“Tef” Palushi ikoniku i karikaturës, satirës dhe humorit shkodran

Nga Albert Vataj

Shkodra ka trashëguar një traditë të pasur të humrit, satirës, barcaletës, bejtes, sarkazmës, karikaturës,  dhe krejtçfarë mëndja dhe shpirti në një nevojë për t’u ndeshur me të keqen dhe çliruar prej çdo kufizimi, krijon të qeshurën, jeton me të duke e përdorur si një antitrup. Të gjitha ata që patën fatin të kishin artin e të qeshurës, dhe jo vetëm, si emër, jetë dhe vepër, u bënë pjesë e kujtesës së qytetit, u bënë përfaqësuesit e saj identitar, u bënë e përgjithmonshmja e Shkodrës dhe shkodranëve gjithkund ata ndodhen. Mes emrave, atyre që lartësuan traditën e humorit, Shtjefën Palushi-Tefa është më i veçanti.

Shtjefën Palushi-Tefa është aq i ngulitur në kujtesën e Shkodrës, sa çdo barcaletë, çdo batutë e atypëratyshme, çdo ndodhi komike, çdo episod grotesk, çdo fabul, apo çdo e qeshur, lidhet me bëmat e tij, me çfarë ai tha, me mënyrën se si ai zgjodhi të mbetej i pavdekshëm.

Ai nuk ishte tamam një krijues dhe interpretues humori i kultivuar, një personalitet, jeta dhe vepra e të cilit, do të kalonte përmes një rritje profesionale. Ai ishte një komik i lindur, sepse ishte mbrujtur dhe gatuar në një vend si Shkodra. Në një qytet që “Një ndër madhështitë apo vlerat e shumta që ka qytetit i Shkodrës, asht humori popullor. Kurdoherë e në ëdo situatë, qytetari i Shkodrës asht mundue me përballue problemet e ditës me humor, apo me ndonji “loje pa zarar”, të sajueme aty për aty. Edhe ndër shtërngesat e mëdha të jetës nën diktaturë, në fatkeqsi familjare e natyrore (tërmete përmbytje),në katastrofa financiare apo ekonomike si ajo eskemave piramidaleose, mbyllja e ndërmarrjeve e privatizimi i tyne, në kohën e eksodit apo mashtrimit me viza, në kohën e rrumujave të dhunshme të 97-ës, mbas ndonjë fushate të egër elektorale apo mitungu, mbas ndërprerjeve të gjata të dritave, në terr e pa ujë, qyteti ka marrë frymë nëpërmes humorit të dalë nga shpirti i paepun i qytetarve të tij… shkrian Pjetur Logoreci.

Ai bëri të qeshnin ata që nuk mund të qanin. Guxoi të tallej me shtetin, me vinte në lojë indirekt ata që nuk u’a bënte kush “fjalën dysh”. Jo vetëm kaq, përgjatë dy dekadave të agonisë së gjatë të diktaturës, si për të humbur gjurmë, apo për të mos bërë askënd me përgjegjësi faji, barsaletave antikomuniste u vishej autorësia e Tef Palushit. Edhe syri dhe veshi i kudogjendur i diktaturës, nuk ishte aq vigjilent të kapte me “presh në duar”, ata që në një farë mënyre sulmonin pushtetin, kritikonin dhe fshikullonin fenomene dhe personazhe, dhe “i’a hidhnin pa u lagur”, duke thënë se e ka thënë Tefa.

Edhe sot pas 39 vitesh që nuk jeton më, nevoja për të qeshur shkodranshe, për të bërë hoka e për t’u tallur, për të bërë sarkazëm e për të vënë në lojë, për të thënë batuta dhe për të ngërthyer në mendim, për të krijuar një situatë dhe përjetuar një të qeshur, ende është i gjallë Tefa. Mesazhi i barsoletave, të ndaluara dikur nga komunizmi dhe trazimtare për politikanët e demokracisë dhe gjithkënd që e bën veten për “dajak”, është ai humor, janë ato grimca të argëtimit shpirtëror dhe çlirimit nga çdo kufizim.

Ai zëfilli bëmat e tij komike me pëshpëritjet vesh më vesh, me përçimin gojë më gojë, e pse jo edhe duke e pasuruar në çdo interpretim që i bëhej një grimce të dalë nga Tefa.

