“The Donald”, presidenti i Avni Delvinës, një Rambo i kohëve moderne
Shumëkush nuk do të mendohej gjatë për të hedhur në bast gjithë pasurinë e tij, se Donald Trump do t’i humbiste zgjedhjet. Sytë që shihnin së jashtmi nuk e kishin imagjinuar kurrë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kishin për President, pikërisht Trump, një personazh gati i çuditshëm, objekt i faqeve të shtypit, një superfuqi ekonomike, por gati i paimagjinueshëm si politikan. Por ajo që nuk pritej ndodhi. Thuajse i vetëm kundër të gjithëve, Trump fitoi zgjedhjet dhe tashmë është njeriu më i fuqishëm i globit.
Nuk ka ditë që mediat të mos flasin për të, nuk ka ditë që vendimet e tij të mos ngjallin debate… Ky “obsesion” mediatik karshi numrit 1 të SHBA-ve, por edhe një simpati personale për republikanët amerikanë, e ka ngacmuar artistin Avni Delvina, të vendosë në qendër të tablove të tij, pikërisht figurën e Presidentit Trump. E ka quajtur “The Donald”, sepse ai mund të jetë vetëm “Donaldi”. Në këtë ekspozitë të hapur në Muzeun Historik Kombëtar, kuruar nga Adrian Devolli, piktori Avni Delvina sjell për publikun 46 tablo, të cilat kanë në qendër veprimet edhe ndikimet socialpolitike të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
I VETËM KUNDËR TË GJITHËVE
Për të realizuar këto vepra, Delvina përdor një teknikë miske. Ai përdor penelin, lapsin, montazhin, duke gërshetuar lloje të ndryshme teknikash për të arritur në qëllimin e dëshiruar. Veprat e Delvinës flasin me një gjuhë ironike. Ai e tejkalon narracionin e thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë dhe kalon në analizë. Ai nuk është thjesht një përshkrues, por mban edhe një qëndrim personal. Duke e konsideruar si të tepruar sulmin mediatik kundër Trump, ai i “përball” një tjetër lloj media. Ai “huazon” nga të tjera mediume apo nga vepra artistësh të mëdhenj botërorë, kontekste, qëndrime, për të përçuar idenë e ndikimit që ka në botë çdo vendim i marrë nga Trump.
Ai e paraqet atë, herë si një Rambo, që me fuqinë e dollarit nënshtron gjithçka, herë si një Krisht që me gishtat e bashkuar bekon njerëzimin apo një Krisht i kryqëzuar për flamurin amerikan; Herë shfaqet si një sulmues regbije që i janë vërsulur përsipër një zulmë aktorësh Hollywood-i (George Clooney, Meryl Streep, Alec Baldwin, Robert De Niro, etj.), herë si një sfidues i baballarëve të Amerikës; herë si një mundës që ka mposhtur Obamën e herë si një dem i pamposhtur financash. “Impresione amerikane”, “Beteja për Gjykatën Supreme”, “Forca e Trump në Financë”, “Barka e Noes”, “I vetëm kundër të gjithëve”, “Hollivudi kundër Trump”, “Mikelanxhelo pikturon ushtrinë e Kosovës, “Mbase një Karl Maks i shekullit 21”, “Trishtuar”, etj., janë disa nga tablotë e Delvinës, ironia e të cilave ndihet që në titull.
TRUMP NË TIRANË
Ekspozitës së Delvinës nuk i mungon edhe aktualiteti shqiptar. Ndonëse i larguar nga Shqipëria gati 3 dekada më parë me hapjen e ambasadave, Delvina ka mbajtur një lidhje konstante me vendin e tij. Nuk është thjesht një lidhje me karakter personal, por edhe publik. Herë pas here ai ndjen nevojën për të komunikuar me publikun shqiptar mendimin e tij të përthyer në art. Ky i fundit i jep atij, jo vetëm mundësi të shprehet, por edhe të kalojë shekuj e kontinente.Ai mbivendos kontekste, duke dhënë të tjera mesazhe. Presidentin amerikan ai e vendos në një Tiranë të ngrirë, ndërsa Heroin Kombëtar, Skënderbeun, për nder të të cilit u kremtua një vit rresht, e zbret nga kali e të zhveshur, por me përkrenaren në kokë, e vendos mbi gërmadha bunkerësh. Nga lavdia e dikurshme e Heroit dhe e shqiptarëve ka mbetur veçse një panoramë e trishtueshme bardh e zi.