Teatri, Elsa Demo: Ky sistem është frikacak. Kultura e ka nxjerrë Ramën lakuriq

Gazetarja Elsa Demo, njëkohësisht kritike arti në Shqipëri, ka deklaruar se deputetët e mazhorancës që pritet të votojnë nesër projektligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar, janë tërësisht të painformuar dhe plotësisht indiferent për këtë çështje.

Gjatë fjalës në tryezën e organizuar nga ”think tank”-u Politiko, Demo tha se deputetët do të votojnë në seancë me sy mbyllur dhe kjo është një kthim mbrapa për demokracinë në Shqipëri.

“Në Komision vura re që janë njerëz tërësisht të painformuar për atë që ndodh. Janë njerëz të cilët do të votojnë me sy mbyllur. Do të votojnë me sy mbyllur duke u identifikuar njëherë e përgjithmonë me partinë.Ky është një kthim mbrapa për demokracinë dhe mendimin e lirë. I shikoja që po shfletonin në atë moment projektligjin që ua kishin dhënë aty në tavolinë. Njerëz tërësisht indiferent po e mbanin gojën mbyllur, jo sepse po u vinte keq për ne, por sepse janë të bindur drejt asaj ku do të shkojnë. Dhe ku po shkojnë? Nuk di çfarë të them tjetër”, u shpreh gazetarja.

Elsa Demo theksoi se sistemi politik në Shqipëri është i trembur dhe po jep shenja frike për reagimin që po ndodh për Teatrin Kombëtar, ndaj qytetarët nuk duhet të tërhiqen në këtë moment. Gazetarja kritikoi ashpër edhe kryeministrin Edi Rama kur tha se kultura është një nga oborret ku ai ka dalë lakuriq gjatë viteve të qeverisjes.

“Ky sistem në thelb është shumë frikacak. Gjithë këto masa, shenja, simptoma që po shfaqen mua më duken shenja frike. Ata duken shumë të frikësuar, ata duken mjaft të trembur dhe të shkundur nga ky reagim që po ndodh në Teatrin Kombëtar dhe në media. Ky moment frike që ata po shfaqin duhet të na bëjë të reflektojmë që kjo mënyrë e të rezistuarit duhet të jetë konstante, nuk duhet të bjerë më në atë gjendje. Kultura dhe filozofia që ai (Rama) ka për kulturën është një nga oborret ku ai ka dalë lakuriq”, u shpreh Demo.

Burimi: Politiko.al

SHKARKO APP