Arti i tij ishte origjinal, siç ishte e tillë e drejtpërdrejtë, e atypëratyshme dhe tejshpuese, sarkazma e tij, shpotija, loja, ironia, cinizmi, e qeshura “me majt barkun me dorë”. Të thënë ose jo shumë prej barcaletave që i atribuohen atij, janë patjetër të tijat, sepse i tillë ishte humori që ai bëri, e tillë ishte e qeshura që ai na dhuroi, sa e shndërroi humorin, këtë magji të çlirimit nga trazimi dhe hidhërimi, një sinonim të emrit të tij, të të drejtës që kemi të qeshim.

Ne patëm fatin të ishim të shpërblyer me kaq shumë të qeshura. Shkodra u begatua bujarisht nga shpirti, mendja, pena, zëri, virtuoziteti dhe e hirshmja e një bukurie që na vezullon në fytyrë me të qeshurën Pjeter Gjinit, Bik Pepës, Gjosho Vasisë, Tano Banushit, Paulin Prekës, Gëzim Krujës, Paulin Selimit, Mergim Muhjes apo Nexho Shabanit, etj., etj… që mbetën të pavdekshëm me çfarë na lanë si pasuri, anipse prej një kohe që kishim pak gjëra, por shumë zemër për ta ndezur shpirtin e të bukurës, vezullimin e të qeshurës. Ndër ta, Tefa ishte dhe mbeti një yll në galaksinë e humorit, ajo çfarë ka mbetur në kujtesë dhe bujarisht e shtron sofrën e të qeshurave, të gëzim, në shyqyre, dasma, ahengje, por edhe në vaki.

Shtjefën Palushi-Tefa ishte gjithashtu një karikaturist unik! “Veç punës në Fabrikën e Pëlhurave e dizajnimit të skenografive për shfaqje të ndryshme, Tef Palushi zotëronte edhe një tjetër talent të rrallë. Ai ishte i jashtëzakonshëm në ideimin dhe skicimin e karikaturave. Ishte kjo një dhunti që shpejt do të kapërcente Shkodrën dhe trokiste në dyert e revistës së mirënjohur humoristike “Hosteni”. Brenda kornizave të kohës, por me ca gjetje të jashtëzakonshme, fundi i viteve 1970 dhe fillimi i viteve 1980 të shekullit të shkuar e gjejnë Taf Palushin një ndër karikaturistët më të preferuar të kësaj reviste, së paku duke e gjykuar nga punimet e përzgjedhura për kopertinën.”

Duke e përmbyllur këtë kujtesë-homazh për një njeri të vogël në shtat por gjigand në vepër, kujtoj se Shtjefën Palushi u lind në Shkodër më 28 qershor 1943 dhe u nda nga jeta më 18 Korrik 1985 në moshën 41-vjeçare. Nuk u martua kurrë, dhe nuk la trashëgimtarë, pasi shëndeti i lig nuk ja mundësonte. Edhe pse jeta u tregua aspak bujare me shëndetin e tij, ai u “hakmor” ndaj saj duke jetuar pak, por kjo nuk e ndaloi atë ndërtonte pavdeksinë e tij në një tempull të lartë kujtese. Brezat që shkuan, ata që janë dhe ato që do të vijnë do ta kenë të pamundur ta harrojnë “Tef Palushi”, këtë emër që nuk mundi të ishte vetëm një emër, por sinonim i një fenomeni të humorit. Ai lindi, jetoi dhe ju dha përjetësisë me shpirtin e bukur dhe pafundësinë e stolisur me të qeshura.

Pjesë humori dhe barcaleta nga Tef Palushi

Shtjefën (Tef) Palushi e Paulin Selimi mbeten dy krijues të njoftun të humorit shkodranë.

Në stacionin e Laçit, në vagonin ku udhëtonte Tefa u fut edhe kompozitori Ruzhdi Keraj. Mbasi përqafohen, Tefa i zgjat paketën e cigareve “Partizani” dhe Ruzhdiu i merr nji cigare. E ndërsa Tefa po fliste me dikë tjetër, Ruzhdiun si pa u ndje i merr edhe tri-katër cigare tjera!

E shef Tefa dhe i thotë:

-O Ruzhdi! Që vjedh muzikë e kam dijtë, por që ke nisë me vjedhë edhe cigare sot po e marr vesh!

****

Ishte ulë Tefa në kafe dhe po pinte nji teke fernet. Në at çast hyn në kafe kontrolli shëndetsor dhe drejtohen te Tefa. Mbasi e përshëndesin Tefën, i thonë që t’u japë gotën.

– Posi jo – u thotë Tefa, dhe fap e ktheu pijen që ishte në gotë.

