Thesari i humbur i Kalorësve Templarë, mund të ndodhet diku në Ishullin Oak në Kanada

Kalorësit e Templarë, ishin një grupim gati legjendar murgjërish luftëtarë, historia e të cilëve ka frymëzuar shumë tregime. Ata janë përmendur në filmin e njohur “Indiana Jones”, në Kryqëzatën e Fundit, si dhe në “Kodi i Da Vinçit”. Disa njerëz pohojnë se Frimasonët, të cilët janë në qendër të shumë teorive të konspiracionit gjatë gjithë historisë, e kanë origjinën e tyre pikërisht tek Kalorësit Templarë.

Të tjerë besojnë, se ata zbuluan një thesar të mistershëm në Tempullin e Solomonit në Jeruzalem gjatë kryqëzatave. Historia e tyre, është e mbushur me kaq shumë intriga, së bashku me spekulimet, sa që ndarja e fakteve nga trillimet, mund të jetë një sfidë e vërtetë.

Gjatë kryqëzatave, ky grup murgjërish luftëtarë, i shoqëroi pelegrinët e krishterë nga Evropa drejt Tokës së Shenjtë. Në këtë proces, ata krijuan një nga sistemet e para bankare në botë. Një fisnik evropian, do t’ia shiste këtij urdhri kalorësish një pjesë të pasurisë së tij, para se të bëhej pjesë e pelegrinazhit.

Një kontabilist në këtë urdhër, do t’i jepte një letër, e ngjashme me një faturë, ku thuhej se sa para kishte “në llogarinë e tij”. Gjatë rrugës për në Tokën e Shenjtë, kur të ndalej në një han të drejtuar nga kalorësit, ai mund të paraqiste këtë faturë, së bashku me një dokument identifikimi, dhe kështu paguante për shërbimet që i ofroheshin.

Në Tokën e Shenjtë, ata ishin si forcat speciale të Kryqëzatave. Ata ishin ushtria e parë e vërtetë që nga rënia e Perandorisë Romake. Shumë kryqtarë ishin një turmë fshatarësh që rrokën armët me urdhër të Papës, dhe liderëve të tyre lokalë. Ata nuk ishin të stërvitur për luftë, dhe shpesh nuk kishin asgjë tjetër veç zellit të tyre fetar.

Ndëkohë Templarët, ishin luftëtarë të stërvitur mirë, dhe ekspertë të betejave. Shërbimet e tyre si bankierë, mikpritës, dhe si luftëtarë, vlerësoheshin shumë. Në këmbim të mbrojtjes së pelegrinëve të krishterë që udhëtonin drejt Jeruzalemit, Urdhri i Kalorësve Templarë, fitoi pushtet, prestigj, dhe sasi të mëdha pasurish, që e bënin organizatën një nga më të fortat në të gjithë Evropën.

Në fakt, anëtarët e saj ishin të përjashtuar nga ligjet lokale, pasi ata jepnin llogari vetëm para Papës. Ata u bënë aq të fuqishëm, saqë u konsideruan si kërcënim për disa mbretër, veçanërisht per Mbretin Filip në Francë, i cili sundoi në fillim të shekullit XIV. Kur ai gjunjëzoi këtë urdhër në vitin 1307, dhe papa më vonë ndaloi aktivitetin e tyre, ata nuk u zhdukën.

Përkundrazi, janë ende gjallë në imagjinatën e shumë njerëzve sot. Nga i gjithë misteri që rrethon këtë organizatë, një nga legjendat më të qëndrueshme ka të bëjë me thesarin e tyre. Çfarë ndodhi saktësisht me të? A ka ekzistuar, apo ishte një trillim i shpikur nga fisnikët, si një arsye për të degraduar statusin e kalorësve?

Një nga teoritë më intriguese, është se thesari gjendet i fshehur thellë nën tokë në një ishull të largët në brigjet e Skocisë së Re:Ishulli Oak në Kanada. Urdhri i Kalorësve Templarë, u themelua rreth 23 vjet pas Kryqëzatës së Parë, kur luftëtarët e krishterë nga Evropa pushtuan Jeruzalemin.

Shumë të krishterë europianë, donin të kryenin një pelegrinazh në Tokën e Shenjtë, por udhëtimi ishte i gjatë dhe i rrezikshëm, pasi udhëtarët grabiteshin shpesh nga hajdutët. Një kalorës francez me emrin Hygo dë Pajen, mori miratimin e Papës për të formuar një organizatë, që do të mbronte pelegrinët që udhëtonin drejt Tokës së Shenjtë.

Kështu, një grup i vogël prej 9 murgjërish luftëtarë, të udhëhequr nga de Pajen, nisën misionin e tyre duke udhëtuar në Jeruzalem. Sapo mbërritën në Jeruzalem, ata bënë Malin e Tempullit shtabin e tyre. Mali i Tempullit, i referohet vendit ku mbreti izraelit Solomon ndërtoi tempullin e tij legjendar kushtuar Zotit, dhe ku strehohej Arka e Besëlidhjes.

