“Të jesh apo të mos jesh”: Hamlet i Shekspirit rikthehet me stil modern
Kryevepra e Shekspirit, “Hamlet”, po shfaqet premierë në skenën e Teatrit Metropol, nën regjinë moderne të Jonida Beqos, me një skenografi bashkëkohore dhe një skenar plot surpriza. Vepra, e njohur për frazën ikonike “Të jesh apo të mos jesh”, është një reflektim mbi zgjedhjet, përgjegjësinë dhe dilemën ekzistenciale të njeriut.
Shfaqja bashkon një trupë të gjerë aktorësh, ku brezat takohen në të njëjtën skenë. Princi Hamlet interpretohet nga Amos Zaharia, ndërsa rolin e mbretit e sjell Viktor Zhusti.
“Ka qenë një rol me shumë sfida. I lodhshëm, por jashtëzakonisht i bukur,” u shpreh Amos Zaharia. Ai vuri në pah edhe bashkëpunimin e aktorëve: “Është shprehja që thotë ‘mbretin e luajnë’ shërbëtorët. Pa të gjithë aktorët, shfaqja nuk do të arrinte këtë nivel. Veçanërisht Viktor Zhusti ka dhënë një performancë të jashtëzakonshme.”
Edhe Viktor Zhusti e vlerësoi kolegun e tij: “Ishte një punë krejt e veçantë. Jo vetëm për shkak të kryeveprës, por edhe për kushtet e kufizuara të teatrit. Reagimi i publikut tregon që shfaqja ka arritur qëllimin. Ky ishte një sukses i veçantë për mikun tim, Amosin.”
Teatri, si mjet për të zënë mat ndërgjegjen e një mbreti, e ekspozoi artin në mënyrë të fuqishme për mbi 160 minuta, duke mbërthyer publikun në tragjedinë e Hamletit.
Urim Aliaj, pjesë e trupës, tha: “Të luaj krah Viktor Zhustit, Yllka Mujos, Armela Demajt dhe Sokol Angjelit është një kënaqësi e veçantë. Reagimi i publikut ka qenë i mrekullueshëm.”
Hamlet do të mirëpresë publikun edhe këtë të diel dhe rikthehet në janar me datat e reja të premierës.
KOHA JONË SONDAZH

