Teatri “Skampa” hap edicionin e 10-të të takimit kombëtar të Orkestrave të Harqeve
Mbrëmja e djeshme në Teatrin “Skampa” të Elbasanit solli një udhëtim përmes tingujve të muzikës së harqeve, duke hapur zyrtarisht edicionin e 10-të jubilar të Takimit Kombëtar të Orkestrave të Harqeve.
Ky aktivitet tradicional, që prej vitesh ka zënë një vend të veçantë në jetën artistike të vendit, promovon artin, kulturën dhe bashkëpunimin mes talenteve të rinj e profesionistëve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe rajonit.
Në këtë edicion morën pjesë orkestrat dhe ansamblet nga Elbasani, Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Fieri, Berati dhe Ulqini, të cilat sollën një mbrëmje të mbushur me emocione, profesionalizëm dhe dashuri për muzikën.
Publiku elbasanas përjetoi një atmosferë të ngrohtë dhe festive, ku muzika bashkoi breza, pasione dhe ndjenja të përbashkëta artistike.
Festivali organizohet nën drejtimin e Blerim Narazanit (Mjeshtër i Madh) si Drejtor Artistik dhe Kliton Kapaj si Drejtor Organizativ.
Në fjalën e tij, drejtori organizativ Kliton Kapaj u shpreh se “ ky është një edicion i veçantë, që shënon 10 vite përkushtim ndaj artit të harqeve dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve muzikore të vendit. Për dy netë me radhë, skena e ‘Skampës’ do të jetë shtëpia e harmonisë dhe emocioneve, ku artistët do të flasin përmes muzikës, gjuhës më të bukur që na bashkon të gjithëve.”
Ky edicion jubilar bashkon orkestrat më të mira nga qytete të ndryshme të vendit, në një udhëtim të mrekullueshëm përmes tingujve, traditës dhe pasionit muzikor.
KOHA JONË SONDAZH

