Të ndalim “vdekjen” e librit! “Tirana lexon” synon rikthimin te leximi

Jonila Godole është nismëtarja e projektit nën titull “Tirana lexon”. Godole, e cila është studiuese e shkencave të komunikimit, shkrimtare, përkthyese dhe po ashtu, drejtore ekzekutive e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulture (IDMC), ka zgjedhur që, këtë vit, slogani që udhëheq ditët e këtij eventi do të jetë nën titull “Tirana lexon për të kujtuar”.

Pak kohë më parë , INSTAT-i publikoi një shifër shqetësuese, për sa i përket leximit, duke treguar se rreth 1 milion shqiptarë, mbi 25 vjeç, nuk kanë mundur të prekin kurrë libër me dorë. Libri ka fuqinë të formojë qytetarin e së ardhmes, atë për të cilin shoqëria ka më shumë se kurrë nevojë. Për Jonila Godolen, në të vërtetë, mënyrat e leximit sot në botën moderne janë të shumta, por librin askush nuk mund ta zëvendësojë.

Ajo vë theksin se po shkohet drejt atij fenomeni që konsiderohet i trishtë, që ajo e përkufizon si “vdekjen e librit”. Në intervistën e dhënë për “Scan Magazine” studiuesja e shkencave të komunikimit tregon se problemet më të mëdha të këtij mos-leximi në shoqëri do të shfaqen me kalimin e kohës duke bërë një përballje të fortë me sistemin arsimor.

Të përqendrohesh në ditët e sotme në fushën e kulturës, në të gjitha format e saj, ngjason si një lloj sfide. “Tirana lexon” përpiqet të sfidojë në këtë realitet. A mendoni se aktivitete të këtij lloji ofrojnë mundësinë për të rizgjuar mendimet “ndryshe” nga turma?

Sigurisht që është një sfidë. Në ditët që jetojmë të flasësh për artin, kulturën, librin dhe zhvillimin intelektual konsiderohet si një luks. Në këtë mënyrë, pa e kuptuar, ne po zhveshim shpirtin nga gjithçka që na formon, nga gjithçka kulturore që mund të ofrohet në këtë vend, duke u dhënë tërësisht pas materiales, pasi vetëm ajo duket se ka vlerë, është e dukshme, e prekshme. Janë shumë të paktë ato institucione dhe ata njerëz që përkushtohen të mbajnë gjallë kulturën në Shqipëri, me të gjithë sfidat e panumërta.

Fokusi juaj është letërsia që lidhet ngushtë me kujtesën, ajo që do lejojë brezat e së ardhmes të njohin të shkuarën. Cila është arsyeja e kësaj përzgjedhje në gjykimin tuaj?

Ajo që ka në fokus nisma jonë është pikërisht kujtesa ndaj së shkuarës. Instituti për Media dhe Demokraci, target-grupin e tij ka brezin e ri, në ndërgjegjësimin e tyre ndaj së shkuarës komuniste. Në kuadër të vazhdimësisë së projektit “Letërsia, si vend kujtese” kemi mundur prej vitesh të tërheqim vëmendjen e opinionit publik për libra dhe autorë që kanë shkruar për momente të ndryshme historike, brenda dhe jashtë Shqipërisë.  Të ftuar në këtë edicion të radhës ishin shkrimtarë të njohur si, Besa Myftiu, që jeton prej vitesh jashtë Shqipërisë.

Publiku shqiptar do ketë mundësinë të dëgjojë nga afër leximin dhe diskutimin me shkrimtaren. Myftiu trajton gjerësisht temën e komunizmit në veprat e saj, duke i dhënë këndvështrime të ndryshme. Publiku, gjithashtu ka mundësinë të njohë nga afër rrëfime njerëzore të ardhur nga koha e diktaturës, që nëpërmjet biografive të tyre jetësore, e me një stil mjeshtëror kanë bërë një skanim të periudhës historike ku kanë jetuar.

