tij, për të përparuar. Megjithatë, ai nuk mund të ndryshonte gjë dhe megjithëse i kishte ardhur në majë të hundës, linte punonjësin urë të nomenklaturës, që i njihte të gjithë, gratë dhe fëmijët e zyrtarëve të lartë, për të treguar talentin e tij. Shpesh, ata që vinin dhe kalonin tranzit për në vende të tjera, i vinin në dukje Arbanit se punonjësi urë rridhte nga një familje e mirë, se i jati kishte qënë…se e ëma…etj. Arbani nuk lëshonte pe, disa herë nuk duronte dhe shprehej se çdo sjellje varet nga personi se si është vetë dhe jo nga origjina e tij, natyrisht pa vënë në dukje ngërdheshjet dhe manierat e punonjësit urë të nomenklaturës. Asnjeri nuk kishte qënë aty për ta drejtuar Arbanin. Atij ju desh vetë të krijojë rolin e tij zyrtar, natyrisht me rreziqe. Megjithatë, ai ishte i mendimit se ishte më mirë kështu. Ai e gjeti vendin e tij midis këtyre personave, i përballuar me realitetin e vështirë.
Le të kthehemi tek historia jonë. Ata përgatiteshin për të përcjellë zyrtarin e lartë drejt aeroplanit, kur dikush nga suita u kujtua nëse ai /zyrtari i lartë/ e kishte me vehte bllokun e vogël “sekret”, me numrat e telefonit të veçanta. Shumë shpejt, pasi zyrtari i lartë tregoi habi, Arbani pa se i “devotshmi” ishte tashmë gati, i sinjalizuar qysh më parë nga suita, miqtë e tij të afërm.
“Do shkoj unë ta marr”, tha ai.
Pa pritur përgjigje, ai doli. Arbani nënqeshi dhe e kuptoi se ishte një nga kombinacionet e zakonshme që thurrte ai për të dëshmuar talentin e tij. Si mund të shkonte ai deri në hotel, në një kohë që aeroplani duhej të nisej pas disa minutave?
Po mirë. Si përfundim, pas 8-9 minutash, “djaloshi” hyri me bllokun e vogël në dorë, i skuqur në fytyrë, siç e kishte shëmbëlltyrën tërë kohën.
Zyrtari i lartë, që siç u vu re, i pëlqeu një gatishmëri e tillë, e falenderoi, gjë që u shënua me kujdes nga suita e tij, për t’i kujtuar si një mundësi për një angazhim të punonjësit urë të nomenklaturës, në të ardhmen.
E vërteta është se punonjësi rodhe i nomenklaturës, vazhdon edhe sot e kësaj dite të “përqafojë”, sa një grupim apo tjetër që vjen në pushtet, duke përfituar nga thërimet që i hedhin ata. “Qoftëlargu” shkon nga e majta apo e djathta kur fryn era e ngrohtë për të dhe familjen e tij të ngushtë.
1991-2020