Theodhor Stefani, një fotograf i plejadës dardhare

Nga Kristaq BALLI- 

 Është një rast krejt i veçantë e unik në  Shqipëri që një fshat si Dardha e Korçës, ashtu si në fushën e ikonografisë edhe në atë të fotografisë nuk ka ndonjë ndërprerje apo boshllëk kohor në lëvrimin e vazhdueshëm të saj thuajse qysh nga gjysma e dytë e shek. XIX e deri më sot. Falë disa veçorive historike, ekonomike, sociale, arsimore, turistike e etnokulturore, ky fshat paraprinte duke jetuar një realitet të urbanizuar e “qytetëruar”, duke përfshirë këtu edhe zejtarinë, tregtinë e turizmin me të gjitha profesionet e shërbimet tyre e duke e shndrruar fshatin në një qendër të zhvilluar e të përparuar që e lakmonin edhe shumë qytetarë. Fotografia kishte shërbyer padyshim si një prej dëshmive e kujtimeve pamore që komuniteti dhe vizitorët merrnin dhe e ruanin si vegim nga çaste të veçanta të jetës së tyre. Por, meqë një pjesë e e burrave e kryefamiljarëve ishin në mërgim ekonomik, kryesisht në ShBA, fotografia, në atë kohë, ishte gjithashtu një mjet i nevojshëm shkëmbimi e afiniteti human për të mbajtur “gjallë” lidhjet familjare e miqësore midis njerëzve. Sikur edhe vetëm për këto dy arsye (veç të tjerash), profesioni i fotografit nuk rreshti për asnjë çast, aq sa në Dardhë nuk pati ndonjë ndërkohë që fotografi dhe fotografia të mos ishte e pranishme e funksionale. Gjatë 150 viteve të fundit në Dardhë janë promovuar njëri pas tjetrit fotografë të tillë si Papa Jani Zengo, Vangjel Zengo e vëllezërit e tij Nikolla e Efthim, Perikli Kaçauni, Petraq Qato, Thimi Raci, Theodhor Stefani, Niko Stefani, si dhe artistët fotografë kontemporanë Leon Çika e Alqi Golloshi. Një pjesë e tyre punoi vetëm në Dardhë e pellgun përreth, madje, kur nuk e përballonin jetesën vetëm me këtë mjeshtëri ushtronin edhe profesione të tjera.(kështu pinjollët e familjes Zengo ishin edhe piktorë ikonografë, mësues, apo klerikë, kurse Thimi Raci ishte edhe “teneqexhi”). Disa prej tyre punuan vetëm në Dardhë e disa të tjerë aty, por edhe gjetkë, edhe jashtë shtetit si në Greqi, ShBA, ose në Tiranë.

Përveç misionit të tyre utilitar, historik, kulturor e human, disa prej tyre zenë vend të merituar në Historinë e Fotogfrafisë Shqiptare duke përbërë gurë referencash të rëndësishme në rrugën e lëvrimit dhe evoluimit të fotografisë në trojet shqiptare. Dardha mbetet një oaz i pasur i fotografisë. Mijra e mijra fotografi përbëjnë sot jo vetëm historinë dhe gjurmët që ajo ka lënë në kohë, por edhe një pasuri materiale e shpirtërore që i shërben jo vetëm të kaluarës,por edhe të tashmes e të ardhmes.

Viti i parë i shekullit XX sjell në jetë një tjetër dardhar, i cili do të bëhej, gjithashtu fotograf dhe do t’i shtonte aradhës së fotografëve dardharë një tjetër autor profesionst jo vetëm për historinë e kësaj mjeshtërie të aplikuar historikisht e gjerësisht në Dardhë, por edhe një kontribues në historinë e fotografisë shqiptare.

Theodhor Vasil Stefani (apo Todi, siç njihet me emrin e tij të shkurtuar) lindi më 1901 në Dardhë, ku kaloi fëmijërinë dhe adoleshencën, sikundër edhe vazhdoi shkollën elementare. Kur u ndje i gatshëm për të punuar, ai emigroi në Greqi, si shumë dardharë të tjerë dhe pati destinacion qytetin Negozhd (sot – Nausa), ku filloi punë në një punishte stofrash, pronë e dardharit Ilo Paze.

