Të vërteta të pathëna për kryetrimin shijakas Qemal Deliallisi…

(Me rastin e 78-vjetorit të rënies heroike)
Nga Nikolla Sudar

Mençuria popullore thotë: “E vërteta vonon, por nuk harron!” Kjo aksiomë e përjetshme ka të bëjë edhe me kreshnikun shijakas, Dasho Shkrelin e Shqipnisë se Mesme, të pavdekshmin QEMAL DELIALLISIN.
Vite, dekadat dhe shekujt do të kalojnë, por asnjëherë nuk do ta zbehin figurën madhështore të këtij kryetrimi, të këtij njeriu të thjeshtë, por që me veprën e vet hyri në legjendë, kënga e të cilit u këndua gjatë luftës dhe vazhdon të këndohet me pathos në tërë vendin. (“Po vijnë kamionat, o nji nga nji,/Jalla, Zot, ç’asht kjo fuqi?/ Kanë rrethue nji djalë të ri,/ Që ban luftë me qeveri./Djalë të ri, o prej Shijaku,/ S’iu tremb syu, s’iu prish gjaku” etj.
Për jetën dhe veprimtarinë e këtij biri të denjë, jo vetëm të Shijakut, por të gjithë Shqipërisë, kam shkruar dhe nuk kam ndër mend të përsëris të njëjtat gjëra. Fjala këtu është për nxjerrjen në pah të përpjekjeve gati gjysmëshekullore për të denigruar këtë atdhetar antifashist të orëve të para, kur në qershor të vitit 1941, krahas Çetës së Pezës, vepronte edhe Çeta e Shijakut e komanduar prej tij.
Ishte vera e vitit 1971. Sapo ishte botuar në revistën “Nëntori” libri i veteranit Sali Verdha “Nëpër Pezën partizane”, të cilit po i bëhej një reklamë shurdhuese. Nuk mohohen meritat e mëdha te Çetës së Pezës, të kësaj njësie të parë të luftës antifashiste në të gjithë vendin. Por ja që autori në këtë libër denigronte deri në poshtërim figurën madhore të Qemal Deliallisit (të cilin autori nuk e kishte njohur personalisht). Arsyeja? Të fetishizohej edhe ashtu e fryrë në kulm figura e Myslym Pezës.
Pak fjalë për kryetrimin Qemal Deliallisi:
U lind në Shijak, në një familje të varfër, por të ndershme në vitin 1917. Në vitin 1936 ai godet për vdekje një xhandar ne Shijak. Pe këtë arsye autoritetet menduan t’i bëjnë një gjyq shembullor në Tiranë. Nga salla e gjyqit Qemali tenton të arratisej, por dështon dhe thyen të dyja këmbët, megjithatë gjyqi e dënon me 30 vjet burgim të rëndë. Në burg ai njihet nga afër me Qemal Stafën. Këtu bëhet njëri nga iniciatorët për shpërthimin e burgut në prill të vitit 1939 dhe prej andej shkon ne Pezë. Qemali inkuadrohet më Çetën e Pezës, ku shquhet për trimëri të rrallë. Madje në një betejë në Pezën e Madhe, i shpëton jetën djalit të Babë Myslymit, Skënderit, dhe vetë plagoset rëndë. Mirëpo reputacioni në popull i Qemalit dhe alarmi i armikut krijuan një xhelozi te madhe në Pezë. Sjellja prej bajraktari e M. Pezës dhe xhelozia e K. Karafilit krijuan nje situatë të padurueshme për Qemalin. Ndërkojë atij i vjen lajmi se fashistët ia kishin internuar familjen në Porto-Romano. Për këtë arsye ai kërkoi leje që të interesohej për familjen, por Babë Myslymi nuk ia miratoi. Megjithatë Qemali u largua, sepse e gjithë familja e tij rrezikohej të zhdukej fizikisht. Më pas ndërlikimi i situatës nuk e lejuan më që të kthehej më në Pezë.
