Të panjohurat e Malit të Tomorrit

Nga Sazan Guri –

Mali i Tomorrit së bashku me hien e lënë të Dodonës që në supe mbart, nuk është i sotshëm, e as i djeshëm, e as i kohës së historisë së shkruar, por Mal shumë para historisë, që me shpellat e veta (Vlusha), mbas i gjeti vend pëllumbave dhe ariut, futi dhe mbrujti njeriun.

Ai është baza e historisë së njeriut parak pellazg apo Europian. Ai është themeli i jetës në tokë. Ai është kulti i ngjizjes së shpirtit të njeriut shpiptar. Ai është Mali, ku njeriu shqiptar mori misionin nga Zoti për të shpërhapur farën me protoplazma anembanë Europës. Mal që mirëpret këdo, që bekon këdo që mendon drejt për këdo që edhe mendon drejt. Mal, sikundër thotë studiusi plot zell Viktor Bakillari, që godet me rrufenë dhe stocenin e vet, këdo që mendon e vepron mbrapsht.

Ndaj, ai me madhështinë e vet, mjafton ta cekësh nga larg, ai duket se të theret bujrëm në bukurinë time pagane dhe marshni bekimin tim si Baba Tomorr dhe jo si ndonjë baba tjetër. Amin. Këto gojëdhëna përfocohen edhe nga të tjera si p.sh kur frynë erë e fortë banorët thonë: Është zemëruar Tomorri, nga se jemi bërë gjynaqarë. Ose në vendin Vokof, mbi Lubeshë, lisin e madh të thatë nuk e prek njeri me dorë…frikë për dënim dhe respekt për bekim. Por, edhe Berati quhej: Berati plak, në akordim me thënien Tomorri plak.

Sot, ne mund të mblidhemi si djem të ushqyer e të bekuar me ujin e këtij mali. Mund t’i avitemi si prindër për të përcjellë dertet e këtij mali, por mbi të gjitha i qasemi si misionarë për të çuar në vend të shenjtat e këtij mali. Dhe jo pak, sot ndodhet pranë këtij Mali, tanë djalëria e skraparit, e gramshit, e beratit, e myzeqesë së fierit e lushnjes, gjithë ata që të-m(o)irin e kanë pranë dhe që i shohin rrezet e para të shkëlqimit të ditës. Sikundër, ky shkëlqim që duket sikur lind nga Çuka e Tomorrit ngroh për të gjithë, dhe djelmëria e tij mblidhet, jo thjesht për vete, por edhe për të rrezatuar për të tjerët. Por, më parë ne mblidhemi për t’i dhënë fjalën njeri tjetrit, se çfarë duhet të bëjmë ne për këtë trevë, çfarë mund t’i japim ne nga vetja kësaj treve, dikush me laps, dikush me mendje, dikush me vjersha, dikush me vreshta, sepse nuk është ai, Tomorri, apo ajo treva rreth tij që ka nevojë për ne, por jemi ne që kemi nevojë për të. Por, mbi të gjitha janë fëmijët tanë që kanë nevojë për Tomorrin, për kodrat e tij, për peligrinazhet e tij, fushat në këmbët e tij. Dhe kjo nevojë e tyre është e pakta detyrim që ne i kemi brezit pasues, duke iu lënë një mjedis të natyrshëm.

Është ky mal, si asnjë tjetër në botë, që lidh kaq mahnitshëm fushat e pamatë të myzeqesë me kodrat me plantacione të ullishteve, vreshtave e fiqve, si për të thënë që po me kaq kohezion duhet të jeni dhe ju o njerëz. Ndaj edhe poeti Xhevahir Spahiu e barazon Baba Tomorrin me malin e bashkimit dhe të besimit të shqiptarëve. Është ky Mal, si askund tjetër në botë, që të bën të shquash në ditë të kthjellët tanë territorin e banuar nga parakët shqiptarë, filluar nga Ararati në këmbë të Kaukazit e deri në Apeniniet e Baskëve apo Galinë e Francës, si për të thënë që bashkëpunimi me botën është pjesë e genit shqiptar mijëvjeçar. Por, njerëzia e kësaj treve nuk do të jetë për të përçuar këto vise e visare, por edhe për të ndalur dorën barbare, duartë kundër këtyre vlerave që sikur të ishin të gjata, edhe Hënën do të shkatërronin. Pamjet me gurë nëpër rrugët e Skraparit, pamjet e mjera të malit të rrjepur, pamjet me kullota e pyje, që na ishin njëherë, na shtyjnë të mos flemë, por të zgjohemi, e as mos të ecim, por të vrapojmë në mbrojtje të tyre.

Fig. – 6 shtresa pllakore gëlqerore që ky babamal ofron gurët e bekuar për ndërtime brenda e jashtë vendit, duke i uruar, por që shqiptari i sotëm ja rrëmben si i mallkuar.

Kjo do jetë dhe një nga sfidat, ku ne do të na duhet të ndeshemi, duke pasur luksin, jo për t’u qarë e për t’u ankuar, por për ta zgjidhur. Secili nga ne nuk do të luftojë për mision personal, por për personalitetin Tomorr Mal. Të luftojë si misionar. Edhe dëgjo këtu ti cicëron apo ti akademik, apo ti fshatar apo ti qytetar apo ti peligrinator, që nuk doni t’ja dini për këtë Mal se ne jemi këtu pranë këtij Mali, që kur na krijoi Zoti. Se ndryshe, do vimë te vargu i të pavdekshmit nga kjo anë (Xh.Spahiu), kur thot se: Reja u var, mali s’duket më, fusha ngel pazot e pazë.

SHKARKO APP