Ata të habitur nga veprimi i Tefës i thonë: Ne e kishim fjalën për pijen dhe jo për gotën. Dhe Tefa pa e prishë terezinë ju thotë:

– Më falni, më thatë për gotën, jo çka kishte në gotë!!

****

Futet Tefa në Kafe të Madhe, dhe i thotë banakierit mos kishte ndonji paketë “Partizani”.

– Pasha besën Tefë, asnji për bè, – ia ktheu banakieri Lin!

Ndërkohë vjen nji bukuroshe shkodrane, e njoftuna e Linit dhe nën zà i thotë:

– Lin, t’marrsha t’ligat nji “Partizan”, se e kam litarin n’fyt?

Lini ia ban me shenjë dhe i jep fshehtas dy paketa!

Tefa mbasi e pau krejt skenën i afrohet kamarjerit.

– Lin kam me të paditë, ke nisë me strehu edhe Partizan!

****

Pas një veprimtarie te revista “Hosteni”, Tefa dhe Kolec Pepa, humorist i njohur shkodran, mbërrijnë në hotel “Peza”. Si zakonisht, sportelisti u thotë se i kishte vendet e zëna. Pasi i premtuan një bakshish, sportelisti e “gjeti” dhomën.

– Kam një dhomë për fëmijë, pra, me krevate më të vegjël se të zakonshmit – i thotë sportelisti.

– Veç mos të ketë fëmijë aty, se nuk kena ça me i dhanë me pi – i përgjigjet Tefa.

****

Në Parrucë bahej varrimi i nji të vdekuni.

Tefa në shenjë nderimi kishte ndalu anash trotuarit. Në momentin që arkivoli po futej në makinë, para Tefës kalon nji shok i tij me biçikletë. Ky e shef Tefën që po kqyrte arkivolin që futesh në makinë dhe me të shpejtë i thotë:

– O Tefë, t’pafsha ty aty mbrendë (në makinën e vde.kjes).

– T’lumtë goja, mirë e ke… Unë shofer… ti pasagjer!

****

Mbasi qe mërzitë prej komunizmit, Tefës i shkrep në mendja me u arratisë. Dhe niset e shkon në Zogajt ku ishte kufini, me shpresë të arratiset për në Mal të Zi. Po syni vigjilent i kufitarëve të kohës së Xhaxhit, e pikasi nji burrë shtrembaluq,

që po i afrohej kufinit dhe mbasi e rrethojnë ushtarët e kapin dhe shohin se ishte Tefa, që e njifnin të gjithë. E marrin e hypin në një makinë dhe e nisin për në Shkodër. Kur mbërrijnë në Shkodër, policët e pyesin Tefën:

– Tefë, pse deshte me e thy kufinin?

– Po jo mor burra, as në mendje s’më ka shku, – ua kthen Tefa, – Po kisha mbetë në rrugë e s’dijsha si me u kthy në Shkodër. Atëherë thashë: A e din çka baj, ma mirë po i afrohem kufinit, ushtarët kanë me më kapë, e kanë me m’pru me makinë në Shkodër…!!

****

Nji ditë Tefë Palushi kishte marrë grepin dhe ishte ulë në lulishte dhe bante sikur gjuante peshk. Kalonin njerëz dhe çuditeshin me Tefën.

Paska luejtë mendsh Tefa i shkretë! – thoshin

– Ça po ban mor Tefë? – e pyet njeni

– A s’e shef, po gjuej peshk!

– Hajt mor i marrë pijmë ka nji birrë, çfarë peshku n’lulishte! Dhe pinë nga nji birre e nji bërxollë. Mbarojnë dhe Tefa vazhdonte me grep në lulishte derisa erdh dikush tjetër edhe e pyet dhe u përsërit historia e nji birre mee bërxollë.

Kur kaloi nji i tretë dhe për me u tallë me Tefën i thotë:

– Hë mor Tefë, a t’ka ra ndonji peshk?

– Për njat zot, n’ma dhansh nji birrë, je i treti që ma han karremin! ia ktheu Tefa

****

Nji ditë Tefa shkon te Mapoja industriale me ble nji palë të mbathuna.

– Mirdita!

– Mirdita Tefë! Ça dëshiron me ble mor Tefë?

– M’duhen nji palë të mbathuna për vedi. Dhe shitësja menjiherë i vuni mbi banak nji palë të mbathuna numër i madh, dhe i thotë:

– Tefë, s’kam tjera veç kët numër kam!

