Tezat e një amerikani, për islamizimin e shqiptarëve

Mehdi Gurra

Një misionar protestant, me ca vite të kaluara në Shqipëri, u ul gati tetëdhjetë vite më parë të shkruajë tezën e magjistraturës. Pas hulumtimesh e mbledhje materialesh, kishte zgjedhur për të një temë që kërkonte kurajë në të shkruar. Përfundimet e punimit të tij ishin shpesh dramatike, përvëluese, ndoshta të papërtypshme, por sidoqoftë, pa dyshim, tejet të guximshme.

Edwin E. Jacques, historian e studiues amerikan, i kaloi vetëdijshëm kufijtë e një misionari të thjeshtë protestant, pa e hequr nga mendja pozitën e tij. Studimi i bërë islamizimit të Shqipërisë nuk kishte vetëm konture historike; brenda kontureve fetare të trajtesës ai përdori fjalë ligështuese për terrenin ku ngjau islamizimi.

Arsyet pse ky punim është përmendur fare pak deri më tani duhen kërkuar, me të drejtë, besoj, te përfundimet e nxjerra nga autori. Në to duhet kërkuar dhe mungesa sot e gatishmërisë nga ana e bashkëfetarëve të tij për ta parë atë të botuar në shqip. Pakënaqësia e tyre për botimin në shqip ka qenë e hapur!

Për teologun Ismail Bardhi, shkruesin e parathënies së botimit në shqip, “Islamizimi i Shqipërisë nën turqit”, është një sfidë e madhe kombëtare, fetare, kulturore dhe institucionale. Prandaj, guximi i autorit Edwin E. Jacques për ta shkruar atë tezë do të mbetej i pamjaftueshëm nëse nuk do të gjendej dhe guximi për ta botuar në shqip. Guxim të cilin e pati Fondacioni “Alsar”!

Shkrues dhe i një tjetër vepre voluminoze për shqiptarët, Edwin E. Jacques jetoi, punoi e veproi në Shqipëri mes viteve 1930-40 të shekullit të kaluar. Në Korçë, një ambient i përshtatshëm për misionin e tij, ai filloi të qartësojë idetë për atë që i dukej një anomali, orienti në oksident, Shqipëria myslimane! Misionarin protestant duhen ta kenë munduar disa pyetje gjatë kësaj periudhe. Më këmbëngulëse mes tyre duket të ketë qenë ajo se pse përqindja e konvertimeve ishte më e madhe në Shqipëri se gjetiu. Përgjigjja ka realitet brenda, një realitet me të cilin pakkush ka dëshirë të përballet.

Objektivitetit të autorit mund t’i vihet pikëpyetje nga ata të cilët do të mbeten të pakënaqur me përfundimet e punimit, e që sigurisht do të jenë shumë, veçse nuk mund të mohohet serioziteti i plotë në të shkruar. Atë e kanë ndihmuar burime të shumta në mëtimin akademik për t’i vënë në binarë të qëndrueshëm idetë në mendje. Shumë nga këto burime janë cituar për t’i ardhur në ndihmë tezës.

Katër kapituj bëjnë një shtjellim të plotë në kohë dhe hapësirë; analizohet gjithçka, nga hyrja e krishterimit në Shqipëri te joshja e Islamit për natyrën e shqiptarit. Një kapitull më vete i kushtohet Krishterimit shqiptar, pretendimit për themele apostolike, për të cilin shkruesi i tezës thotë se është i pamundur një pohim pozitiv, përkundër peshës së mundësisë. Kapitulli i dytë pason të parin kronologjikisht, duke na sjellë te historia e Shqipërisë nën turqit. Një analizë e gjatë historike trajton figurën e Skënderbeut, të administrimit turk, të organizimit të Krishterimit shqiptar, të rebelimeve shqiptare kundër turqve, të autonomive lokale dhuruar guvernatorëve lokalë, të masave reformatore, të rilindjes kombëtare. Qëndrimit osman ndaj Krishterimit, në pikëpamje të përgjithshme, i janë lënë paragrafe më vete, ku lexojmë për politikën liberale të habitshme të qeverisë osmane, për liritë dhe privilegjet e dhëna jomuslimanëve.

Për politikat turke që ndikuan në islamizimin e Shqipërisë flet kapitulli i tretë. Këtu e në vazhdim, deri në fund të punimit, parashtrohen aspektet objektive dhe subjektive të islamizimit. I thelluar në studim, qartas me njohuri të gjera, autori citon në këtë kapitull porosinë kur’anore se “Nuk ka detyrim në fe”.

Mungesa e unitetit fetar në Shqipëri, karakteri dekadent i krishterimit shqiptar, botëkuptimi materialist i shqiptarëve dhe joshja e islamit për natyrën shqiptare, renditen në kapitullin e katërt si karakteristikat që e ndihmuan islamizimin. Edwin E. Jacques i bën shumë njerëz të ndihen ligsht me ato çfarë do të lexojnë në këtë pjesë. Mes shumë përshkrimeve të ashpra të autorit, më duket me vend të citoj vetëm fare pak gjë, sa për ilustrim, “Doktrina dekadente ortodokse dha fryte në të jetuarit dekadent heterodoks. Krishterimi ishte reduktuar në një cikël të përciptë ceremonish dhe detyrash, një zëvendësim joshpirtëror i akteve formale të devotshmërisë për të jetuarit etik të krishterë.”

Kur flet për botëkuptimin materialist të shqiptarit, autori thekson se ai e mban fenë lehtësisht mbi shpatullat e tij, se faktor vendimtar për shqiptarët nuk është fetarja, por materialja. Shqiptari ishte materialist, shkruan ai, i paprekur nga konsideratat shpirtërore kur këto binin ndesh me interesat e tij materialiste. Në këto karakteristika i sheh shkruesi i tezës, misionari protestant, më së tepërmi arsyet e islamizimit.

“Islamizimi i Shqipërisë nën turqit” është një punim i shkruar shumë e shumë kohë më parë, por aspak i vjetëruar. Pa ndjeshmëritë që zakonisht e mbërthejnë një studiues apo akademik vendas dhe që nuk e lënë të pohojë gjithçka, Edwin E. Jacques na ka dhënë këndvështrimin e tij mbi islamizimin e Shqipërisë. Krahas kësaj, ai vë në dukje se udhëheqësit e vendit po përpiqen dëshpërimisht që nga krijimi i Shqipërisë së lirë ta shuajnë ndërgjegjen fetare të popullit, e se mbi këtë bazë shteti ka miratuar politikën e mirënjohur të marrjes nën mbrojtje të fesë me qëllim që ta dobësojë atë!

Edwin E. Jacques nuk na ka dhënë një histori të thjeshtë islamizimi; teza e tij ka në të shumë më tepër se ç’na sugjeron titulli. E vërteta e këtij misionari protestant ndoshta djeg, por duhet mësuar!

SHKARKO APP