Të vërtetat e errëta të qënies njerëzore në shfaqjen, ”Drama e dy karaktereve”

”Drama e dy karaktereve”, ose e njohur ndryshe edhe si “Outcry” është shfaqja më e re që do të ngjitet premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Një vepër nga autori amerikan Tennessee Williams, “Drama e dy karaktereve” është pjesërisht një autobiografi e shkrimtarit. Personazhi Felice në këtë dramë është bazuar mbi karakterin e vetë autorit, ndërsa personazhi Clare është frymëzuar nga Rose Williams, motra e tij.

Kjo vepër, që do të ngjitet për herë të dytë pas vitit 2014 në Shqipëri, konsiderohet si qasja më personale e autorit nga të gjitha veprat e tij të tjera. “Natyra e kufizuar e ekzistencës njerëzore” është tema më e rëndësishme e karrierës së Williams, e cila mbizotëron edhe në këtë vepër .

Clare (Krist Lleshi) dhe Felice (Igli Zarka), aktorët, njësoj si edhe karakteret që ata interpretojnë, sado që përpiqen, nuk munden të gënjejnë veten për t’ju larguar realiteteve të prodhuar nga gjendja e tyre e rënduar psiqike. Për rrjedhojë, vetë publiku ballafaqohet me të vërtetat e errëta të të qenit thjesht njerëzor.

Shqipëria është vendi i parë në Evropë që guxon të shfaqë këtë dramë personale të një prej dramaturgëve më me ndikim në fushën e teatrit në mbarë botën, i cili është njëkohësisht dy herë fitues i çmimit “Pulitzer”.

Premiera do të shfaqet më 13 prill në TKEKS deri më 22 prill, ora 20:00.

/Agjencia Telegrafike Shqiptare/

/a.a – a.g. – ATSH/

SHKARKO APP