Tefa ashtu i dobët e i vogël, i kqyr mbarë e mbrapsht të mbathmet dhe vendos me i marrë. Paguan paret, merr të mbathunat dhe niset me dalë. Kur…

– Tefë, Tefë ku po shkon?! Prit, se ke me marrë kusurin.

– Lene lene, kusurin ma jep b… i thotë Tefa dhe tërheq derën.

****

Nji ditë vere, Tefa qe ulë te bordura para lulishtes “1 Maji” në Shkodër, nën hije të nji peme. Me dëshirën për me hy në muhabet po edhe për me e tallë pak, nji hetues, që kalonte me “Gaz” aty pari, i thotë humoristit shkodran:

– Ik prej aty mor Tefë, o hyp e t’çova në Degë.

– Unë mezi po rri në tokë, ti më thu me hypë në degë, – ia ktheu Tefa me humor.

****

E pyetën Tefën:

– O Tefë! Kush asht ma i gjati n’Shkodër?

– Unë, – tha Tefa, – pse a ka ma të gjatë se unë?

Ata që ishin rrotull ia dhanë gazit.

– Pse po qeshni – ju kthye Tefa – ba me u hekurosë dal dy metër!!

****

Tefa ishte në Tiranë me grupin e delegatëve shkodranë në Kongresin e Shkrimtarëve dhe Artistave. Te holli i hotelit, dikush i shërbimit, për ta ngacmu Tefën i thotë:

– Me cilin ke dëshirë me fjetë në të njejtën dhomë. Ke dy mundsi o me Tinka Kurtin a me Fadil Krajën?

– Po t’jetë puna me fjetë, ma mirë flej me Fadilin! – ia ktheu Tefa…

****

Shkon Tefa për drekë në nji restorant dhe porosit groshë. Kur kamarierja i sjell pjatën Tefa fut lugën në pjatë, e përzien langun dhe kur s’shef asnji kokërr groshe në pjatë i thotë kamarieres:

– Mos u largo se du me më ndihmue pak …

– Me gjithë qejf – i thotë kamarierja …

Dhe Tefa heq xhaketen ia le në dorë, heq këmishës dhe ia le në dorë dhe kur po bahej gati me heqë pantallonat… kamarierja e habitun e pyet:

– Ç’ka po ban mor Tefë, nuk asht as vapë”?

– Po zhytem n’lang t’groshës, se mos gjej ndoj kokërr”!

****

Kur e pyeti ish drejtori i kinema “Rozafatit” Dilaveri, Tefën:

– Pse tifoz i gjermanve qenke ti Tefë?

– Po pse me kë me u ba tifoz, me ty? Ti sa kje drejtor dogje kinema “Rozafatin”. Gjermanët kanë kalue nëpër Shkodër, e s’e kanë djegë nji jerevi!…”

****

Kishte raste që në tavolinën e Tefës uleshin shumë njerëz e që përfitonin edhe nga bujaria i tij dhe Tefa porosiste kujt një gotë, kujt nji kafe e në fund paguante ai.

Po shpejt e kuptoi që disa nga këta ishin tipa i binin qylit. Nji mbramje shkon te tavolina e tyne dhe priti si do të silleshin ata. Asnjeni s’porositi. Pinin veç cigare dhe prisnin të porosiste Tefa.

Edhe Tefa ndejti në lojën e tyne tuj pi cigare pa porositë asgja, veç tymoste duhan. Dikur, u mërzit, u çu nga vendi dhe ju thotë miqve të tavolinës:

– Ma bashi natën e mirë, e m’kallzoni kur po mblidhna herës tjetër me pi cigare?!

****

Nji herë Tefa, po rrinte n’breg të liqenit. Kalojnë dy djem andej pari e shofin Tefën dhe shkojnë ta ngacmojnë. E pyesin se çfarë po bante dhe ai u thotë:

– Po gjuj peshk mor djem!

– Po mirë – i thonë ata, – e shofim që po gjun peshk po tullën pse e mban aty?

Tefa si me të qeshun u thotë: Po ma qerasët nji kafe jua kallzoj!

Në fillim ata hoqën dorë, po kureshtja ishte e madhe dhe ia sollën kafen. Si të paduruem djemtë s’po e linin rehat për shpjegimin. Mbasi mbaroi kafen kthehet dhe ju thotë:

– Me grep nuk kam zanë asgja, ndërsa me tullë nja shtatë a tetë peshq.

SHKARKO APP