Teatri Eksperimental, me numrin më të lartë të shfaqjeve në 3 muajt e parë të 2020

Në tremujorin e parë 2020, Teatri Kombëtar Eksperimental është institucioni që ka realizuar numrin më të lartë të shfaqjeve dhe premierave. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave ky teatër në tre mujorin e parë të këtij viti është me 92 shfaqje dhe 4 premiera. Në totalin e shfaqjeve të organizuara, Teatri Kombëtar Eksperimental ka organizuar 50.5 për qind të shfaqjeve. Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë është institucioni i dytë me numrin më të lartë të shfaqjeve gjithsej, me 45 të tilla, 23.7 për qind të shfaqjeve gjithsej.

Në tremujorin e parë 2020, Teatri Kombëtar Eksperimental është institucioni që ka numrin më të lartë të spektatorëve, me 13.146 të tillë, 41.2 për qind të spektatorëve gjithsej. Ndjekur më pas nga Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor me 6.990 spektatorë, 21.9 për qind të spektatorëve gjithsej. Në Teatrin Kombëtar dhe në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë pjesëmarrja është përafërsisht e ngjashme, respektivisht 16.5 për qind dhe 16.1 për qind të spektatorëve gjithsej.

INSTAT bën me dije se numri mesatar i spektatorëve për shfaqje, në tremujorin e parë 2020 është 168 spektatorë. Pjesëmarrje më e lartë shihet në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. INSTAT shprehet se krahasimi i tremujorit të parë 2020 me tremujorin e parë të vitit të kaluar nuk është i mundur, pasi në ndryshim nga tremujorët e tjerë ky tremujor përfshin të dhëna deri me datë 9 mars 2020.

Aktivitetet kulturore dhe artistike në institucionet publike të kulturës u ndërprenë bazuar në Urdhrin Nr. 140, datë 9.3.2020, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga infeksioni i shkaktuar nga Covid-19, sipas urdhrit nr. 132, datë 8.3.2020 të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, “Për mbylljen e aktiviteteve publike dhe jopublike dhe anullimin e grumbullimeve masive në vende të mbyllura apo të hapura”.

INSTAT shprehet se të dhënat e statistikave të kulturës i referohen vetëm institucioneve qendrore, të cilat janë në varësi nga Ministria e Kulturës. Në institucionet qendrore të artit e të kulturës përfshihen Teatri Kombëtar, Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Qendra Kombëtare Kulturore për Fëmijë dhe Cirku Kombëtar.

SHKARKO APP