Ishte qershori i vitit 1941, kur Qemali krijoi Çetën e tij, vet i pestë me shokët e tij të ngushtë: Fadil Vezin, Bajram Tushën, Rexhep Bërmuçën dhe Xhemal Troplinin. Kjo çetë u bë tmerr për pushtuesit fashistë (këtë e vërtetojnë me dhjetra dokumente të armikut). Më 1 qershor 1942, Qemali u gjend i rrethuar në fshatin Sallmone të Shijakut, bashkë me byrazerin e vet, trimin e rrallë, Fadil Vezin. Pasi nxjerr nga rrethimi, Fadilin ai bie si hero për të fituar pavdekësinë. Kënga kushtuar Qemalit, e krijuar nga rapsodi atdhetar Dalip Tusha prej fshatit Manskuri, bazë e rëndësishme e çetës së Shijakut, u përhap në popull, në rreshtat partizane, vetëm disa ditë pas rënies së trimit, duke u shndërruar në një nga këngët më të dashura si në atë kohë, ashtu edhe sot.
Ne vitin 1945 Këshilli Antifashist i qarkut të Tiranë, me vendim unanim, e shpalli Qemalin dëshmor të atdheut. Por ç’ndodhi më pas? Qëllimisht me ndërhyrjen e Babë Myslymit atij “de facto” i hiqet titulli i dëshmorit (ndonëse “de jure” ai figuron edhe sot dëshmor në arkivat e administratës së kryeqytetit) dhe jepet porosia gjithandej që të mos këndohet më kënga e tij. Me këtë veprim nuk u pajtua aspak i biri i Babë Myslymit, Skënder Peza, të cilit i kishte shpëtuar jetën. Kaluan dekada, por fshehurazi, sidomos nëpër gëzime familjare, këndohej me shumë dashuri kënga e trimit Qemal Deliallisi.
Por tentativat e vazhdueshme për të denigruar figurën e Qemalit trishtuan pa masë për dekada me radhë, sidomos banorët e Shijakut dhe të fshatrave të tij. Ishte viti 1968, kur m’u dha mundësia të njihesha me dokumente kushtuar ish nënprefekturës së Shijakut, në Arkivin Qendror të shtetit. Atje gjeta material të bollshëm, sidomos kushtuar veprimtarisë atdhetare të Qemalit dhe Çetës së tij heroike. Mbi këtë bazë u ngrit një grup studjuesish i përbërë nga unë si drejtues, bashkë me shokët Haki Baçi, Sadik Tepshi, Besnik Llaftiu e Fatmir Zalla. Ne u mbështetëm fuqimisht nga bashkëkohësi i Qemalit, veterani Shyqyri Marika, i cili gjithë jetën e vet u përpoq me të gjitha forcat ta mbështeste vendlindjn e vet, Shijakun. Pikërisht në këtë kohë unë hartova një letër drejtuar redaksisë së revistës “Nëntori”, lidhur me figurën e Qemalit, të poshtëruar në librin “Nëpër Pezën partizane”. Lejtmotivin e saj e përbënte konkluzioni: “Ky atdhetar luftoi deri në fund fashizmin, pra ata nuk e duan, ne po e denigrojme, atëherë del pyetja: ku qendron vepra e tij, në hava?” Në përfundim kërkohej që Qemali të rishpallej dëshmor i luftës për liri. Letra prej disa faqesh iu dërgua nga redaksia e revistës “Nëntori”, shoqes N. Hoxha, në atë kohë drejtoreshë e Institutit të studimeve marksiste-leniniste. Nga të dhënat e mëvonshme kam mundur të informohem se Babë Myslymi, me kokëfortësi, karakteristike për të, thuhet se është përgjigjur: ”Qemali ka qenë e mbeti nje rebel i pandreqshëm dhe imoral!”. Që nga ky moment filloi “odiseja e raprezaljeve kundër grupit dhe të gjithë përkrahësve të çështjes së Qemalit”. Qëllimi i regjimit ishte shpartallimi i grupit dhe sidomos goditja deri në përjashtimin nga partia e veteranit të nderuar të luftës, shijakasit të shquar Shqyri Marika, ish kuadër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, me pasoja ligjore “për t’u bërë shembull”. Këtu duhet theksuar qëndrimi kurajoz i të vëllait të dëshmorit, ish partizanit të Brigadës I S, punonjës i Gjykatës se Lartë, Murat Deliallisit. Me rastin e përvjetorit të rënies së Qemalit, në qershor të vitit 1971, ai u shpërndau miqve një biografi të plotë të tij. Por organet “vigjilente të sigurimit të shtetit” e konsideruan “trakt antiparti”. Për këtë arsye u godit rëndë Murati, por nuk u thye. Odiseja e raprezaljeve kundër grupit do të vazhdonte gjatë. Një mbrëmje, në orën dhjetë të natës, thirret i gjithë grupi në seksionin e arsimit të rrethit Durrës. Këtu vlen të theksohet mbështetja e madhe që më dhanë dy nga shoket e mi të nderuar, që sot nuk jetojnë, të paharruarit Sadik Tepshi dhe Besnik Llaftiu. Pa marrë parasysh rrezikun e madh që e kanoste, kuadri i mirënjohur i arsimit në zonën e Shijakut, Sadik Tepshi, iu kundërvu hapur shefit të arsimit, në mbrojtje të Qemalit.
