Thashethemi, ishte një mjet i fuqishëm për të pafuqishmit në Greqinë e Lashtë
Nga Fiona McHardy
Në qendër të veprave më të mëdha të letërsisë së lashtë, janë aktet e fuqishme të hakmarrjes. Hakmarrësit i tejkalojnë armiqtë e tyre me aftësitë fizike më të mëdha, ashtu si në rastin kur Akili vret Hektorin në një përballje të vetme, për t’u hakmarrë për vdekjen e shokut të tij, Patroklit; ose nëpërmjet përdorimit të mashtrimeve, si në rastin kur Medea vrau Kreonën dhe vajzën e saj, duke përdorur veshje të helmuara, në shenjë hakmarrje ndaj Jasonit, burrit të saj jobesnik.
Por si mund të hakmerret një person që nuk ka forcë fizike, aftësi magjike apo miq që ta mbështetësin? Gratë me një status të ulët, pa lidhje të forta familjare, ishin ndër më të dobëtat në shoqërinë e lashtë. Por ato përdorën një armë të fuqishme, për të siguruar shkatërrimin e një armiku të urryer, thashethemin.
Thashethemet ose zërat, janë personifikuar nga poetët e lashtë. Në epikën homerike, thashethemet thuhet se ishin lajmëtare të Zeusit, që vrapojnë bashkë me turmat e ushtarëve kur ata tubohen, duke sjellë një imazh të mënyrës se si ai rrugëton mes njerëzve nga goja në gojë, duke u përhapur përmes turmave.
Edhe Hesiodi e portretizon atë si në një lloj fryme hyjnore, por edhe si diçka nga e cila duhet pasur kujdes “pasi ajo është e keqe, mund të ngrihet lehtësisht, por e vështirë të mbahen nën kontroll apo të zhduket”. Oratori athinas i shekullit IV, Eskini, aludon mbi thashethemet rreth çështjeve private, që përhapen spontanisht nëpër qytet.
Njerëzit e lashtë nga të gjitha sferat e jetës, burra dhe gra, të lirë dhe skllevër, të rinj dhe të moshuar, mendohej se kënaqeshin duk e u marrë me thashetheme, duke siguruar kalimin e shpejtë të tij në të gjitha anët e qytetit. Ndërsa Aristoteli, sugjeron që thashethemet ishin shpesh një lojë e këndshme, ai e bën ndërkohë të qartë se ato mund të kenë qëllime të këqija kur thuhen nga dikush që ka qenë i lënduar.
Dëshira e një numri të madh të anëtarëve të shoqërisë për thashetheme, krijoi ura lidhëse mes më të dobëtve dhe më të fuqishmëve. Vlerësimi i thashethemit, si një armë në duart e atyre që kanë pësuar një padrejtësi, është veçanërisht i rëndësishëm kur mendojmë se si athinasit i përdonin thashethemet në gjykata.
Dhe kjo sepse rastet në ato gjykata, ishin të bazuara shumë në vlerësimin e karakterit të personave të përfshirë, me shume sesa tek dëshmitë e forta. Në mungesë të gjyqtarëve profesionistë, qëllimi i oratorëve ishte të diskretitonte personazhet kundërshtarë në sytë e jurisë që do të merrte vendimin, duke e paraqitur veten si qytetari më i lartë.
Fuqia e thashethemeve, shkaktonte frike tek palët në gjyq, ndaj ata kujdeseshin të hidhnin poshtë tregimet negative të rrëfyera para juristëve. Nga oratorët e lashtë, mësojmë se vendet publike si dyqanet dhe tregjet, ishin të dobishme për të përhapur thashethemet e rreme, që synonin diskretitimin e një kundërshtari për shkak të turmave që mblidheshin atje.
Në një rast, të shkruar nga Demosteni, Diodorusi pohon se armiqtë e tij po përhapin thashetheme duke dërguar lajmësit në tregje, me shpresën e lëkundjes së opinionit publik në favor të tij. Vetë Demosteni akuzoi kundërshtarin e tij Meidiasin, për përhapjen e fjalëve të këqija për të.
Dhe Kalimakusi, thuhet se u tregonte në mënyrë të përsëritur turmave që mblidheshin në punishten e tij një histori të trishtë të trajtimit të tij të ashpër nga kundërshtarit. Në këto raste, synimi i thashethemeve është përhapja e informacionit të rremë në të gjithë qytetin, për të krijuar një përshtypje të individëve të përfshirë, që do t’i ndihmojnë ata të fitojnë paditë e tyre në gjyqet që do të hapnin.