Tempulli u plaçkit në shekullin VI Para Erës Sonë, dhe u rindërtua nga mbreti Herod në shekullin I. Ai u shkatërrua sërish në vitin 70 të Erës Sonë. Shumë njerëz, besojnë se para se të shkatërrohej në shekullin VI P.E.S, thesari i Mbretit Solomon ishte fshehur diku brenda tempullit.

U përhapën zërat se Kalorësit Templarë, u vendosën në Malin e Tempullit, pasi ata synonin të rimerrnin thesaret e humbura. Brenda pak vitesh, kalorësit devijuan tërësisht nga misioni i tyre. Ata nuk po mbronin më pelegrinët gjatë udhëtimit për në Jeruzalem, siç e pohonte edhe statuti i tyre origjinal.

Shumë njerëz, besonin se po ata po kryenin gërrmime për thesarin e lashtë, veçanërisht në stallat e nëndheshme, që dikur strehonin kuajt e Mbretit Solomon. Askush nuk e di me siguri nëse gjetën apo jo ndonjë thesar. Ka një besim mbizotërues, se Kalorësit Templarë gjetën relike të shenjta, që i dhanë atyre mundësinë të bëheshin veçanërisht të fuqishëm.

Fisnikët u dhanë sasi të mëdha tokash, dhe Papa publikoi nje dekret që thoshte se murgjit luftëtarë jepin llogari vetëm para Vatikanit. Ata s’mund të ndiqeshin penalisht nga ndonjë institucion shtetëror. Por jo të gjithë ishin të kënaqur me prestigjin e tyre.

Më 1307, Mbreti Filip i Francës i arrestoi të gjithë anëtarët e saj. Ai torturoi dhe ekzekutoi shumë prej tyre, por disa ndoshta arritën të shpëtojnë. Disa anije templarësh, që ishin ankoruar në brigjet e Francës, u zhdukën natën. Disa besojnë se anëtarët e urdhrit që arritën t’i shpëtojnë ekzekutimit, morën në këto anije pasurinë e tyre.

Askush nuk e di saktësisht se ku përfundoi thesari. Ekzistojnë shumë teori, por asnjëra prej tyre nuk është vërtetuar. Një nga supozimet më të përhapura, është se është varrosur thellë nën tokë në Ishullin Oak në provincën Skoci e Re në Kanada. Ajo që e bën këtë teori kaq imponuese, por disi të pabesueshme, është fakti që ky ishull është larg nga Franca, nga ku thuhej se ishte fshehur thesari.

Kalorësit që i mbijetuan masakrës së mbretit francez, u nisën në një udhëtim të gjatë në Oqeanin Atlantik, duke shpresuar se do të gjenin tokë në anën tjetër. Teoria fillon me idenë, se kalorësit e bartën fillimisht thesarin deri në Skoci, ku do të gjenin liri më të madhe, veçanërisht për shkak të ligjeve liberale mbi ushtrimin e besimit fetar.

Disa besojnë, se templarët ndërtuan atje kishën misterioze Roslin, një kishë mesjetare që ndodhet pak kilometra larg kryeqytetit të vendit, Edinburg. Për të mbrojtur thesarin, disa kalorës e çuan atë në Islandë, pastaj në Grenlandë dhe më në fund në Skocinë e Re në Kanada.

Nëse kjo teori është e vërtetë, atëherë rezulton që Kalorësit Templarë mund t’i kenë paraprirë me më shumë se një shekull, udhëtimit të Kristofor Kolombit në Botën e Re. Sipas legjendës së zonës, Daniel Mekinis, koloni i parë i regjistruar në Ishullin Oak, gjeti një zonë nën nivelin e detit, teksa po analizonte terrenin për të ndërtuar një fermë në vitin 1799.

Njerëzit pohuan se kapiteni Kid e kishte varrosur atje thesarin e tij. Filloi një gjueti e tërbuar e thesarit, ku humbën jetën disa njerëz. Megjithatë, nuk ka dëshmi reale se kapiteni Kid e varrosi thesarin pikërisht në këtë vend. Ajo që gjetën gjuetarët e thesarit, ishte një gropë që në çdo 3 metra, kishte mbishkrime. Natyrisht, dikush e kishte vizituar tashmë Oak Island dhe me sa duket gërmuar për të varrosur një thesar me vlerë të madhe.

Që nga zbulimi i gropës, investitorët kanë hedhur shumë para në gjetjen e asaj që qëndron e fshehur poshtë. Disa njerëz, kanë vdekur në përpjekje për të gjetur atë që ndodhej në fund të gropës , duke çuar në atë që disa e quajnë “mallkimi i Ishullit Oak”.

Simbolet dhe ikonat e gjetura afër gropës, tregojnë mundësinë e një pranie Templare. Kombinuar me misterin dhe intrigat që rrethojnë zhdukjen e grupit në Evropë në shekullin e katërmbëdhjetë, shumë njerëz besojnë se teoria e Templarëve që varrosin thesarin e tyre në Oak Island, është krejtësisht e besueshme.

Nëse është kështu, atëherë gjëra të tilla si Arka e Besëlidhjes dhe Graali i Shenjtë, së bashku me relike të tjera misterioze dhe artefakte që Templarët zbuluan në Tempullin e Solomonit, mund të gjenden sot të varrosura në ishullin Oak.

HistoryCollection – Bota.al

SHKARKO APP