Por përpjekjet tona për të rehabilituar Qemalin u pritën me entuziaëm si në Shijak ashtu edhe në të gjitha fshatrat e zonës. Interesant është fakti se mbi 150 letra iu drejtuan KQ për njohjen dëshmor të Qemal Deliallist; qytetarë të thjeshtë me çiltërsinë më të madhe kërkonin njohjen e trimit shijakas. Kjo fushatë spontane alarmoi Komitetin Qendror, i cili urdhëroi të fashitej me çdo kush “ky rebelim i shijakasve të pabindur”. Për të ndjekur çështjen, Komiteti Qëndror ngriti një grup pune të kryesuar nga instruktori Shqyri Ballvora, i cili u përpoq që të nxinte figurën e Qemalit dhe ta godiste rëndë grupin tonë, por që nuk ia arriti qëllimit.
Gjithashtu filloi t’u bëhej një presion i madh disa veteranëve. Për fat të keq qëndrimi i parisë në Shijak ishte më se negativ, në mbështetje të udhëheqjes së rrethit dhe të Babë Myslymit. Duhet theksuar se Baba ushqente një mllef të vjetër ndaj Shijakut. Të mos harrojme se ai nuk mund ta harronte dështimin e bujshëm në Shijak të aksionit, të komanduar nga Kajo Karafili, për të vrarë më 7 dhjetor 1942, Kapllan bej Deliallisin. Prandaj vetëm nga fisi atdhetar Deliallisi, diktatura eliminoi fizikisht shtatë pjesëtarë të tij, kundërshtarë personalë të Babës. Mllefi i tij i u shtua edhe për shkak të mbështetjes së gjithanshme që i kishte dhënë populli i Shijakut deputetit të vet, kryetarit të grupit të deputetëve, të paharruarit Shefqet Beja, që u ekzekutua si armik populli. Në vitin 1947 regjimi burgosi kunatin e Qemalit, mësuesin atdhetar, Sulë Zalla (më 1994 atij iu dha, pas vdekjes, titulli “Mësues I Popullit”), shtëpia e të cilit në Shijak ishte baza më e rëndësishme e çetës. Po kështu në vitin 1951, gjatë verifikimit të dokumenteve të partisë, Murat Deliallisi, për shkak të Qemalit, u shkarkua nga detyra dhe për një kohë të pacaktuar u dërgua punëtor krahu.
