Tinka Kurti feston 85 vjetorin, ndan kujtimet me artistët në teatrin ‘Migjeni’
Shkodra festoi në mënyrë origjinale 85 vjetorin e lindjes së ikonës së teatrit dhe kinematografisë Shqiptare, Tinka Kurtit. Teatri “Migjeni” përmes aktiviteteve të emertuara “Tinka e perjetshme”, bëri bashkë disa prej emrave të medhenj të skenes, miq e bashkëpunëtorë ndër vite të artistes. Vet artistja e përshkruajti këtë moment me emocion.
Tinka Kurti: Unë dua të kujtoj, me shumë mall, me shumë nostalgji, me shumë respekt ata mjeshtra e mëdhenj që më dhanë shkollën mua, më morën për dore sa kisha mbaruar uniken.
Të madhin Zef Jubani. A mund të harrohet? Atë të madhen Vitore Nino Loken etj etj etj që janë kaq të mëdhenj. Mos kujtoni se jam pa emocione, pasi ky është vendi im, ku unë kam lind, jam rrit, ku kam punu për 70 vjet.
Të pranishmit ndanë kujtimet e tyre.
Margarita Xhepa: E madhërishmja Tinka Kurti, që shquhet për punën madhore e cilësore, për figurat që ka bërë në dramatugjinë tonë dhe të huaj. Ajo shquhet në dy kahe: në dramë, në tragjedi por dhe në komedi. Dhe do ta theksoj më të madhen për komedinë sepse ka pas në krah edhe aktorë të mëdhënj të komedisë shkodrane.
Roza Anagnosti: Kam punuar me njerëz të jashtëzakonshëm, me artistë të mrekullueshëm dhe një ndër këto është dhe Tinka Kurti që ishte ëndrra ime. E kam parë në teatër. Ishte një mister ta shihje nga larg, “Shërbëtori i dy zotërive”, “Tirani i Padovës”. Kur erdha në teatër më dukej si çudi domethënë që unë isha pranë këtyre njerëzve.
Teatri “Migjeni” në këtë ditë zgjodhi që në nderim të Tinkës, të mbjellë një pemë ulliri në hyrje të tij, si simbol i perjetësisë duke i dhënë dhe një nga sallave emrin e artistes së madhe.
/Ora News.tv/