Për këtë arsye u ndalëm në rastin e Gëzim Peshkëpisë, i burgosur politik dhe i përndjekur familjarisht nga regjimi komunist. Saimir Muzhaka është një talent i ri i përzgjedhur nga Ministria e Kulturës si talent letrar, me veprën e tij nën titullin “Qyteti plak”, duke rrëfyer të shkuarën e qytetit të tij të lindjes, aty ku dhe është rritur. Shkrimtari Agim Baçi solli përgjatë këtyre ditëve përmbledhjen e tij imagjinare me personazhe të njohur të letërsisë.

Ju jeni angazhuar që pjesë e aktivitetit “Tirana lexon”  të jetë debati dhe po ashtu një lloj kritike letrare ndaj veprave dhe autorëve të caktuar. Çfare do të synojë “Kuarteti i Leximit.”

Kjo ka qenë dhe ideja fillestare që pata që prej momentit kur eksperimentova  “Kuartetin e Leximit”. Në një farë mënyre duhet të zgjohet interesi ndaj leximit, duke gjetur format e duhura. Përmes prezantimit të një autori dhe përplasjes së mendimeve nga më të ndryshmet të ekspertëve, në lidhje me të, zgjohet më shumë interesi ndaj leximit.

Në Gjermani, një format shumë origjinal dhe shumë legjendar, po nën emrin “Kuarteti i Leximit” ka kultivuar me shumë kujdes shijet e brezave të tërë në letërsi, e në të njëjtën kohë e ka bërë më të lehtë rrugën e shkrimtarëve të rinj, që në kohën kur nisën dhe bënë përballjet e para me kritikën letrare. Në këtë pikë kemi një dallim shumë të madh, sepse të flasësh për kritikë letrare në Shqipëri është territor shumë i vështirë për të kaluar.

Të gjithë presin lëvdata për librat që botojnë dhe askush nuk mirëpret kritikën si formën e cila do përzgjedhë, por dhe do i japë mundësin më të mirit të shfaqet në fushën e letërsisë. Mungesa e një kritike të mirëfilltë në 28 vite demokraci e ka dëmtuar librin dhe letërsinë në mënyrë të jashtëzakonshme, duke bërë që lexuesi shqiptar të mos ketë më shije leximi në atë se ç’ka përzgjedh. Kjo ndodh sepse kultura tek ne konsumohet në ekran.

Nëse shqiptarët nisin të lexojnë, a mendoni se në të ardhmen do të kemi dhe qytetarë të denjë për të bërë më të mirën për veten dhe ndaj një shoqërie të tërë?

Shqipëria ka disa probleme madhore, të cilat kanë mbetur të mbartura nga regjimi komunist. Shqiptarët, në përgjithësi e veshin shtetin me shumë përgjegjësi, duke kërkuar prej tij zgjidhje të çdo situate. Kjo është një nga pasojat më të mëdha që diktatura ka lënë të trashëguar. Të gjithë njerëzit në fushën e kulturës bëhen bashkë dhe kërkojnë zgjidhje nga ministria e Kulturës.

Këtu nis një problem madhor. Nëse hedhim sytë jashtë Shqipërisë, aktivitete kulturore gjejnë mbështetje të madhe tek biznesi, i cili  çlirohet nga taksat për kontributin kulturor që i jep vendit të tij. Shqipëria është larg shumë larg këtij koncepti. As politika dhe as biznesi nuk kanë interes të madh ndaj kulturës, por kanë interesin e madh të “blejnë” artistin dhe ta përdorin në dëshirë të interesave të tyre.

Ky është një rreth vicioz që funksionon prej shumë vitesh në vendin tonë, duke humbur në këtë mënyrë besimin tek arti dhe fuqia e tij për të tjetërsuar gjërat. Përsa i përket leximit, ministria e Arsimit duhet të krijojë më shumë politika ndërgjegjësuese dhe forcim të planeve mësimore, ku përparësi t’iu jepet veprave të përzgjedhura me shumë meritë; duhet të organizojë takime me autorë dhe t’i motivojë me forma të ndryshme.

Në mënyrën se si funksionon Shqipëria sot është vështirë të flitet gjerësisht për librin, por jo e pamundur, sepse ajo që do vazhdoj të theksoj është fuqia që arti dhe kultura kanë tek njeriu.

Nga Jolanda Shuaipi – SCAN Magazine

SHKARKO APP