Por qëndrimi relativisht i gjatë në Greqi i krijoi atij mundësinë për të mësuar edhe një profesion tjetër, atë të fotografit. Ja çfarë kujtimesh sjell nipi i tij Niko Stefani (djali i vëllait), edhe ky fotograf i njohur, nga goja e vetë xhaxhait Todi: “Mbas një kohe që jetova në Negozhd, u njoha me një fotograf që e kishte dyqanin afër qendrës ku unë banoja. Në kohën e lirë unë fillova që ta frekuentoj këtë dyqan dhe profesioni i fotografit filloi të më pëlqejë. Kështu, çdo ditë, kohën e lirë e kaloja pranë dyqanit. Më vonë hyra si çirak dhe fillova të mësoja të fshehtat e zanatit më shumë me ‘të vjedhur’ se sa me të treguar. Mësova retush në negativ dhe kur ustai nuk ndodheshe në dyqan unë, fshehur, fillova të punoja edhe ndonjë retush në ndonjë pllakë fotografike skarco. Kur e pashë se mund të bëja diçka mora guximin për t’ia treguar edhe ustait. Pasi ai kuptoi që unë kisha dëshirë dhe durim të madh, më lejoi të bëja ndonjë punim me pllakat e tij dhe kështu fitova besimin duke u bërë më i zoti në atë punë. Kështu, duke kaluar muaj e vite u perfeksionova për retush në pozitiv e në zmadhime dhe punoja me porositë që merrte përsipër ustai nga klientët e tij duke përdorur lapsa karboni, sfumino, etj., për të formuar dritë-hijen dhe veshjen sipas kërkesës së klientit.” Ai qeshte kur tregonte se si, nganjëherë, i sillnin ndonjë fotografi të veshur si çoban dhe e kërkonin fotografinë me këmishë e gravatë e, në vend të festes, të kishte republikë. “Ustai ishte mjaft i zoti për këto punë, por me kohë, edhe unë nuk mbeta prapa…Kështu, avash-avash fillova të hyj në thellësi të zanatit dhe nisa të fotografoj së pari me një aparat ‘alla-minutë’ (të çastit –K.B.), më vonë edhe me pllaka fotografike ’të javës’, siç u thoshin. Mbas ndonjë viti pune, ustai më linte në dyqan vetëm dhe shkonte disa ditë me pushime, ose në ndonjë punë tjetër të tijën. Më parë, në të tilla raste e mbyllte dyqanin. Me këtë rast filloi të më jepte edhe ndonjë këshillë nga të fshehtat e zanatit, më tregonte për llojet e materialeve fotografike, më fliste për vëllezërit Lumier e për zhvillimin e fotografisë dhe unë kënaqesha e punoja me qejf e me ndershmëri. Në ato vite punonim me material ortokromatik. Ndonjë herë më kish provokuar duke hedhur ndonjë monedhë nëpër qoshka, që ti gjeja kur fshija dyqanin e të shikonte nëse do t’ia tregoja apo do t’i futja ne xhep, kështu që fitova besimin e tij dhe më trajtonte mirë.

Pra i mora njohuritë e zanatit dhe kur u binda që mund te veproja i pavarur, vendosa

 

që të punoj me vete. Në fillim bleva një aparat “alla minut” dhe fillova të punoja në një qoshe në periferi të qytetit. Puna më shkoi mbarë dhe mendova të hap një dyqan. Bleva një aparat me pllaka 6 X 9 deri 18 X 24 dhe një zmadhues te asaj kohe ku përdorja një aparat 9 X 12 që montoheshe në të, si dhe një stampatriçe që stampoja pllakat me stampë kontakt, si dhe të gjitha veglat e nevojshme për të ushtruar këtë profesion. Kështu që fillova një jetë të re. Gjithë këto peripeci qenë që nga vitet ’30 deri ’38 kur u ktheva përgjithmon në vendlindje.”