Ndërkohë të urdhëruar nga qendra, drejtuesit në rreth bashkë me ata në Shijak, u hodhën në një sulm të fuqishëm për të mposhtur “këtë rebelim”. Në mënyrë te veçantë grupi thirrej vonë natën për të firmosur një deklaratë se gjoja ishim nxitur nga veterani Shyqyri Marika. Por asnjëri nga ne nuk firmosi diçka të tillë. Presioni ndaj meje, si drejtues i grupit qe shumë i fortë. Me motivacionin: “përpjekje për denigruar figurë e dytë popullore e vend, Babë Myslymin”(që nuk ishte e vërtetë) u mbajta nën vëzhgim të plotë gjatë tetë muajve. Këtu duhet të përmend qendrimin e dyzuar të sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të rrethit Durrës, humanistit të shquar, njeriut fisnik Iljaz Reka. Në aparencë ai më foli shumë ashpër, ndërsa unë iu përgjigja (pa e ditur qendrimin e vërtetë të tij): “Shoku Iljaz, ju keni dalë partizan 18 vjeç, kurse unë sot jam tridhjetë e me arsim të lartë, prandaj ju flas me bindje se askush nuk më ka nxitur. E pranoj se më ka befasuar aktiviteti atdhetar i Qemalit, por nëse mendoni se kam gabuar, ju e keni në dorë të vendosni për fatin tim!”. Ky qendrimi im shpëtoi nga ndëshkimi veteranin Shyqyri Marika. Por më vonë do të mësoja se në prapaskenë, shoku Iljaz, i mbështetur nga miku i madh i familjes sime, Lilo Zeneli, deputet e kuadër i lartë ushtarak si edhe humanisti i shquar Sulë Gollaj nuk pranuan që unë te arrestohesha, duke fituar mërinë e Babë Myslymit (mbase këtu mund të ketë ndihmuar edhe fakti se im atë ishte veteran i Brigadës IV S). Fisnikut Iljaz Reka (ish përgjegjës i rinisë së Brigadës XXII S, me gradën kapiten në vitin 1945, drejtues i shkëlqyer i sektorit të bujqësië, por që nuk u pa e arsyeshme të zgjidhej as kandidat i KQ), iu desh të përballonte mjaft raste antihumanitare të natyrave të ndryshme. Kjo është arsyeja që ky burrë i shquar disa herë u godit “për shfaqje të theksuar liberalizmi”, sepse merrte në mbrojtje njerëz të thjeshtë, gjë që ia shkurtuan jetën. Me interes është të theksohet qendrimi i paepur i redaksisë së revistës “Nëntori”. Atë e drejtonte shkrimtari i përmendur Fatmir Gjata, kurse në redaksi punonin letrari i shquar Faik Ballanca dhe intelektuali i mirënjohur e me kulturë të gjërë, kritiku i artit, Andon Kuqali. Më kujtohet rasti kur më mori veçan kryeredaktori dhe në konfidencë më tha: “Djalo, u ke hapur luftë bajlozave si Myslym Peza dhe Sali Verdha, ata të hanë të gjallë! Kujdes te mos biesh pre e provokimeve të tyre. Madje, të këshilloj të tërhiqesh me kujdes!” Para syve gjithmonë më del figura epike e të paharruarit Faik Ballanca. Atë e entuziazmoi pa masë jeta dhe veprimtaria e Qemalit. Ky intelektual i shquar u prek thellë, kur gjatë bisedës me të vëllanë e Qemalit, veteranin e paepur Enver Deliallisi, dalloi 12 plagët e tij në trup, pasoja të kampit të përqëndrimit të Prishtinës. “Qemal Deliallisit, këtij trimi të rrallë, i është bërë padrejtësi e tmerrshme!” – përsëriste vazhdimisht ai. Me respekt të thellë kujtoj shqetësimin e tij për fatin tim, prandaj nuk nguroi të vinte në Shijak për të më dhënë kurajo. Me një guxim të rrallë, duke vënë veten në rrezik, ai u përplas me Shyqyri Ballvorën.
Si rrodhën më tej ngjarjet?
Prëveç letrave të shumta dërguar qendrës, duhet theksuar qëndrimi i vendosur dhe burrëror i shumë kuadrove dhe njerëzve të thjeshtë të asaj kohe. Tronditje të fortë shkaktoi në atë kohë botimi i një artikulli në gazetën “Zëri i Rinisë”, kushtuar Qemalit nga punonjësi i Arkivit qendror të shtetit, veterani trim Dhimitër Andoni si edhe vlerësimi që i bënte këngës së Qemalit, të kënduar në një festival folklorik të Tiranës, muzikologu i mirënjohur, Ramadan Sokoli, botuar në atë periudhë. Por i pari që e mbështeti fuqimisht këtë çështje ishte njëri nga antifashistët e mirënjohur, tipografi i paharruar tiranas, Luigj Filipi (që e kishte njohur personalisht). Ai nuk hezitoi të lëshonte deklaratë me shkrim për njohjen e tij dëshmor i atdheut. Mbështetje të fortë i bëri çështjes kryetari i Degës ushtarake të rrethit Durrës, veterani i shquar Qiriako Deçka, që vlerësonte lart meritat e Qemalit. I paepur qëndroi në vlerësimin e kësaj figure edhe punonjësi i Gjykatës së lartë, Muhamet Picari, i cili, ashtu si edhe miku i tij, Murat Deliallisi, do të provonin mbi kurriz qendrimin e egër të kohës.