Gjykatat në Athinë përbëheshin vetëm nga burrat, ndaj gratë duhej të mbështeteshin tek të afërmit e tyre meshkuj, që do të vepronin në emër të tyre. Megjithatë, burimet e lashta e bëjnë të qartë se aftësia e grave për të bërë thashetheme, mund të jetë një mjet i dobishëm për të sulmuar një armik.
Për të treguar karakterin e keq të kundërshtarit të tij në gjykatë, Aristogeveoni, përshkruan një incident që përfshin sjelljen e dhunshme dhe mosmirënjohëse të këtij të fundit përkundrejt një gruaje të huaj me emrin Zobia, e cila me sa duket e ndihmoi atë kur ishte në telashe, por sapo u shërua, abuzoi me të fizikisht, dhe kërcënoi ta shiste si skllave.
Për shkak se kishte statusin jo-qytetare, Zobia nuk kishte qasje në kanalet zyrtare ligjore në Athinë. Megjithatë, ajo përdori plotësisht kanalet jo zyrtare, duke u treguar të njohurve për keqtrajtimin e saj. Pavarësisht gjinisë dhe statusit të ulët, përdorimi prej saj i thashethemeve, e nxorri në publik Aristogeveonin, si një person të pabesueshëm dhe abuziv.
Ky thashethem, u përdor në gjykatë nga një gjyqtar mashkull, për të treguar karakterin e dobët të Aristogeveonit para një jurie të përbërë nga burra. Pra thashethemi i grave, mund të perdoret me efektivitet për të diskretituar karakterin e një kundërshtari në gjyq. Dhe një grua me një status të ulët, dhe pa asnjë akses në organet gjyqësore, mund të kryente një formë hakmarrje.
Një shembull tjetër i thashethemeve të grave që përmenden në gjykatë, shfaqet tek ”Lisias” mbi vrasjen e Eratostenit. Në këtë fjalim, i pandehuri Eufiletus pretendon se ka vrarë ligjërisht Eratostenin, pasi e ka kapur atë në kurorëshkelje me gruan e tij. Eufiletusi, tregon një histori rreth asaj se si një grua e moshuar iu afrua pranë shtëpisë së tij, për ta informuar atë për lidhjen e gruas së tij me Eratostenin.
Kjo histori funksionon, pjesërisht për të nxjerrë në pah karakterin e supozuar naiv të Eufiletusit, i cili ka nevojë për dikë që t’i tregojë hapur pabesinë e gruas së tij, dhe pjesërisht për të treguar sjelljen e tmerrshme të Eratostenit, që deoncohet nga e moshuara si një shkelës kurore.
Sipas Eufiletusi, e moshuara nuk shkoi me vullnetin e saj, por u dërgua tek Eufiletusi nga e dashura e Eratostenit.
Në kompozimin e kësaj pjese të fjalimit, “Lisias” bazohet në fjalorin e lidhur me aktet hakmarrëse në letërsinë e lashtë greke lashtë, kur ai e përshkruan gruan e braktisur si të zemëruar dhe armiqësore ndaj të dashurit të saj, dhe tejet të prekur nga sjellja e tij.
Implikimi është se kjo grua, thurr qëllimisht thashetheme rreth përfshirjes së Eratostenit në një lidhje intime me gruan e Eufiletusit, në mënyrë që të nxisë një person me aftësinë për të vepruar kundër Eratostenit, ose nëpërmjet kanaleve zyrtare ligjore, ose nëpërmjet forcës së tij.
Një grua që nuk ka aftësi të kërkojë ndëshkim për një të keqe të tillë, dhe as nuk ka fuqi për të vepruar kundër armikut të saj, mund të hakmerret nëpërmjet fuqisë së fjalës së saj. Athinasit, ishin të vetëdijshëm për përdorimin e qëllimshëm dhe të mirëllogaritur të thashethemeve, për të filluar sulmet ndaj armiqve të tyre.
Dhe ata i përdorën me kujdes thashethemet, për të pasur avantazhe gjatë proceseve gjyqësore. Prania në gjyqe e thashethemeve, përfshirë thashethemet e përhapura nga anëtarë të një statusi të ulët në shoqëri, tregon se athinasit kanë përfituar nga të gjitha llojet e thashethemeve, në përpjekje për të mposhtur kundërshtarët e tyre.
Përmes përdorimit të llogaritur të thashethemeve, gratë, jo-qytetarët ose skllevërit pa qasje në kanalet zyrtare ligjore, përdorën një armë të fuqishme në përpjekjet e tyre, për t’u hakmarrë ndaj atyre që kishin abuzuar me ta.
Shënim: Fiona McHardy, është profesoreshë e historisë klasike në Universitetin Roihempton në Londër. Ajo është autore e librit “Hakmarrja në kulturën athinase” (2008).
“Aeon.co” – Bota.al