Kur punonte fotograf në Nausa, Todi përdorte si stampë identifikuese një vulë eliptike me ngjyrë të zezë në anën e prapme, ku, në pjesën e sipërme shkruhej me gërma greke emri i studios së tij ‘ΣΤΕΦΑΝΗΣ’, poshtë emri i tij i plotë me shkronja latine TODIS STEFANIS dhe, midis tyre, në qendër në gjuhën greke adresa e dyqanit.

Kështu, pra, pas vizitave të herëpashershme në vendlindje, gjatë të cilave edhe fotogafonte,  u kthye përfundimisht në Dardhë në fund të vitit 1938. Aty ai hapi një studio laboratorike të përkohshme në një sobalkë të shtëpisë së Sotir Pecit. Në këtë kohë fiksoi në celuloid veturën “Ford” që dardhari Jovan Mulliri kishte sjellë për herë të parë në Dardhë, si dhe foto të tjera nga fshati. Në pranverën e vitit 1939 vendosi të shkojë për të punuar në Tiranë me aparaturat e tij, disa prej të cilave, sot, ruhen ende nga familjarët e tij. Aty hapi një dyqan- studio në Rrugën e Dibrës e, më vonë u transferua në një tjetër lokal në Rrugën e Kavajës. Përkohësisht iu bashkua si çirak edhe nipi i tij, Niko Stefani, i cili do të bëhej më tej edhe vetë një fotograf i njohur.

Punoi gjatë në studion e tij private, derisa sistemi shtetëror e kolektiv i ekonomisë së centralizuar socialiste, ua hoqi të drejtën e privatizmit të gjithë mjeshtërve privatë të çdo profesioni duke i shtetëzuar e kolektivizuar në ekonomi të përqëndruara shërbimesh, madje duke iu sekuestruar me forcë edhe makineritë e paisjet e punës. Kështu edhe Todi iu nënështrua këtij ligji absurd dhe, për të mbajtur familjen, u detyrua të punonte në këtë “kooperative atizanale” shtetërore. Por nuk punoi aty shumë gjatë, pasi nuk e duronte dot që një mjeshtëri e cila i takonte edhe artit, të diktohej e administrohej  nga shteti. Ndaj ulargua prej andej përfundimisht duke lënë aty edhe një pjesë të pajisjeve të tij. Në vitin 1968, ndërroi jetë.

Në vlerësimet që mjeshtri Niko Stefani bën për profesionalizmin e Theodhorit përmend se “Todi punonte me kujdes të madh, sidomos retushin e bënte me shumë durim duke punuar me dy mënyra, si me pika dhe me formë të rrumbullakët, ashtu edhe në ‘formë 8’. Bënte një punë shumë të imët dhe me cilësi si në negativë, ashtu edhe në pozitivë. Kishte një durim të veçantë për të mprehur lapsat, ndofta kjo punë zgjaste dhe një gjysëm ore dhe i donte me një majë të gjatë e të mprehtë, i shfrytëzonte ato deri në fund, madje duke përdorur edhe zgjatues…”

Edhe fotot e Teodor Stefanit, ashtu si të disa fotografëvë të tjerë dardharë nuk janë koleksionuar e kataloguar. Ato mbeten të shpërndara tek klientët e shumtë sidomos

 

në Nausa të Greqisë e në Tiranë, shumë pak në Dardhë, në të shumtën e rasteve anonime e të paidentifikueshme. Ashtu si fotografët e tjerë tradicionalë dardharë tematika dhe përmbajtja e fotove të tij përfshin atë familjare, piknikë dhe evenimente të tjera të jetës kulturore, peizazhin, etnografinë, etj. Ndoshta, me kalimin e kohës, koleksionistët dhe studiuesit do të hapin një shteg të tij për të gjurmuar, gjetur e krijuar një fototekë të tij, sado modeste.

 

Burime referimesh:

Dorëshkrimi i Z. Niko Stefani “Theodhor Vasil Stefani”, Biografia e redaktuar nga Vangjo Ilo, Tiranë 17.01.2000

  1. Ilo: Konsulta informale, dorëshkrime, 2005
  2. Kotherja: Enciklopedia e Fotografëve Korçarë, 2010

 

SHKARKO APP