“Bujë” bëri në mesin e vegjëlisë shpifja e ulët, e cila u inicua qëllimisht dhe që e quante Qemalin “imoral”. Por, si qendronte e vërteta? I paharruari sekretar i Komitetit të veteranëve të Luftës për rrethin e Durrësit, Mina Kostrista, studimin shumëmujor të jetës e veprimtarisë së Qemal Deliallisit, e përmblodhi në njëmbëdhjetë faqe të daktilografuara, që iu dërgua udhëheqjes në Tiranë. Ky ushtarak me akademi dhe njeri objektiv, i bëri një mbrojtje të shkëlqyer tërë figurës së Qemalit. Lidhur me akuzën e ulët për “imoralitet”, ai mori takim edhe me personin nga Rrogozhina, prej dekadash e martuar në Kavajë edhe tashmë gjyshe. Ajo me lotë në sy i tha: “Po e ndjek me dhimbje te madhe poshtnimin që po i bahet me të padrejtë Qemalit. Po, asht e vërtetë që ai më ka dashur, por edhe unë e kam dasht fort atë trim të rrallë. Ne i dhamë besën njeni-tjetrit që mbas lufte të ngrehim çerdhen tonë”. Kështu zyrtarisht u rrëzua shpifja e ulët për qendrim imoral të kreshnikut shijakas.
Po pasojat në Shijak?
Në kundërshtim me parinë, vegjëlia shijakase si në qytet ashtu dhe nëpër fshatra, me letrat e dërguara në qendër u përpoq të rehabilitohej figura e Qemalit. I pari që në Shijak lëshoi deklaratë për njohjen dëshmor ishte humanisti i shquar, njeriu me zemër të madhe, përgjegjësi i rrobaqepësisë me porosi, veterani, Xhemal Kruja. Me gjithë presionin që iu bë, ai nuk hoqi dorë. Qendrim të jashtëzakonshëm mbajti veterani i ndershëm Sherif keçi. Ky njeri, i cili kishte dalë partizan në moshën 16-vjeçare, e quante Qemalin “idhull të vet”. Por paria në Shijak nuk do t’ja falte qendrimin burrëror. Një ditë prej ditësh fshehurazi i hedhin në oborr një thes me nitrat. Pas pak “si rastësisht i informuar” mbërrin në shtëpi grupi i kontrollit dhe “konstaton se Sherifi paskësh grabitur një thes me nitrat nga kooperativa bujqësore”! Paradoksi?! Për kopshtin e tij të vogël mjaftonin disa grushte me pleh nitrati, dhe nuk i duhej thesi prej disa dhjetra kilogramësh. Sipas praktikës tashmë të njohur, u mblodh organizata bazë dhe Sherif Keçi… përjashtohet nga partia. Këtë goditje ai nuk e duroi dot, prandaj pas pak kohësh pëson paralizë dhe nuk vonoi ndarja nga jeta, por deri në fund ai nuk hoqi dorë nga Qemali. Veteranët e nderuar Dilaver Domi, Ibrahim Rexhepi, Sherif Nërjaku etj., nuk u mposhtën, por lëshuan deklaratë për njohjen e Qemalit. Djali i komandantit të Batalionit të 3-të Pezës, Fadil Vezi, byrazer i Qemal Deliallisit, është shprehur kështu: “Nuk mohohet se baba im ka qenë byrazer me Qemal Deliallisin dhe se shtëpia jonë ka qenë bazë e çetës. Ne si familje ruajmë kujtimet ma të mira për atë trim të rrallë”.
Por diktatura nuk do të ndalej deri ne fund për të plotësuar “kapriçion e Myslim Pezës”. Si rezultat i tërë këtij “rebelimi popullor”, për të mos e ndërlikuar më tepër situatën, regjimi shpejtoi të merrte vendimin e turpshëm, duke e shpallur më 1972, Qemal Deliallisn “viktimë lufte”. Kështu u shkel mbi gjakun dhe veprën e këtij martiri të luftës për liri.
Me ardhjen e demokracisë, Qemali u rehabilitua, por edhe sot ai nuk ka zënë vendin e merituar. I takon popullit të Shijakut, Bashkisë së tij, që t’i bëjë vlerësimin e duhur birit të vet të paharruar.
*Historian dhe përkthyes.

SHKARKO APP